Ndërlidhjet

Zbigniev Bzhëzhinski: Premtimi i dhënë në Kartën e Atlantikut në ditët më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, është tashmë një realitet.


Hapjes së samitit të Aleancës së Atlantikut Verior i parapriu konferenca “Transformimi i NATO-s”.
Në konferencën e organizuar nga Instituti Aspen me qendër në Berlin, një sërë personalitetesh në fushën e mbrojtjes dhe politikës trajtuan sfidat dhe mënyrat e zgjidhjes së problemeve me të cilat Aleanca Veri-Atlantike po përballet.
Eksperti amerikan, Zbigniev Bzhezhinski, ish këshilltar për çështjet e sigurisë dhe tani kreu i Qendrës për Studime Strategjike, ka cilësuar takimin e Pragës, para së gjithash një moment festiv. Disa dhjetra miliona Evropianë nga Balltiku në Detin e Zi do të bëhen anëtarë të bashkësisë veriatlantike. Për Bzhëzhinskin, premtimi i dhënë në Kartën e Atlantikut në ditët më të errëta të Luftës së Dytë Botëerore, është tashmë një realitet.
Megjithatë festimi është vetëm njëra anë, pasi është koha e përcaktimit të rolit të ardhshëm të NATO-s.
Dhe sipas ish këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, janë 6 përparësi që NATO-ja duhet t’i përfshijë për një rol të ri të saj.
“NATO-ja duhet të transformohet nga një aleancë mbrojtëse e palëvizshme në zemër të Evropës, në një forcë fleksibël dhe të veprimit të shpejtë në zona që mund të jenë anësore gjeografikisht për Evropën, por të rëndësishme nga këndvështrimi strategjik. Këto i përmbush fare mirë forca e propozuar, e cila shpresojmë se do të vihet në jetë pas pak kohësh”, tha Bzhëzhinski.
Për këtë të fundit, përfshirja e NATO-s në misionet që kanë miratimin e Këshillit të Sigurimit, edhe të natyrave të tilla si Iraku apo Lindja e Mesme, është mëse e përligjur.
“NATO-ja duhet të jetë gati të marrë pjesë në misionet për zbatimin e rezolutave të Kombeve të Bashkuara, si janë ato të cilat lidhen me kërcënimin që paraqesin armët e shkatërrimit në masë në zona strategjike. Dhe kjo përfshin edhe çështjen e Irakut që po diskutohet tani, për të cilën bashkësia ndërkombëtare ka folur me një zë”, sqaroi Bzhezhinski.
Ndërkaq për ish kreun e Komitetit Ushtarak të Aleancës Veriatlantike, Klaus Nauman, NATO-ja duhet të përcjellë dy mesazhe nga ky samit: “Së pari ndarja e Evropës ka përfunduar. Evropa, demokracitë amerikano veriore dhe Rusia po punojnë së bashku për të krijuar paqe, përparim dhe demokraci.
Së dyti NATO-ja duhet të përdorë përparësitë e kësaj zone të qëndrueshme, ta zgjerojë atë dhe t’i japë një përgjigje globale kërcënimeve të cilat tashmë janë gjithashtu globale. Ky është rezultat i procesit transformues, që nisi më 1989”.
Duke folur pikërisht për terrorizmin dhe faktin se ai kërcënon te gjitha vendet e përparuara, Bzhezhinski shtoi se kërcënimi nga terrorizmi, i cili është dhënë qartë nga presidenti Bush, mund të tejkalohet nëse terroristët dhe burimet e tyre identifikohen saktësisht dhe trajtohen si ushtarakisht edhe politikisht.
‘Për këtë, bashkimi mes Amerikës dhe Evropës është i nevojshëm dhe është pikërisht NATO-ja që bën lidhjen thelbësore mes Evropës dhe Amerikës”, u shpreh ish-zyrtari i lartë amerikan.
Analiza e Bzhëzhinskit, ilustronte më së qarti ambiguitetin e qëndrimit ndaj Rusisë:‘NATO duhet ta inkurajojë evoluimin e Rusisë në një shtet që përkrah vlerat demokratike, përmes forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit specifik NATO-Rusi, por pa hequr dorë nga kritikat kundër mizorive të Rusisë në Çeçeni, çka e diskrediton aspiratën e Rusisë për t’u paraqitur si një shtet demokratik evropian përmes përdorimit të metodave që nuk janë në përputhje me normat e sjelljes së NATOs’.
Kurse presidenti çek Vacllav Havel, ritheksoi nevojën e përcaktimit të qartë të zgjerimit të NATO-s, në mënyrë që ky proces të mos ja humbasë kuptimin Aleancës. Duke iu kundërvënë integrimit të Rusisë në NATO, Havel arsyetoi se ‘…një pjesë e madhe e Rusisë shtrihet në Evropë, mirëpo ajo paraqet më së shumti një fuqi të madhe Euro-Aziatike, me një karakter kaq të pazakontë, saqë anëtarësimi në NATO nuk do të kishte asnjë kuptim. I tillë anëtarësim do të rezultonte vetëm me bjerrjen e shpejtë dhe të thellë të fuqisë së të dyja palëve’.
Në konferencën e organizuar nga Aspen, merrnin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATOs, Xhorxh Robertson, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Ollbrajt, ish-kryeministri suedez, Karl Billd dhe ish-ministri i jashtëm i Polonisë, Bronisllav Geremek.

XS
SM
MD
LG