Ndërlidhjet

FT/WP: Feith i vendosur kundër ndarjes së Kosovës


"Ky vend nuk duhet të shohë as ndonjë lloj forme të ndarjes së butë", tha përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Peter Feith. Diplomati veteran hollandez garanton përpjekjet e zyrës që drejton në mbrojtje të pakicave, përfshi atë serbe.

Mandati i tij paralel, edhe si përfaqësues i pranisë ndërkombëtare në Kosovë, fillon javën tjetër, gjithmonë nëse perëndimorët arrijnë ta bindin kreun e Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, që t'ia heqë përgjegjësitë UNMIK-ut, edhe pa miratimin e Rusisë.
Kombet e Bashkuara duhet të bëjnë dorëzimin e përgjegjësive 120 ditë nga vendosja e misionit evropian, gjithmonë duke u bazuar në planin Ahtisaari.

"Protektorati i Kombeve të Bashkuara ka zgjatur tej mase, duke penguar iniciativën e një popullate me shpirt ndërrmarrës", thotë Peter Feith. Feith thotë se në planin ekonomik, misioni i tij nuk do jetë asgjë më shumë se këshillues për vendorët.

"Megjithë faktin se kam fuqi të heqë pushtetarët lokal, kjo nuk do të jetë një tjetër Bosnjë, ku bashkësia ndërkombëtare është bërë justifikimi i politikanëve vendorë që të mos marrin përgjegjësitë", thotë Feith.
Një tjetër mësim që del nga Bosnja, sipas zotit Feith është rëndësia e integrimit shumëetnik. Serbët përmes decentralizimit do ruajnë identitetin e tyre, por kjo nuk do shërbejë që ata të krijojnë një entitet, që do t'i përgjigjej Beogradit e jo Prishtinës

Por edhe vetë Marti Ahtisaari, hartuesi i planit, ka pranuar se decentralizimi mund të thotë ndarje de facto e veriut të Kosovës. Por z.Feith këmbëngul se nuk është kështu.

Në afat të gjatë Kosova duhet të jetë një shtet shumëetnik. "Serbët mund ta drejtojnë veten ndaj Prishtinës vetëm nëse Bashkimi Evropian bën atë që di më mirë:Të hapë rubinetin e të derdhë para", thotë një diplomat amerikan për Financial Times.

Në një shkrim të botuar në Washinton Post me titull "Serbia tërheq policët, thotë shefi i shërbimeve të zbulimit" trajtohen ngjarjet e natës që u dogj ambasada amerikane në Beograd.

"Kemi informacione të besueshme se kur u sulmuan ambasadat amerikane, britanike e me rradhë, u morr vendimi nga qeveria serbe të largojë policët dhe të lejohen turmat të sulmojnë", tha Mike McConnell, shefi i shërbimit amerikan të zbulimit, përpara Senatit amerikan.

Por duket se pas dëshmisë, ka qenë zëdhënësi i McConnell, Ross Feinstein, i cili tha se "nuk ka një analizë përfundimtare". Deklarata e McConnell, sipas zëdhënësit të tij mbështetej mbi deklaratat e dëshmitarëve në vendngjarje, të publikuara në shtypin serb.

Në fjalimin e tij para Senatit McConnell foli dhe për dallimet mes Koshtunicës dhe Tadiçit. Shefi i zbulimit kombëtar amerikan tha se "Koshtunica është më afër Rusisë dhe se është i vendosur ta kthejë pas pavarësinë e Kosovës nëse mundet".
McConnell theksoi para Senattit amerikan se "ka gjasa të shohim sërish një lloj dhune". McConnel nënizoi faktin se "Tadiçi është i bindur se integrimi evropian është rruga më e mirë".
XS
SM
MD
LG