Ndërlidhjet

UASHINGTON POST: Iraku ka përfituar nga përvoja jugosllave


Ndërsa administrata Bush po përgatitet për sulme të mundshme ushtarake kundër Irakut, gjithnjë e më shumë po shfaqet shqetësimi se Bagdadi ka mësuar nga përvoja e Jugosllavisë gjatë sulmeve ushtarake të NATO-s në vitin 1999, shkruan e përditshmja amerikane Uashington Post.
Gazeta citon ish-komandantin e NATO-s në atë kohë, Wesli Klark, të thotë se ky shqetësim është legjitim dhe serioz. NATO-ja gjatë sulmeve mbi Jugosllavinë shkatërroi një pjesë të infrastrukturës dhe ndërtesave qeveritare në Jugosllavi, por nuk dëmtoi shumë aftësitë ushtarake të Beogradit në Kosovë.
Ndërkaq ish-presidenti Jugosllav Sllobodan Millosheviç ka bashkëpunuar ngushtë me regjimin e Sadam Huseinit. Ekspertët serbë kanë ndihmuar përmirësimin e sistemit të mbrojtjes ajrore të Irakut, bazuar në përvojën e luftës së Kosovës. Ambasada amerikane në Beograd ka pranuar faktin se një grup ekspertësh amerikanë gjenden në Jugosllavi për të parë se çfarë ndihme konkrete i është dhënë Sadamit. Më tej gazeta shkruan se gjenerali i luftës së Kosovës, Wesli Klark, identifikon disa rrugë nga përvoja e luftës në Jugosllavi, të cilat mund të jenë të vlefshme për Irakun. Më e rëndësishmja nënvizon Klark është aftësia e mbrojtjes ajrore jugosllave për të mashtruar pajisjet elektronike të NATO-s duke përdorur frekuenca të ndryshme të radarëve. NATO-ja e fitoi luftën në qershorin e 99’s çka solli tërheqjen e trupave të Millosheviçit nga Kosova. Menjëherë ekipet nga Iraku mbërritën në Jugosllavi për ta parë nga brenda luftën më të fundit. Duket se kjo ka dhënë rezultatet e veta dhe një nga treguesit është rritja e agresivitetit të mbrojtjes irakene në zonat e ndalim-fluturimit. E njëjta gazetë duke cituar Klarkun shkruan se Iraku ka përfituar nga përvoja jugosllave ndaj nuk duhet të jemi të çuditur nëse i gjejmë forcat irakene nëpër xhami, shkolla apo shtëpi. Taktikat në luftën e mundshme kundër Irakut duhet të jenë të tilla që të nxjerrin mësime nga përvoja jonë në Kosovë, përfundon shkrimi i Uashington Post.
NATO në shekullin e ri është titulli i analizës së botuar sot në të përditshmen amerikane Nju Jork Tajms, i cili përqëndrohet në takimin e Pragës. Në këtë të fundit shkruan gazeta pritet të pranohen 7 vende të reja anëtare nga Evropa Qëndrore dhe Lindore. Në mesin e tyre janë tre vendet balltike, si dhe Bullgaria, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia. Duket se pas 11 shtatorit Rusia i hoqi pengesat që sillte lidhur me zgjerimin e NATO-s në kufijtë e saj. Megjithatë të tjera çështje përveç anëtarëve të rinj do të jenë më të diskutueshme gjatë samitit të Pragës mes presidentit Bush dhe udhëheqësve të tjerë. Një prej tyre është dhe dështimi i anëtarëve evropianë të NATO-s, me përjashtim të Britanisë për të investuar në përmirësimin e teknologjisë ushtarake. Dallimet në këtë pikë mes Amerikës dhe vendeve evropiane dolën në pah veçanërisht gjatë fushatave në Bosnje dhe Kosovë. Kjo ka bërë që Uashingtoni të ndërmarrë fushata ushtarake vetëm ose me pak aleatë, siç ishte rasti i Afganistanit, ku ndihma e NATO-s në pjesën më të madhe nuk u pranua. Tani në mënyrë të mençur presidenti Bush po kërkon krijimin e një force të veprimit të shpejtë brenda NATO-s për të mënjanuar dallimin në teknologji. Por megjithatë Evropës i mbetet të modernizojë sa më shpejt forcën e saj ushtarake pasi një aleancë që nuk lufton dot së bashku, në rastin më të mirë ka një të ardhme të pasigurt, përfundon shkrimi i Nju Jork Tajms.
XS
SM
MD
LG