Ndërlidhjet

KOSOVA DHE AKULTURIMI


Bekim BISLIMI

Gjatë dekadës së kaluar në Kosovë, si pasojë e mungesës së institucioneve të kulturës dhe strategjisë së organizimit të mirëfilltë të jetës kulturore, themelet e të cilës ishin dhunuar nga regjimi i asaj kohe, ishte krijuar hapësirë e mjaftueshme që fenomeni i akulturimit të zërë fillin dhe të zhvillohet në vazhdimësi. Ndërkaq sipas kritikëve të artit dhe kulturës në Kosovë, fenomeni i akulturimit është i pranishëm edhe tani dhe ai vazhdimisht është duke i sulmuar vlerat e mirëfillta kulturore. Depërtimi i jovlerave në art dhe kulturë, si dhe konsumimi i tyre nga auditoriumi i gjerë, ka shkaktuar të keqen e shijes së tij, duke krijuar “çerdhen”, siç e quajnë kritikët, për sindromin e akulturimit. Regjisori Fadil Hysaj, thekson se edhe pas luftës institucionet përgjegjëse të kulturës në Kosovë, nuk kanë patur qasje të duhur për kultivimin e vlerave dhe kjo ka shkuar në favor të zhvillimit të akulturimit.
“Periudha pas luftës, qasja që i është bërë kulturës ka qenë me të vërtetë qasje akulturuese. Nuk kemi patur ndonjë kuadër autoritativ që është marrë me çështjet e kulturës, nuk kemi patur ndonjë buxhet të mirëfilltë që do t’i përcillte së paku këto pjesë më vitale të kulturës, që egzistojnë në formë buxhetore, dhe natyrisht u është dhënë hapësirë këtyre proceseve të tjera akulturuese ose pranisë së shundit dhe kiçit”, thotë Fadil Hysaj.

Ndërkaq shkrimtari Adem Gashi, thekson se efektet e akulturimit janë evidente:
“Tash kjo i ngjan shumë elementit të stihisë. Në mënyrë stihike botohen libra, mbahen koncerte, nxirren kompakt-disqe të muzikës së të gjitha zhanreve, bëhen dhe shfaqje teatrore dhe të gjitha këto mbeten në mëshirën e pamëshirës”, thotë ai.
Ndërkaq zoti Hysaj thekson:
“Kjo u përngjan arave, që nuk janë mbjellë për një kohë të gjatë dhe janë kthyer në toka djerrë, ku ka mbirë gjithshka; lloj - lloj bimësh kanë filluar të mbijnë aty si bimë të egëra dhe të liga. Është e vështirë që të njëjtën tokë ta kultivosh përsëri me farën e mirë. Në kulturë kanë hyrë vlera dhe jovlera, janë ngatërruar shumë, sa sot është e vështirë të bëhet diçka dhe të mos jetë e atakuar, apo e rrezikuar prej jovlerës,” thotë zoti Hysaj.
Zoti Gashi thekson se produkti i akulturimit është i pranishëm që nga dhjetëvjetëshi i kaluar dhe “larvat e tij”, siç i quan ai, janë shumëzuar. Ndërkaq sipas tij tani është prezent edhe fenomeni i marrjes nga bota të materies së ashtuquajtur artistike në mënyrë joselektive:
“Është bërë sllogan te bota shqiptare, edhe në politikë, edhe në art, edhe në shkencë, edhe në kulturë, gjithkund, të thuhet që do shkojmë në Evropë, kemi aspiratë Evropën. Por harrojmë
se edhe nga ajo Evropë vijnë kështu lloj larvash e virusesh, me të cilat ata vetë janë ballafaquar, sa e sa kohë para nesh dhe ne mendojmë se do t’i marrim ato mbetjet, gjë që është shumë tragjike dhe e dhimbshme, mbetjet e pikërisht atyre larvave, duke i pandehur se janë kulturë”, shprehet zoti Gashi.
Zërat e kritikës lidhur me fenomenin e akulturimit janë të paktë. Zoti Gashi thotë:
“Mungesa e kritikës lë hapësirë boshe dhe sigurisht më pretenciozët e pushtojnë dhe bëjnë një ngarkesë të panevojshme, një trysni te njerëzit që e 'konsumojnë' vlerën kulturore artistike”.
Zoti Hysaj thekson se edhe kritikët, ndonëse të rrallë paralizohen:
“Duke u paraqitur shpesh edhe me çështje kritike, edhe ata si të tillë janë shpenzuar dhe nuk merren më seriozisht mendimet e tyre. Duke qenë të vetmuar ata rrezikojnë që edhe kur kanë të drejtë, mendimet e tyre mund të mos përfillen”.
Sidoqoftë kritikët thonë se arti dhe kultura janë nderi i një kombi, ndërsa humbja e tyre e dënon atë me vdekje.

XS
SM
MD
LG