Ndërlidhjet

Solana: Kosova është rast unik


Kosova është rast unik dhe nuk mund të krahasohet me republikat që nuk janë njohur në ish Bashkimin Sovjetik, konfliktet e të cilave duhet të zgjidhen brenda formatit ekzistues negociator, ka thënë shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Javier Solana.

I pyetur se si do të përgjigjej Bashkimi Evropian ndaj shpalljes së pavarësisë nga republikat që kërkojnë shkëputje në ish territorin sovjetik, Solana ka thënë se "BE-ja nuk do t'i mbështesë deklaratat e tilla dhe do të vazhdojë të insistojë që zgjidhjet të gjenden në kuadër të formateve ekzistuese për zgjidhjen e konfliktit".

Në një prononcim për të përditshmen ruse "Nezavisnaya Gazeta", Solana e quajti Kosovën rast "sui generis", por jo precedent për konfliktet tjera.

"Këshilli i Sigurimit përmes rezolutës 1244 e vendosi misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dhe gjithashtu e nisi procesin politik, i cili nënkuptonte përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Një vendim i tillë nuk është marrë nga Këshilli i Sigurimit për asnjë konflikt tjetër. Situata rreth Kosovës duhet të shihet si pjesë e kollapsit historik të ish Jugosllavisë", ka thënë Solana.
XS
SM
MD
LG