Ndërlidhjet

MOORE:"NATO NUK DO TË LARGOHET NGA BALLKANI"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Bashkimi Evropian ka ofruar marrjen përsipër të misionit paqeruajtës në Bosnje dhe Maqedonoi nga trupat e NATO-s? Çfarë do të thotë kjo lëvizje për Ballkanin?

PATRIK MOORE
Nuk mendoj se do të thotë shumë. Së pari e dimë se SFOR-i është reduktuar rregullisht në numrin e trupave që e përbëjnë, që nga koha kur u krijua në vitin 1996, si rezultat i marrëveshjes paqësore të Dejtonit. Rjedhimisht edhe nëse lidershipi i këtij misioni do t’i kalojë Bashkimit Evropian, amerikanët do të vazhdojnë të kenë një prani sigurie në Bosnjë, thjesht për faktin se duan të vëzhgojnë ndonjë lëvizje, apo lidhje të grupeve terroriste dhe muxhahedinëve. Kjo nuk do të thotë se NATO apo Shtetet e Bashkuara do të largohen nga Ballkani. Dihet që Bashkimi Evropian ka dashur të marrë mbi vete një mision për të treguar që mund të menaxhojë problemet që lidhen me sigurinë në Evropën juglindore. Ata planifikuan të bënin këtë me Maqedoninë vitin e kaluar, por ky projekt nuk arriti të zbatohet. Së pari, sepse Bashkimi Evropian nuk arriti të organizojë veten mirë dhe të merret vesh për financimin, si dhe për shkak të kundërshtimit nga ana e Greqisë dhe Turqisë të përdorimit të pajisjeve ushtarake të NATO-s për Bashkimin Evropian. Kohët e fundit kemi vënë re se prania e forcave paqeruajtëse në Maqedoni do të shkurtohet edhe më shumë. Pra në thelb nuk do të ketë ndonjë mision shumë të zgjëruar për ndërkombëtarët sa i përket ruajtjes së sigurisë në Maqedoni. Nëse Bashkimi Evropian mund të bashkohet dhe të tregojë veten, atëhere Bosnja është hapësira ku mund të realizojë këtë qëllim.

EVROPA E LIRË
Zoti Moore, Bashkimi Evropian nuk e përmendi Kosovën. Ka ndonjë ndryshim midis Kosovës dhe Bosnjes apo Maqedonisë?

PATRIK MOORE
Është e qartë se ajo që ka kërkuar Bashkimi Evropian është një mision i parë që të provojë veten si një organizues dhe forcues i sigurisë. Prandaj Maqedonia ishte zgjedhja e parë dhe tani Bosnja është zgjedhja e dytë. Po pse nuk e marrin mbi vete edhe barrën e Kosovës? Mendoj se nuk duan asgjë që ngërthen shumë probleme në vetvete. Situata në Kosovë është potencialisht shumë më e rrezikshme, sesa në dy shtetet e tjera, dhe mendoj se arsyeja kyresore është se statusi i Kosovës mbetet ende i paqartë. Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare nuk kanë treguar asnjë interes që të ecin përpara me çështjen e statusit, prandaj mendoj se e kanë kuptuar se nëse do merrnin misionin në Kosovë, kjo do të përbënte një problem shumë më të madh nga mundësitë e tyre për ta përballuar. Maqedonia dhe Bosnja ishin misione dukshëm më të thjeshta. Mund ta krahasoj me një fëmijë që mëson si të ngasë biçikletën. Ai ose duhet të ketë dikë që e ndihmon, ose duhet të përdorë biçikletë të veçantë për stërvitje në fillim. Mendoj se kjo është ajo që po kërkon Bashkimi Evropian. Marrja mbi vete e Kosovës nga ana e tyre do të ishte njëlloj sikur fëmiu të ngiste një biçiklete për të rriturit në një rrugë me shumë trafik.

EVROPA E LIRË
Zoti Moore, qeveria e Kosovës ka thënë në një deklaratë të saj më 11 dhjetor se preambula e kartës kushtetuese të shtetit të ri të Serbisë dhe Malit të Zi bën një “provokacion të rëndë kundër paqes”, sepse në të Kosova referohet si pjesë e Serbisë. Cili është komenti juaj?

PATRIK MOORE
Le të shikojmë se çfarë thuhet saktësisht në këtë preambulë. Aty përmendet që Kosova është pjesë e Serbisë, por në këtë preambulë ka edhe një shtesë ku thuhet se Kosova ndodhet aktualisht nën administrimin ndërkombëtar në bazë të rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit. Kjo është shumë më e ndryshme nga thënia që kishin përmendur më parë, që Kosova është pjesë e Serbisë. Ata mund të kishin shtuar edhe diçka si për shembull që mbetet pjesë e Serbisë ose dicka të tillë. Prandaj varianti i tanishëm nuk është gjuha më e keqe që serbët mund të kishin përdorur. Dhe dyshoj se ishte kërkesa minimale e kërkuar nga njerëzit e Koshtunicës që të mund të binin dakort me këtë kartë kushtetuese, e cila ka patur edhe çështje të tjera problematike përveç Kosovës. Sigurisht që çdo përmendje e Kosovës në kartën kushtetuese të Serbisë dhe Malit të Zi është një provokim i rëndë kundër paqes, dhe të gjithë, përfshirë njerëzit e Bashkimit Evropian, që e kanë formuluar këtë kartë kushtetuese duhet ta dinë këtë fakt. Por, mendoj se ajo që shohim këtu është minimumi i nevojshëm që njerëzve, të cilët e hartuan këtë dokument u duhej për t’ua shitur njerëzve të Koshtunicës, dhe siç e thashë mund të kishte qenë edhe shumë më keq.
XS
SM
MD
LG