Ndërlidhjet

Kejsi: “Kosova kurrë më pjesë e Serbisë”


INFOPRESS
Institucionet e Kosovës së paku nuk mund të menaxhojnë me vizitën e zyrtarëve të shteteve të cilët vijnë në Kosovë, apo thënë më mirë, për asnjë moment as nuk pyeten lidhur me këto vizita. Edhe më alarmante bëhet situata kur kihet parasysh se vetëm një javë pas shpalljes së pavarësisë në shtetin tonë vjen për vizitë ministri i një shteti, i cili me çdo kusht tenton të destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë, duke përdorur si instrument qytetarët serbë, të cilët jetojnë në Kosovë. Dhe nuk ka se si të quhet garancion nga ana e UNMIK-ut, premtimi i Samarxhiqit, përkatësisht kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, mbajti një fjalim në qendër të Beogradit, i cili ishte sinonim i kohës së Millosheviqit...

LAJM
Dërgimi i policëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës në qytetet e Serbisë, për ruajtjen e rendit gjatë protestave të serbëve kundër pavarësisë së Kosovës, veç tyre, ka shqetësuar edhe përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Luginës. Brenda stacionit të policisë në Preshevë, ka gati një javë që policët lokalë shqiptarë po dërgohen për kryerjen e kujdestarisë gjatë natës, në Vranjë. Kjo dukuri ka ngjallur shqetësime edhe tek përfaqësuesit politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët e kundërshtojnë dërgimin e policëve lokalë shqiptarë për të ruajtur rendin dhe qetësinë nëpër qytetet serbe...

NACIONAL
Ende pa u mbushur mirë një javë jetë e Republikës së Kosovës, ende pa përfunduar festa e shpalljes së pavarësisë së saj, ndodhi diçka e shumëpritur. U legalizua “ndarja e Mitrovicës”! Sigurisht që një gjë e tillë është ditur që më parë. Por, të gjithë kanë heshtur dhe nuk kanë dashur të pranojnë këtë. Kësaj i parapriu moslejimi i shkuarjes në punë të punëtorëve të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, ditë më parë, ndërkaq kurorëzimin e mori me vendimin e shefit të EULEX-it, Piter Feith, i cili e dha urdhrin për tërheqjen e misionit të BE-së nga veriu i Kosovës...

KOSOVA SOT
Serbët të inkurajuar nga deklaratat dhunë-nxitëse të udhëheqësve politikë të Beogradit po vazhdojnë aktet vandale në kufirin e republikës së Kosovës me Serbinë. Incidenti i radhës, i shënuar në pikën kufitare, në pjesën e Medvegjës, ka shtuar tensione mes dy vendeve. Ndërsa numri i protestuesve në veri ka shënuar rënie, vërehet një përpjekje e serbëve të dëshpëruar nga pavarësia e Kosovës, për të zgjeruar dhunën përgjatë vijës kufitare. Djegiet dhe shkatërrimet janë një rikthim i imazheve të njohura në ish-Jugosllavi...

BOTA SOT
Me pavarësimin e Kosovës, po i vjen fundi edhe ekzistencës së sistemit të përkohshëm gjyqësor. Të hënën është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit për themelimin e një Komisioni të Pavarur të Gjyqësisë dhe Prokurorisë, që i jep fund sistemit të deritashëm jo funksional të gjyqësorit, duke i dhënë fund emërimeve të përkohshme të gjykatësve dhe prokurorëve. Përmbushja e Memorandumit, i cili u nënshkrua nga Zyra amerikane në Prishtinë, Këshilli i Evropës, Gjykata Supreme e Kosovës si dhe Qeveria e Kosovës, do të kushtojë 5.67 milionë euro, që do të mbulohet me pesë milionë euro nga Komisioni Evropian dhe me një milion dollar nga SHBA-të...

EXPRESS
Kuptimi i përgjithshëm për protestat e fundit të dhunshme në Beograd është se një grup huliganësh prishën shfaqjen e qetë dhe të dinjitetshme të krenarisë kombëtare të disa qindra mijëra njerëzve. Është ky një shqim me implikime retorike dhe politike. Kryeministri serb, Koshtunica, e përdori për t’i shmangur dënimit të drejtpërdrejtë të protestuesve të dhunshëm. Ai vetëm u ankua që dhuna dhe shkatërrimi dëmtojnë çështjen kombëtare serbe dhe e gëzojnë armikun. Më e rëndësishme për të ishte që “rinia e Serbisë kanë dërguar mesazhin se duan ligj, drejtësi dhe liri”...

KOHA DITORE
Me gjithë deklarimin e kryeministrit Hashim Thaçi se rreth 100 shtete të globit po bëjnë garë se cilado ta njohë e para Republikën e Kosovës një gjë e tillë nuk duket që me hov po ndodh në terren. Dita e parë e javës së dytë me pavarësi dhe me shumë takime në diplomacinë ndërkombëtare ka sjellë vetëm zyrtarizimin e njohjes nga Belgjika dhe asnjë njohje të re për Kosovën. Kjo është konfirmuar edhe zyrtarisht të hënën në mbrëmje në Presidencën e Kosovës, në adresën e së cilës deri tash kanë ardhur shumica e njohjeve zyrtare…

ZËRI

Kosova nuk do të jetë kurrë më pjesë e Serbisë, deklaroi dje Stejt Departamenti amerikan, por theksoi se Uashingtoni do të vazhdojë bashkëpunimin me Serbinë dhe Rusinë, në lidhje me këtë çështje, vende këto të cilat e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Zëdhënësi i Stejt Departamentit amerikan, Tom Kejsi, këtë deklaratë e bëri pasi që favoriti për t'u zgjedhur kryetar i ri i Rusisë, Dimitri Medvedev, vizitoi dje Beogradin, për të dëshmuar mbështetjen e tij për sovranitetin e Serbisë mbi Kosovë, përkundër mbështetjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet kryesore perëndimore...

EPOKA E RE

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar të hënën, gjatë takimit me një delegacion të Parlamentit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i këtij Parlamenti, Jakup Krasniqi, se “pavarësia e Kosovës është një investim mbinjerëzor i qytetarëve të saj”.
Duke u uruar parlamentarëve kosovarë mirëseardhjen, kryeministri Berisha është shprehur se “kjo vizitë kryhet vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një akt madhor në historinë e kombit shqiptar, ndoshta liria e vërtetë për kombin tonë”...Krasniqi i ka falënderuar kryeministrin Berisha për mbështetjen që “Qeveria shqiptare po jep në bashkëpunim mes dy kabineteve qeveritare dhe sinkronizimin e mjaft projekteve në ekonomi, në lëvizjen e lirë të njerëzve...”






XS
SM
MD
LG