Ndërlidhjet

MOORE:"SERBIA NUK KA ASNJË TË DREJTË TË NDËRHYJË NË kOSOVË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


* EVROPA E LIRË
* Zoti Mur, në Kosovë aktualisht është duke u zhilluar debat rreth kërkesës së Shtjanerit "fillimisht standardet – pastaj statusi". Si e komentoni ju këtë çështje?

* PATRIK MOORE
Komentet e zotit Shtajner reflektojnë faktin se ka patur një ndërgjegjësim në rritje në vendet perëndimore, përfshirë këtu dhe Shtetet e Bashkuara, se çështja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhet tani, më mirë herët se vonë. Ka zëra që vijnë nga të dy anët e Atlantikut, që thonë se çështja e statusit duhet të trajtohet, dhe këto janë personalitete publike në poste qeveritare që një vit më parë nuk donin as të dëgjonin për çështjen e statusit. Mendoj se më në fund kanë arritur të kuptojnë vlerën e argumentit që disa nga ne e kanë theksuar prej shumë vitesh që do të ketë mungesë stabiliteti për sa kohë që statusi i Kosovës të mbetet i paqartë. Nëse doni stabilitet, nëse doni të kontrolloni krimin dhe problemet e tjera duhet të qartësoni statusin. Ky argument i përsëritur mjaf herë duket se më në fund u është futur në mendje disa njerëzve. Zoti Shtajner e di që kosovarët kanë dijeni se çështja e statusit po trajtohet mjaft shpesh në Perëndim dhe ai do t’ju kujtojë kosovarëve nëpërmjet fjalëve të tij, se nuk do të marrin pavarësinë si një dhuratë në një pjatë të argjendtë, por duhet të arrijnë më parë disa standarde. Prandaj ai po përpiqet t’u tregojë se edhe nëse dëgjojnë të huajt të flasin për statusin, nuk do të thotë se do t’u jepet si dhuratë. Kosovarët duhet të luftojnë për këtë.

* EVROPA E LIRË
* Zoti Mur, tash tri vjet Kosova ballafaqohet me mungesë të energjiës elektrike. Parlamenti këto ditë hapi debatin rreth kësaj çështje, por nga UNMIK-u janë dëgjuar zëra që thonë se Parlamenti vetëm mund të ftoj qytetarët të paguajnë dhe të kursejnë rrymën. Nëse Parlamenti nuk është përgjegjës, atëherë kush është përgjegjës për mungesë të rrymës dhe jo vetëm për këtë?

* PATRIK MOORE
Siç e shihni në njërën anë të huajt flasin për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për arritjen e një tranzicioni - integrimi në institucionet euro-atlantike, por shpesh herë i trajtojnë njerëzit e rajonit si fëmijë. Nëse nuk u japin njerëzve mundësinë që të venë në zbatim përgjegjësitë e tyre, nuk duhet të befasohen që këta njerëz do vazhdojnë të sillen si fëmijë. Mundem të kuptoj kur UNMIK-u thotë se nuk është përgjegjësi e Parlamentit që të diskutojë kufijtë apo marrëveshjet ndërkombëtare. Mendoj se do vijë koha kur do t’u duhet t’ua kalojnë këto përgjegjësi Parlamentit. Megjithatë nuk arrij të kuptoj pse zoti Dole nuk mund të mbante një post krejtësisht nderi të një përfaqësuesi jo zyrtar të Kosovës në Shtetet e Bashkuara. Ky nuk do ishte një aktivitet zyrtar shtetëror. Kaq sa i përket çështjeve të marrëdhënieve me jashtë. Tani mendoj se nëse çështjet e sigurisë dhe të marrëdhënieve me jashtë nuk përfshihen në kompetencat e Parlamentit, atëherë nuk duhet të ketë kontradikta apo kundërshtime nëse Parlamenti merret me çështje të karakterit të brendshëm dhe çështja e energjisë elektrike më duket si një problem krejtësisht i brendshëm. Pra nëse UNMIK-u merr përsipër përgjegjësitë për një gjë apo një tjetër dhe pastaj u thotë kosovarëve se duhet të përmbushin disa kritere, si do ta realizojnë këtë gjë kosovarët kur nuk u jepet as mundësia më e vogël që të merren me punët e tyre, qoftë dhe për gjëra tepër thelbësore si të kenë drita dhe ngrohje në apartamentet e tyre?

* EVROPA E LIRË
* Zoti Mur, disa analistë thonë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të filloj vitin e ardhshëm. Cili është mendimi i juaj?

* PATRIK MOORE
Serbia e ka humbur luftën dhe nuk ka më as të drejtë ligjore, as të drejtë morale, të ndërhyjë në Kosovë dhe kjo tashmë është çështje vetëm midis kosovarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Ka patur zëra të ngritur në mënyrë të përsëritur se Beogradit duhet t’i jepet një farë roli, dialogu, bashkëkoordinim, të paktën për të evituar që serbët në Mitrovicë dhe në enklavat e tjera të kenë shumë frikë dhe pasiguri. Mendoj se gjëja më e mirë për pakicën serbe në Kosovë dhe për njerëzit në Serbi, është që problemet reale të të cilëve janë varfëria, krimi dhe mungesa e stabilitetit politik, dhe jo çështjet irredentiste, gjëja më e mirë për të gjithë të interesuarit është që të bëhet e qartë se nuk ka më lidhje mes Serbisë dhe Kosovës, se Kosova administrohet nga njerëzit e vet, dhe nga ndërkombëtarët, ndërsa Serbia të trajtoi problemet e veta të brendshme. Askush nuk i tregoi Gjermanisë perëndimore pas krijimit të saj në vitin 1949 se duhet të luajë një rol për minoritetet gjermane në Evropën lindore dhe mendoj se e njëjta gjë vlen edhe këtu. Serbia e humbi luftën dhe bashkë me të humbi çdo të drejtë për t’u marrë me Kosovën dhe tani kjo është çështje që u përket vetëm njerëzve që banojnë në Kosovë dhe komunitetit ndërkombëtar. Serbia ka probleme të tjera me të cilat duhet të merret.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG