Ndërlidhjet

Marnhac: KFOR do të pengojë çfarëdo lloj dhune


Komandanti i KFOR-it, Xavier de Marnhac, i shoqëruar me ushtarët
Komandanti i KFOR-it, Xavier de Marnhac, i shoqëruar me ushtarët

Komandanti i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, Xavier de Marnhac, ka siguruar sot se askush nuk do të lejohet që të përdorë dhunë në Kosovë. Ai i ka bërë këto komente pas vizitës që i ka bërë pjesës veriore te Kosovës, përkatësisht pikës kufitare në Zubin Potok.

Komandanti i KFOR-it, Xavier de Marnhac, ka vizituar sot paqeruajtësit në pikën kufitare në Zubin Potok, ku, para dy javësh, serbët patën djegur pikën doganore, në shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë nga institucionet e Kosovës.

Në këtë pikë kufitare tashmë është ngritur një postbllok i KFOR-it, në të cilin dhjetëra ushtarë kontrollojnë veturat që kalojnë nëpër këtë vendkalim kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier Bout de Marnac, ka siguruar nga ky vend se KFOR-i nuk do të lejojë kurrfarë dhune në Kosovë.

"Siç e kam thënë në shumë raste, askush nuk duhet të ketë dyshim, secili duhet të jetë plotësisht i vetëdijshëm për përcaktimin tim për të ruajtur sigurinë dhe për të penguar përdorimin e çfarëdo lloj dhune prej ngado që mund të vijë ajo. E kam bërë këtë në të kaluarën dhe duhet të siguroheni se këtë do ta bëjë edhe në të ardhmen", ka thënë komandanti i KFOR-it, Xavier de Marnhac.

Gjenerali francez, vizitën e sotme e ka bërë me qëllim që të shohë në terren zbatimin e urdhrave që i jep nga shtabi i tij qendror, por edhe të shohë vetë gjendjen e sigurisë, në mënyrë që kur të jetë nevoja të reagojë me kohë kundër çfarëdo lloj dhune.

"Qëllimi i tërë kësaj është që të ruhet siguria në të gjithë territorin e Kosovës, të krijohet një ambient i sigurt, si dhe të sigurohet liria e lëvizjes për secilin", ka thënë gjenerali francez Xavier Bout de Marnhac.

Ai ka thënë se aktualisht nuk do të ketë shtim të trupave të KFOR-it në veri, por si zakonisht do të ketë rotacion të batalioneve. Një batalion italian që gjendet në veri do të zëvendësohet me atë gjerman.

Që kur një turmë e serbëve dogji dy pikat kufitare në Jarinë të Leposaviqit dhe në Zubin Potok, KFOR-i ka shtuar praninë e tij në këto pika kufitare, në të cilat aktualisht ka qarkullim të njerëzve, por jo të mallrave.

Ndryshe, serbët në veri të Kosovës, por edhe në Graçanicë, edhe sot kanë protestuar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zëdhënësi i SHPK-së për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, vlerëson se të tri protestat që janë zhvilluar sot në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë qenë të qeta dhe se situata e sigurisë aktualisht është e qetë dhe nën kontroll.


XS
SM
MD
LG