Ndërlidhjet

FQINJËT E IRAKUT TË GATSHËM PËR TË MBËSHTETUR LUFTËN


NEW YORK TIMES

Shumica e fqinjëve të Irakut duken të përgatitur për të mbështetur një fushatë ushtarake amerikane për përmbysjen e Sadam Huseinit. Por mbështetja e tyre varet nga disa faktorë politikë dhe ushtarakë.
Për t’ju shmangur reagimit të ashpër të opinionit të tyre, liderët arabë kanë parashtruar disa kushte për aksionin e mundshëm ushtarak. Ata thonë se ai duhet ndërmarrë si mënyrë për zbatimin e kërkesave të Kombeve të Bashkuara për çarmatimin e Irakut, e jo si përpjekje e njëanshme amerikane për ripërkufizimin e hartës gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Fqinjët e Irakut gjithashtu kërkojnë garanca se Uashingtoni është i gatshëm të japë zotime ekonomike dhe ushtarake për të parandaluar copëtimin e vendit përgjatë linjave etnike, dhe zhytjen e tij në një luftë civile pas largimit të presidentit Hussein.
Ata gjithashtu duan të jenë të sigurt se fushata ushtarake amerikane do të jetë e shkurtër dhe me viktima të pakta në rradhët e civilëve.
Por megjithatë, për Uashingtonin do të jetë vështirë t’i bindë fqinjët e Irakut se egziston një shkak i mjaftueshëm për luftë, e sidomos nëse Bagdadi nuk ndërhyn në punën e inspektorëve të armëve, dhe nëse ata nuk zbulojnë ndonjë dëshmi të qartë të shkeljeve nga ana e Irakut.
Nga ana tjetër administrata e Bushit përpiqet t’i sigurojë aleatët nervozë se konflikti nuk do të zgjatë shumë ndërsa Shtetet e Bashkuara do të mbeten atje për të rindërtuar Irakun.
Aleati më besnik i Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik është Kuvajti, liderët e të cilit ende janë të hidhëruar nga pushtimi që Iraku i bëri në vitin 1990. Disa kritikë pohojnë se rrëzimi i Sadam Huseinit do ta fuste rajonin në kaos, por ministri i jashtëm i Kuvajtit, Muhamad Al Sabah, ka thënë se Iraku edhe ashtu është i përçarë ndërmjet enklavës autonome të kurdëve në veri, popullatës kryengritëse shiite në jug, dhe rajonit qëndror ku qeveria e ushtron pushtetin.
Zyrtarët në Bahrain do të ishin të lumtur nëse shmangej lufta ndërkohë që më në jug, Katari ka vendosur të mbajë lidhje të afërta me Uashingtonin.
Njëri nga vendet kyçe është Arabia Saudite. Bashkëpunimi i Saudisë do të kishte rëndësi të madhe politike për sinjalin që do t’u dërgonte vendeve të tjera në rajon, ndërsa rëndësia ushtarake është e pamohueshme. Vendosja e forcave amerikane do të ishte më e lehtë nëse ato zbarkonin në portet lindore të Arabisë Saudite, për të vazhduar në zonat veriore drejt Kuvajtit. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë një komandë qëndrore ajrore në afërsi të Riadit, të cilën do të dëshironin ta shfrytëzojnë në fushatën ajrore kundër Irakut.
Shumica e njerëzve brenda dhe jashtë Arabisë Saudite besojnë se ky vend, në rast lufte, megjithatë do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara. Refuzimi do të ishte keqësim serioz i marrëdhënieve amerikano-saudite, që kësaj mbretërie, për gjashtë dekada me rradhë i mundësuan mbrojtje dhe prestigj në botën arabe.
Pentagoni dëshiron që të shfrytëzojë edhe bazat ajrore në Turqi, kurse zyrtarët e administratës kanë lënë të kuptohet se gjithashtu shohin edhe një rol për ushtrinë turke.
Në këtë drejtim mund të shihet edhe vizita e zëvendës sekretarit të mbrojtjes Pol Volfovitz që të martën e bën në Ankara.






XS
SM
MD
LG