Ndërlidhjet

Trajkoviq: Kosova ka fituar pavarësinë, por jo sovranitetin


Rada Trajkoviq
Rada Trajkoviq

“Nëse e analizoni statusin e tashëm, nën Rezolutën 1244, Kosova ka një pavarësi të brendshme, por brenda kufijve të Serbisë", thotë Rada Trajkoviq, kryetare e Bordit Ekzekutiv të Këshillit Nacional Serb.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, tash dy javë Kosova ka shpallur pavarësinë, përderisa politikanë nga veriu janë shprehur tashmë ashpër kundër pavarësisë. Si i shini ju, si një politikane serbe nga Kosova qendrore, zhvillimet e fundit në Kosovë?

RADA TRAJKOVIQ
Më duhet të them se pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga 21 shtete deri në këto momente, mendoj se në territorin e Kosovës është krijuar një situatë skizofrenike, e cila është rezultat i mungesës së një kompromisi brenda komunitetit ndërkombëtar.

Serbët respektojnë Rezolutën 1244, ndërkaq shqiptarët respektojnë atë që është vullneti i tyre dhe përcaktim i tyre, që po ashtu është legjitime dhe natyrisht ajo që është njohje e njëanshme.

Në këtë rast, mendoj se në mesin e serbëve nuk ka dallime rreth pranimit të asaj se çfarë ka ndodhur në Prishtinë, por ka dallime të shfaqjes së pakënaqësive.

Në brendësi të enklavave, pakënaqësia manifestohet me një formë të qetë, përderisa në veri kemi reagime më të fuqishme, pasi që liderët në veri janë më radikalë, edhe pse edhe njëra e edhe tjetra palë, pavarësinë nuk e përjetojnë si diçka që duhet të jetë realitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni deklaruar se Kosova ka fituar pavarësinë, por jo sovranitetin. Tashmë janë mbi 20 shtete që njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, përderisa SHBA-të dhe BE-ja thonë se Kosova nuk do jetë më kurrë pjesë e Serbisë. Cili është komenti juaj?

RADA TRAJKOVIQ
Po, nëse e shihni edhe statusin e tashëm, nën Rezolutën 1244, ka një pavarësi të brendshme, por brenda kufijve të Serbisë.

Natyrisht që fuqia e shteteve, që e përkrahin pavarësinë, është shumë relevante dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë ata që mundohen të mohojnë atë që është e vërtetë – njohje nga 21 shtete – shtetet më të fuqishme të Evropës Perëndimore dhe SHBA-të.

Në anën tjetër, është plotësisht relevant fakti se dy anëtaret e përhershme të KS-së, Rusia dhe Kina, që po ashtu përfaqësojnë fuqi globale ekonomike, bërthamore e strategjike, janë kundër këtyre njohjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët që hynë së fundi në institucione, kanë filluar t’i bojkotojnë ato, përderisa së fundi po bojkotohet edhe Shërbimi Policor i Kosovës. Ju shpesh keni deklaruar se duhet integruar në institucione, në mënyrë që të luftohet brenda tyre për interesat e serbëve. Çka mund të përfitojë komuniteti serb me veprimet e fundit bojkotuese?

RADA TRAJKOVIQ
Unë kam thënë se shqiptarët kanë mundur t’i integrojnë serbët, por nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, meqë diskriminimi institucional ka qenë realitet.

Mendoj se në këtë moment, serbët duhet të insistojnë në diçka që në thelb është zgjidhja e problemeve të serbëve, natyrisht brenda territorit të Kosovës, pasi që funksionimi i serbëve të mbetur në Kosovë, nuk është zgjidhur dhe kjo mund të ndodhë vetëm përmes decentralizimit të fuqishëm, krijimit të komunave të reja dhe eksterritorialitetit për manastiret tona dhe objekteve të trashëgimisë kulturore.

Mendoj se komunitetit ndërkombëtar, por edhe shqiptarëve u duhet bërë e qartë se serbët duan t’i ruajnë lidhjet institucionale me Beogradin.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët nuk e pranojnë EULEX-in. Ju zakonisht jeni shprehur pro integrimit në Bashkimin Evropian. Si e shihni ju misionin e BE-së në Kosovë?

RADA TRAJKOVIQ
Misioni i BE-së në Kosovë vjen me detyrën që të kontrollojë dhe në një mënyrë të ndihmojë pavarësinë e Kosovës, që të forcojë institucionet e drejtësisë, pra të forcojë sundimin e ligjit.

Mendoj se misioni i tyre në njërën anë ka një lloj arsyeje të mirë, por fatkeqësisht ky mision nuk ka marrë legjitimitet, nuk ka kornizë ligjore që të vijë në territorin e Kosovës dhe është në një pozicion në të cilin përjashtohet mundësia e bashkëpunimit me serbët.

RADIO EVROPA E LIRË

Raportuesi për Serbinë i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, ka thënë se njohja kryesore e Kosovës do të jetë ajo nga Serbia. Kur mendoni se Serbia do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, ashtu siç ka bërë edhe me ish-republikat tjera jugosllave?

RADA TRAJKOVIQ
Nuk shoh se kjo do të ndodhë në një të ardhme te afërt, duke marrë parasysh Kushtetutën e Serbisë, duke marrë parasysh raportet e shqiptarëve të Kosovës me serbët, pasi siç e dini, dy të tretat e serbëve kanë lëshuar Kosovën dhe fatkeqësisht deri sot nuk është krijuar mundësia që të ketë një normalitet në kuptimin e kthimit të pronave apo të vetë njerëzve.

Kështu që, për aq sa institucionet e shqiptarëve të punojnë në interes të të gjithë njerëzve në Kosovë, aq më shumë do t’i afrohen Beogradit, pasi që ndërvarësia mes Beogradit dhe Prishtinës është realitet. Ne me shekuj kemi jetuar në një shtet.

Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare para se të merrte vendim për statusin e Kosovës, do të duhej të punonte më aktivisht në procesin e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po në një të ardhme të largët, a do ta njohë Serbia Kosovën?

RADA TRAJKOVIQ

Po, një mundësi e mëtutjeshme është diçka që në fakt do të jetë provokim edhe për kapacitetet e vetë përmbajtjes, të cilat lidershipi i shqiptarëve do t’i ndërtojë për Kosovën.

Nëse ata do të kenë kapacitete institucionale demokratike të sigurisë, ashtu që në vija të gjata, pa ndihmën e BE-së dhe pa ndihmën e forcave të sigurisë së NATO-s, ta ruajnë shtetin e tyre, gjithsesi ky realitet do të varet nga ajo se sa do të zgjasë pavarësia e Kosovës dhe sa ajo do të krijojë themele për këto vija të gjata.

Unë mendoj se këtë do ta diktojë edhe qëndrimi i Serbisë për njohjen e kësaj hapësire si shtet.
XS
SM
MD
LG