Ndërlidhjet

Mesiq: “Serbia do të pësojë për sjelljet me Kosovën”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka porositur homologun e tij serb, Vojisllav Koshtunica, që t’i lërë mënjanë mitet, sepse, siç ka thënë, “mitet dhe politika nuk mund të qëndrojnë së bashku”. “Mitet duhet lënë mënjanë. Kjo puna e djepit më duket shumë jorealiste, ka thënë Berisha në një intervistë për BBC-në. “Nuk jam i sigurt nëse ata sollën djepin e tyre apo morën djepin tonë në Kosovë. Megjithatë, në një djep mund të rriten disa foshnja”, ka thënë Berisha duke shtuar se është jorealiste të kërkosh djepin në shtëpinë e fqinjit... Kryeministri shqiptar ka hedhur poshtë synimet serbe se Kosova na qenka “zemër” e Serbisë, duke thënë se “Kosova nuk mund të jetë kurrë zemra e një kombi tjetër”...

KOSOVA SOT
Subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, ato që në mandatin e kaluar i kanë dhënë vizën dokumentit të Ahtisaarit dhe ato që nuk kanë qenë pjesë e atij votimi, ku është fjala për aneksin në të cilin përcaktohet një afat për zgjedhje të reja pas fillimit të implementimit të dokumentit, ende kanë qëndrime të paharmonizuara. Përderisa partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK konsiderojnë se vonesa e implementimit të pakos për shkak të moskalimit nëpërmjet Këshillit të Sigurimit ka imponuar mbajtjen e zgjedhjeve në të dyja nivelet dhe kjo kërkesë e dokumentit është e amortizuar, opozita thotë se kjo nuk qëndron...

LAJM
Presidenti i Maqedonisë, Branko Cervenkovski, të mërkurën, në një takim me homologun e tij bullgar, Georgi Pervanov, në qytetin Sandanski të Bullgarisë, tha se para demarkacionit kufitar nuk duhet të ndodhë akti i njohjes së shtetit të Kosovës. Për kushtëzimin nga Kosova se Maqedonia njëherë duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe pastaj demarkacioni kufitar, Cervenkovski tha se bëhet fjalë për një fillim jo të mirë për ndërtimin e marrëdhënieve nga ana e Prishtinës. “Deklarata me të cilën Kosova shpalli pavarësinë është e bazuar në planin e Ahtisaarit, ku saktësisht parashihen afatet dhe mënyra se si duhet të kryhet demarkacioni”...

EXPRESS
Bazuar në deklarimet e avokatëve mbrojtës të kryetarit aktual të AAK-së, Ramush Haradinaj,janë dy variante të datave, që kanë filluar të qarkullojnë si të mundshme, kur mund të shpallet vendimi përfundimtar. Data e parë, që ka filluar të qarkullojë si dita e mundshme, kur pritet të shpallet verdikti i trupit gjykues, është e mërkura e 19 marsit. Përveç kësaj date, janë edhe dy ditë tjera, kur pritet të dihet nëse ish-kryeministri Haradinaj dhe të tjerët janë ose jo fajtorë. E para është 26 marsi, kurse tjetra mundësi mund të jetë 27 marsi. Avokati kryesor i mbrojtjes së Ramush Haradinajt, Michael O’Rally shpreson dhe beson se vendimi në favor të klientit të tij do të shpallet sa më shpejt të jetë e mundur...

NACIONAL
Kroacia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, ndërsa kreu i saj shtetëror njoftoi se do t’i ndjekë anëtarët më të mëdhenj të BE-së, të cilët veçmas e kanë njohur shtetin më të ri në botë. “Shpresoj se Serbia do ta kuptojë realitetin se ka bërë gabime të mëdha politike në Kosovë, në rajonin me shumë shqiptarë. Ata duhet të kuptojnë se çdo akt kundër atyre që e kanë njohur Kosovën, do t’u shkaktojë dëm vetë atyre”, tha presidenti kroat Stipe Mesiq...

KOHA DITORE
Komisioni Evropian ka aprovuar nisma të reja për të mbështetur zhvillimin politik dhe ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të ndihmojë përparimin e tyre në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ka bërë të ditur Zyra e Komisionit Evropian bë Prishtinë, të mërkurën. Sipas një komunikate të kësaj zyre, nismat parashikojnë lehtësimin e vizave ose edhe heqjen, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor i plotësojnë kushtet e kërkuara nga BE-ja, rritjen e bursave për studentë të Ballkanit Perëndimor dhe shumë fusha të tjera. Iniciativat e reja do t’u paraqiten vendeve anëtare të BE-së në takimin joformal të ministrave të jashtëm, në Slloveni, më 28 dhe 29 mars...

INFOPRESS
Domosdoshmëria e zgjidhjes së statusit të Kosovës ka fokusuar tërë vëmendjen në rajon dhe lidhjet që i ka Ballkani Perëndimor me Bashkimin Evropian, ndaj është shumë me rëndësi që në këto momente të ruhet paqja dhe stabilitetit në rajon, thuhet në raportin e Komisionit Evropian, të publikuar dje... Sfidat kryesore që e presin Kosovës, thuhet në këtë dokument, janë forcimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përkrahja për zhvillimet ekonomike... Sipas raportit të publikuar, Kosova ka bërë përparim drejt krijimit të një shoqërie demokratike dhe shumetnike...

BOTA SOT
Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, u takua me përfaqësuesin e Qeverisë sllovene për Procesin e Integrimit Evropian, Andrej Engelman. Në këtë takim u bisedua për projektet e binjakëzimit në përgjithësi dhe në mënyrë specifike mbi Projektin e Binjakëzimit të MD-së, që pritet të fillojë së implementuari në mes të vitit 2009. Ministrja Kelmendi e falënderoi zotin Engelman për gatishmërinë e tyre porta ndihmuar Kosovës, nëpërmjet së cilit falënderoi edhe Qeverinë sllovene për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që po ia bën Kosovës...

ZËRI
Kosova nuk do të mund t’i zbatojë ligjet e pakos së Ahtisaarit dhe as Kushtetutën, nëse ajo ndërkohë miratohet, pa kaluar faza e tranzicionit. Pritjet e qeverisë janë që UNMIK-u të largohet nga Kosova në qershor dhe të lërë pas vetes kompetencat e dorëzuara tek autoritetet vendëse, duke u zëvendësuar edhe me një mision më të “butë” ndërkombëtar, EULEX-in. Por, zyrtarët e UNMIK-ut, nga ana tjetër, potencojnë faktin se ende nuk kanë marrë sinjale nga Nju Jorku për bartjen e kompetencave dhe numërimin nga mbrapsht, që zgjat katër muaj. Sidoqoftë, në Prishtinë nuk është shtruar ende çështja nëse tranzicioni mund të zgjasë më gjatë sesa qershori....

XS
SM
MD
LG