Ndërlidhjet

Dënohet dhuna në Mitrovicë


Pamje nga trazirat në Mitrovicë, 17 mars 2008
Pamje nga trazirat në Mitrovicë, 17 mars 2008

KFOR-i, UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës kanë dënuar sot dhunën e përdorur ndaj autoriteteve ndërkombëtare të sigurisë nga serbët lokalë, të cilët kanë shtënë kundër tyre edhe me armë zjarri. Policia e UNMIK-ut po zhvendoset nga veriu i Mitrovicës, derisa atje të marrë nën kontroll situatën KFOR-i.



Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare kanë dënuar dhunën e sotme të kryer nga serbët në veri të Mitrovicës, me ç’rast u lënduan dhjetëra pjesëtarë të Policisë së UNMIK-ut dhe të KFOR-it.

Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Larry Rossin, dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier De Marnhac, e kanë dënuar shfrytëzimin e dhunës vdekjeprurëse, duke përfshirë këtu zjarrin e drejtpërdrejtë nga një bandë protestuesish në veri të Mitrovicës.

Në një komunikatë të përbashkët për opinion, të dy përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë kanë nënvizuar se dhuna e shfrytëzuar drejt Policisë së UNMIK-ut dhe pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët sot rikthyen kontrollin mbi gjykatën në Mitrovicë, është shkelje flagrante e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ata kanë siguruar se UNMIK-u dhe KFOR- do ta kthejnë kontrollin mbi veriun e Mitrovicës.

Aktet e sotme të dhunës në Mitrovicë i ka dënuar edhe presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ka kërkuar që sa më shpejt fajtorët të nxirren para drejtësisë.

“Sulmi brutal i protestuesve ndaj mbrojtësve të rendit dhe të ligjit dëshmoi botërisht se uzurpatorëve të Gjyqit të Qarkut në Mitrovicë u pengon së tepërmi ligjshmëria, paqja dhe stabiliteti në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media të presidentit Sejdiu. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të dëshmojnë pjekurinë e tyre politike, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien nën ndikimin e provokimeve, që kanë për qëllim të prishin stabilitetin në Kosovë.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi, duke dënuar dhunën në veri të Mitrovicës, ka thënë se ata që janë përpjekur të kthejnë dhunën e para 4 vjetësh, kanë dështuar.

“Dëshiroj që para jush, si kryeministër i Kosovës, të shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjet e dhunshme që kanë ndodhur sot në Mitrovicë, dhe të gjithë ata që janë përpjekur ta rikthejnë dhunën e para 4 vjetësh, mund të them se kanë dështuar. Republika e Kosovës është tani shtet i pavarur dhe sovran dhe integriteti i saj është i paprkeshëm dhe i pacenueshëm. Shpreh keqardhje për pjesëtarët e KFOR-it dhe të UNMIK-ut, që janë lënduar duke mbrojtur rendin dhe ligjin”, tha Thaçi.

Dhuna kundër forcave ndërkombëtare të sigurisë u dënua edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë, Peter Faith.

“Në emër të BE-së, e dënoj dhunën ndaj personelit të UNMIK-ut dhe të KFOR-it, në veri të Mitrovicës. Në të njëjtën kohë, dua të shfaq përkrahjen e parezervë për Policinë e UNMIK-ut dhe forcat e KFOR-it, për përpjekjet e sotme për të kthyer rendin dhe ligjin. U bëj thirrje të gjithëve në Kosovë që të tregohen të qetë, të përmbajtur dhe të mendojnë për të ardhmen, për të cilën unë, si përfaqësues i bashkësisë ndërkombëtare, zotohem se do ta ndihmoj Qeverinë e Kosovës, që t’i afrohet të gjithë qytetarëve”, tha Peter Faith.

Ndryshe, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë kërkuar gjatë ditës nga autoritetet e UNMIK-ut dhe të KFOR-it që të kthejnë sundimin e ligjit në veriun e Kosovës dhe të mos dorëzohen përballë, siç i kanë quajtur, huliganëve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka shfaqur shqetësimin se me aktet e tyre, serbët kanë rrezikuar jetën e vet dhe të të tjerëve.

“Jemi të shqetësuar për faktin se një grup i manipuluar rrezikon që me akte të tilla të vë në rrezik jetën e tyre, por edhe t ë qytetarëve tjerë të pafajshëm. Jemi të kënaqur që ka pasur reagim të shpejtë nga KFOR-i dhe UNMIK-u. Shpresojmë që gjithçka të normalizohet. Duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët se në Kosovë duhet dhe do të sundojë ligji për të gjithë njëjtë”, tha Pajaziti.

Në anën tjetër, edhe nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, ka kërkuar qetësim të situatës dhe tërheqje nga përdorimi i dhunës. Ajo ka thënë se është e domosdoshme që sa me parë të vendoset komunikimi me bashkësinë ndërkombëtare, pasi, siç ka vlerësuar ajo, kjo është e vetmja mënyrë që mund të çojë kah stabilizimi.

“Pres që komuniteti ndërkombëtar të ketë mirëkuptim të mjaftueshëm dhe njerëzit që janë arrestuar, të cilët kanë qenë në gjyq, t’i lirojnë. Ky të jetë gjesti i parë i vullnetit të mire. E, përveç kësaj, të gjendet edhe një zgjidhje, që në thelb ka një marrëveshje të duhur dhe të vendoset komunikimi mes Beogradit, serbëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Më vonë, natyrisht edhe me shqiptarët”, tha Trajkoviq.

Situata në veri mbetet ende e qetë, por e tensionuar, ndërkohë, UNMIK-u, si masë të përkohshme, ka nisur zhvendosjen e policisë së UNMIK-ut nga veriu i Mitrovicës, derisa KFOR-i të rivendosë kontrollin.

Në një komunikatë të përbashkët për media, UNMIK-u dhe KFOR-i kanë bërë të ditur se Policia e UNMIK-ut, e mbështetur nga KFOR-i, vazhdon të jetë në kontroll të vendkalimeve kufitare në veri dhe në disa pjesë të tjera të rajonit të Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG