Ndërlidhjet

Newsweek: Loja me Kosovën


Zemërimi i nacionalistëve serbë të cilët dogjën ambasadën amerikane në Beograd mund të kuptohet lehtë, meqë nuk duan të heqin dorë nga ajo farë ata e shohin si gurthemel të identitetit të tyre kombëtar. Por pse është Rusia kaq e interesuar për Kosovën?

Shumë përgjigje janë ndërlidhur me precedentin që Kosova paraqet për popullatat secesioniste përgjaë ish Bashkimit Sovjetik – çeçenët në Rusi, abkhazët dhe osetët në Gjeorgji dhe separatistët në Moldavi.

Megjithatë, arsyeja e vërtetë e kokëfortësisë së presidentit rus, Vladimir Putin, ka të bëjë me faktin se ai e sheh Serbinë si copëzën e fundit të ish Jugosllavisë nën sferën e ndikimit rus.

Në këtë kuadër, kundërshtimet e fundit të Rusisë pasqyrojnë vetëm kalkulime të kthjellta gjeostrategjike. Sovjetikët dikur e kanë parë hartën e Evropës si tabllo shahu dhe deri diku, Kremlini edhe sot e sheh si të tillë. Dhe që prej vitit 1989, me shembjen e regjimeve komuniste, loja e shahut për Rusinë ka marrë kahje të shëmtuar, të përcjellur me një ndjenë të thellë poshtërimi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë më 1999, rusët u turpëruan nga shkujdesi, ndërkohë që NATO-ja ushtronte fuqinë e saj në atë që njihet si oborri i Moskës. Që prej atëherë, Rusia e Putinit është bërë më pak demokratike nga brenda dhe më agresive nga jashtë.

Me rritjen e anëtarësimit në NATO dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian duke përfshirë edhe vendet e Evropës Lindore sikur që është Sllovenia, rusët filluan të përgjigjen duke sforcuar nacionalizmin e tyre. Dhe vendi më i mirë për ta mbrojtur në mënyrë më agresive nderin rus ishte Kosova!

Nacionalizmi serb, dikur i pakontrolluar nga Perandoria Otomane, ishte arsye festimi për carët rusë të shekullit të 19-të; sot ndërkaq, ky nacionalizëm, është një dorë e shtrirë për Rusinë, në përpjekjet për të ushtruar trysninë e saj në Perëndim.

Me flakët që përfshinë Ballkanin javën që shkoi, ishte e lehtë për secilin të shpërqëndrohej nga drama mbi shtetësinë e re të Kosovës dhe të debatojë për precendentin që pavarësia e saj mund të paraqesë. Por, çështja më e rëndësishme është nëse Rusia dhe miqtë e saj në Serbi, mund të pajtohen me kushtet e një bote të re moderne, të kufizuar jo vetëm nga kufijtë e vjetër dhe lojërat gjeostrategjike të shahut, por edhe nga liritë e njeriout dhe mundësitë e reja.

XS
SM
MD
LG