Ndërlidhjet

Dualizëm misionesh në veri


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë
Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Mbetjen e UNMIK-ut në veri, disa ekspertë të sigurisë e vlerësojnë si të dobishme, përderisa të tjerët thonë se me UNMIK-un në veri do të krijohet një dualizëm misionesh.


Ideja që në pikën kufitare Kosovë-Serbi të vendosen paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara, përderisa UNMIK-u të operojë edhe më tej në pjesën veriore të Mitrovicës, nga ekspertë të sigurisë komentohet në mënyra të ndryshme.

Në takimin e djeshëm të Bashkimit Evropian, disa ministra të jashtëm kanë hedhur idenë që për shkak të pamundësisë së shtrirjes së EULEX-it në veri, aktualisht atje të veprojë UNMIK-u, përderisa në pjesën tjetër të Kosovës misioni i BE-së.

Për ekspertin e sigurisë, Nuredin Ibishi, kjo përbën një dualizëm pushtetesh dhe njëherazi edhe shqetësim për sigurinë.

“Kjo do shkaktojë konfuzion, sepse do të vijë deri te një dualizëm i misioneve në Kosovë dhe me këtë po arrihet ai objektivi serb, që të mos lejohet misioni i ri i EULEX-it dhe njëkohësisht të vazhdohet misioni i OKB-së. Përmes Rezolutës 1244 duan që Kosova të jetë si pjesë që ata e thonë integrale e Serbisë. Kjo vetëm po nxit shqetësim te opinioni kosovar, në kuptimin e implementimit të dy misioneve, të cilat nuk kalojnë fazën e tranzicionit, nuk bartin kompetencat te njëra-tjetra, apo te autoritetet vendore”, tha Ibishi.

Serbët e Kosovës kanë kundërshtuar misionin e Bashkimit Evropian, përderisa ky mision tashmë është tërhequr nga veriu i Kosovës për shkaqe sigurie.

Eksperti tjetër i sigurisë, Naim Maloku, mendon se është pikërisht ky fakt, që e bën të domosdoshëm praninë e UNMIK-ut në pjesën veriore të Kosovës.

“Për atë ata mbeten atje, për të siguruar integritetin territorial të Kosovës; pra edhe KFOR-i, edhe UNMIK-u. Nuk kanë ndonjë synim tjetër, prishjen e stabilitetit, sigurisë, apo ndarjen e Kosovës. Nuk janë këto qëllimet apo synimet. Ata po mbeten në një fazë që është mjaft sfiduese për Kosovën, pra kur një pjesë e territorit, kur një pjesë e qytetarëve të Kosovës nuk e pranojnë këtë realitet, për shkak të zhvillimeve në Serbi. Është një fazë kaluese, që UNMIK-u do të ndihmojë ruajtjen e sigurisë dhe integritetin territorial. Nuk e shoh me qëllime tjera këtë”, thotë Maloku.

Por, Nuredin Ibishi shpreh shqetësimin se nëse lejohet dualizmi i misioneve në veri, e njëjta do të mund të ndodhë edhe në pjesët tjera të banuara me shumicë serbe, përkatësisht në enklavat serbe në Kosovën qendrore.

“Unë mendoj se UNMIK-u, Kombet e Bashkuara do të marrin një vendim; kjo i takon Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon; duhet të përcaktohet me një deklaratë të tij dhe t’i japë fund misionit të OKB-së, ose të fillojë faza e tranzicionit që është paraparë, apo të lejojë një dualizëm që për mua do të jetë në vazhdimësi shqetësues”, thotë Ibishi.

Në anën tjetër, Naim Maloku është optimist se ashtu siç kanë deklaruar përfaqësuesit e BE-së, ashtu edhe do të veprojnë - do të shtrijnë misionin e EULEX-it në tërë Kosovën.

Megjithatë, vetë Maloku është skeptik, sa i përket largimit të misionit të Kombeve të Bashkuara nga Kosova.

“Ende është e paqartë se si do të largohet UNMIK-u nga Kosova, pasi që ka ardhur me një rezolutë të OKB-së këtu. Ne besojmë se që nga dita e shpalljes së pavarësisë, ose nga ardhja e Peter Faith-it në Kosovë, fillon ajo koha e tranzicionit, apo e tërheqjes së UNMIK-ut. Por, ju e patë se praktikisht EULEX-i, përkatësisht ministrat e BE-së, dje thanë që afati i tërheqjes mund të zgjatet dhe jo 120 ditë sa ka qenë”, tha Maloku.

Lejimi i një dualizmi misionesh në Kosovë, sipas Nuredin Ibishit, do të shkaktojë probleme edhe në fusha tjera, përveç asaj të sigurisë.

“Tash është çështja se edhe pjesëtarët e SHPK-së, të Doganave dhe institucioneve tjera të Kosovës, ku pakica serbe është e kyçur, do të vazhdojnë me një formë të jenë të dëgjueshëm ndaj dirigjimeve nga Beogradi dhe që të abstenojnë në kyçjet në këto institucione. Mendoj se përfundimisht duhet të vijë deri të përcaktimi i një misioni dhe i një mandati”, thotë Ibishi.

Aktualisht vija kufitare mes Kosovës e Serbisë, në veri të vendit, kontrollohet nga forcat e KFOR-it dhe policia e UNMIK-ut, si dhe pjesëtarët serbë të SHPK-së.

Atje, ende nuk janë vendosur pikat doganore, përderisa në pjesën veriore të Mitrovicës pushteti kontrollohet nga strukturat paralele serbe dhe pjesërisht edhe nga administrata e UNMIK-ut.
XS
SM
MD
LG