Ndërlidhjet

BUSH: PËRBALLEMI ME KËRCËNIMET E SULMEVE GLOBALE TERRORISTE


GEORGE W. BUSH, PRESIDENT I SHBA

Radio Evropa e Lirë
Zoti president, këtë javë NATO-ja do ta kremtojë zgjërimin historik, dhe do të fokusohet në transformimin e aleancës për t'u përballur me sfidat e reja, siç është Iraku. A mund të flitet për një përdorim të forcave të NATO-s kundër Irakut, meqë sipas kartës së NATO-s, të gjitha vendet anëtare do të duhej t'i dalin në ndihmë ndonjë anëtari i cili është nën rrezik të drejtpërdrejtë?

G.W. BUSH
Para së gjithash, kam shpresë se këtë do ta bëjmë në mënyrë paqësore, dhe mendoj se Saddam Husseini do të çarmatoset me mjete paqësore. Kuptohet, kishim shpresë edhe gjatë 11 viteve dhe 16 rezolutave të miratuara. Tani e kemi rezolutën e 17, dhe unë kam për qëllim të punoj me vendet që e duan lirinë dhe paqen, që rezoluta të zbatohet. Por nëse ai nuk çarmatoset, atëhere keni të drejtë, unë do ta udhëheq koalicionin për të çarmatosur atë, kurse koalicione të tilla mund të formohen shumë. Mund të formohet me NATO-n nëse ata zgjedhin ashtu. Kam thënë në Këshillin e Sigurimit se këtë çështje sërish do ta diskutojmë. Por zoti Sadam Husein duhet ta kuptojë se do të çarmatoset, qoftë në njërën qoftë në mënyrën tjetër. Unë shpresoj që kjo të bëhet në mënyrë paqësore.

Radio Evropa e Lirë
Anëtarët e rinj të NATO-s janë vende të vogla. A mendoni se do të mund të japin ndonjë kontribut të rëndësishëm ushtarak?

G.W. Bush
Shpresoja që do të pyesni këtë gjë: nëse mendoj se mund t'i kontribuojnë aleancës. Kësaj pyetjeje do ti përgjigjem si vijon. Së pari do t'i përgjijem nga aspekti ushtarak. Unë besoj se ato mund të kontribuojnë mjaft, sepse kështu i kontribuojnë dashurisë së tyre për lirinë. Këto janë vende që kanë jetuar nën regjime totalitare. Ato nuk kanë qenë të lira. Tani ato e duan lirinë ashtu siç e do Amerika. Dhe e tërë kjo do të luajë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e NATO-s. Andaj mendoj se ato do të ndihmojnë ushtarakisht. Çështja kyçe është ndrzshimi i strategjisë ushtarake të NATO-s. Lordi Robertson këtë e kupton. Duhet të kuptojmë se Rusia nuk është armiku jonë. NATO-ja nuk duhet të sendërtohet për parandalimin e pushtimin e Evropës nga Traktati i Varshavës, sepse ky pakt nuk ekziston. Pakti i Varshavës, ngadalë por sigurt po bëhet NATO. Nuk na duhet ky lloj mentaliteti. Ne kemi strategji ushtarake që i adreson kërcënimet e vërteta: kërcënimet me të cilat përballemi janë sulmet globale terroriste. Dhe sa më shumë që e doni lirinë, ka më shumë gjasa të jeni i sulmuar. Prandaj neni 5 të cilit iu referuat fiton në peshë në këtë luftë kundër terrorit. Kjo është një luftë e ndryshme prandaj takimi do të jetë interesant meqë nuk do të jetë vetëm për zgjerimin, por edhe për të gjetur mënyrën më të mirë për të arritur qëllimin e përbashkët. Unë jam absolutisht i bindur se i ashtuquajturi hendek ushtarak midis Amerikës dhe vendeve të tjera, mund të ngushtohet me një strategji të mirë. Kjo do të jetë interesante për vëzhguesit dhe mendoj se do të ndodhë. E di se Lordi Robertson, i cili udhëheq NATO-n është i përkushutar për zhvillimin e një strategjie relevante që do të funksiononte.

Radio Evropa e Lirë
Presidenti Rus Vladimir Putin e ka barazuar luftën e tij në Çeçeni me luftën e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit. A jeni dakord me këtë krahasim, apo ende mendoni, siç keni thënë në fushatën tuaj parazgjedhore, se forcat ruse kryejnë veprime brutale kundër civilëve të pafajshëm çeçenë?

G.W. Bush
Mendoj dhe të paktën shpresoj se Rusia do të jetë në gjendje në mënyrë paqësore të zgjidhë çështjen e saj në Çeçeni. Kjo nuk do të thotë se Vladimir Putin nuk duhet të ndërmarë atë që duhet për të mbrojtur njerëzit e tij nga sulmet individuale terroriste. Kjo është një luftë e ndryshme nga ajo që ne përballemi. Ne luftojmë kundër njerëzve të fshehur nëpër shpella dhe në qoshe të botës, të cilët dërgojnë njerëzit në vetëvrasje.
Lufta jonë shpie në shkatërrimin e këtyre njerëzve, por çon edhe në zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore, duke respektuar të drejtat e pakicave brenda vendeve. Këtë e thashë gjatë fushatës dhe ja kam thënë edhe zotit Putin sa herë që e kam parë.

Radio Evropa e Lirë
A parashihni që Rusia ndonjëherë të mund të bëhet anëtare e barabartë e NATO-s?

G.W. Bush
Mendoj se partneriteti midis NATO-s dhe Rusisë do të jetë mjaft konstruktiv. Do të shohim, koha do tregojë. Çështja kyçe është që marrëdhëniet të jenë si duhet. Rusia duhet të kuptojë se zgjerimi i NATO-s në kufijtë e saj nuk është kërcënim për ardhmërinë e saj. Në fakt kjo e mundëson zhvillimin e saj në paqe. Nga Praga do të shkoj në Shën Petërsburg, për t'i dërguar mesazhin popullit rus se përkundër zgjerimit të NATO-s në zonat e ndjeshme si vendet balltike, ata nuk duhet të tremben nga zgjerimi. Ata duhet ta mirëpresin zgjerimin sepse do të fitojnë një fqinjësi që është shumë më paqësore.

Radio Evropa e Lirë
Azia Qendrore: shumë ekspertë thonë se regjimet autoritare po e mbajnë gjallë terrorizmin sepse njerëzit ndihen të pashpresë dhe të paaftë për të ndryshuar gjërat. A shihni ndonjë rrezik nga afrimi i Shteteve të Bashkuara me qeveritë e tilla?

G.W. Bush
Mendoj se sa herë që Shtetet e Bashkuara bëhen aleate me ndonjë qeveri, ne asnjëherë nuk i harrojmë bazat e egzistencës sonë. Këto janë liria dhe kushtet njerëzore për të gjithë. Çdo jetë është e rëndësishme për ne. Sipas meje sa më shumë vende bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara, aq më tepër ato punojnë në përmirësimin e kushteve njerëzore. Kjo është një nga gjërat tona më të rëndësishme, ne gjithmonë e përqafojmë lirinë. Me këtë lidhet një nga shqetësimet e mia pë Irakun. Në Irak ka njerëz që torturohen në mënyrë brutale dhe kjo vetëm për të mbajtur në pushtet një person. Dhe unë shqetësohem për ata që vuajnë. Kauza e Shteteve të Bashkuara është liria. Dhe unë them liria nuk është dhuratë e Amerikës për botën, atë e ka dhënë Zoti. Çdokush është i rëndësishëm. Bazuar pikërisht në këtë frymë të njohjes së vlerave të lirisë, mendoj se ne do të ndihmojmë të përmirësojmë jetën e njerëzve, pavarësisht se ku janë ata. Edhe ju keni të drejtë. Janë disa udhëheqës me të cilët duhet punuar dhe ne jemi të përgatitur të punojmë me ta. Por më duhet t'ju them se varfëria ndikon që terrorizmi global të rekrutojë njerëz. Ndoshta është një mënzrë e tyre për të rekrutuar njerëz, por nuk i krijon varfëria vrasësit dhe ky është një dallim i rëndësishëm që duhet bërë. Disa nga këta terroristë globalë janë të pasur financiarisht, por e kanë shpirtin e varfër. Ata nuk e çmojnë jetën e njeriut. Pohojnë se janë besimtarë ndërsa vrasin në emër të fesë. Ata vetëm vrasin. Dhe ne do t'i kapim para se ata të na kapin. Prandaj, kjo është ajo që bota duhet të dijë për Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë
Osama bin Laden si duket ende është gjallë...

G.W. Bush
Mund të jetë...

Radio Evropa e Lirë
...A jeni të shqetësuar se ai mund të planifikojë një sulm tjetër të madh kundër Shteteve të Bashkuara?

G.W. Bush
Qoftë ai apo dikusht tjetër, ata planifikojnë sulme dhe këtu nuk ka dyshime. Prandaj ne duhet ta zëmë atë. Por çështja nuk është vetëm tek njëri. Terroristët që i luftojmë janë një grup fanatikësh, që e urrejnë Amerikën për principet e saj, sepse ne e duam lirinë. Prandaj do të ndjekim dhe do t'i shpartallojmë. Por për të arritur këtë duhet ca kohë. Detyra ime është t'i përkujtoj njerëzve se kërcënimet, me të cilat përballemi, kanë mbështetje në fakte, dhe ne duhet t'i gjejmë këta vrasës. Nuk ka shpellë që mund t'i fshehë ata nga drejtësia amerikane dhe e miqve tanë. Në fjalimin që do të mbaj në Pragë, do të përkujtoj se ekziston një koalicion i gatshëm për të shtypur terrorin. Jemi 90 vende, 90 popuj të ndryshëm, të bashkuar që këta njerëz t'i nxjerrim para drejtësisë. Dhe do t'ia dalim. Nuk ka asnjë dyshim se do t'ia arrijmë këtij qëllimi.



Intervistoi: Jeffrey Donovan


XS
SM
MD
LG