Ndërlidhjet

“Rreziku i ndarjes?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Ka kaluar një muaj që kur Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008. E shumta ka shkuar mirë, por ekziston një rrezik real, siç është bërë evident më 17 mars, përreth gjykatës në Mitrovicën veriore, se ndarja do të forcohet pranë lumit Ibër në veri dhe Kosova do të bëhet një konflikt tjetër i ngrirë. Për të kërkuar evitimin e kësaj, më shumë vende duhet ta njohin Kosovën dhe ta përqafojnë shtetin e ri, misionet ndërkombëtare duhet të jenë më aktive dhe t’i koordinojnë operacionet dhe më e rëndësishmja, duhet t’i demonstrohet Serbisë, e cila mbështetet nga Rusia, se nuk do të lejohet të ndajë shtetin e ri... Grupi Ndërkombëtar i Krizave paralajmëroi se në muajin pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është në rrezik të ndahet. Duke u bërë thirrje BE-së dhe NATO-s që të veprojnë para se të jetë tepër vonë, GNK-ja thekson se ekziston rreziku real që ndarja të forcohet në veri të lumit Ibër dhe me këtë rast Kosova të bëhet edhe një konflikt i ngrirë...

ZËRI
Ngjarjet e kësaj të hëne, në veriun e Mitrovicës, kanë sipërfaqësuar në tërësi qëllimet e politikës së Serbisë në Kosovë. Nuk ka ditë që Beogradi, i cili deri para pak muajsh nuk donte të ndijë për UNMIK-un dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk betohet në këtë rezolutë dhe nuk kërkon qëndrimin e mëtejmë të UNMIK-ut në Kosovë. Për zyrtarët serbë, më së miri do të ishte sikur UNMIK-u të mbetej përgjithmonë në Kosovë, nëse madje, UNMIK do të pajtohej të ndante pushtetin me Serbinë në territoret e banuara me shumicën serbe dhe, më në fund, nëse çdo gjashtë muaj do të ndërroheshin treshet e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë në negociatat e amshueshme për statusin e Kosovës. Por, po këta zyrtarë serbë pra, që e kanë varur gjithë shpresën e tyre në një proces që është në përfundim e sipër, qëndrojnë prapa sulmeve të organizuara të ekstremistëve serbë mbi UNMIK-un dhe KFOR-in në veri të Mitrovicës...

KOHA DITORE
Politika serbe është shumë e tejdukshme. Dëshirojnë të punojnë me UNMIK-un, sepse e dinë se çdo mision i OKB-së, sa herë të paraqitet ndonjë problem, gjëja e parë që mendon është se si të ikë. Po, kësaj radhe, në Kosovë është NATO-ja, e cila nuk do të ikë, prandaj duket se Samarxhiqi dhe “legalistët” e tjerë të Koshtunicës kanë bërë llogari të gabueshme. Gazetat serbe ne raportimet për trazirat në Mitrovicë raportuan në stilin e kohës së Millosheviqit. “Me tanke kundër serbëve duarthatë” ishte titulli në gazetën më të madhe beogradase “Veçernje novosti” në të cilën përsëritet i gjithë arsenali kundër atyre që kanë bërë “dhunë ndaj serbëve të pambrojtur”. Nuk ka rëndësi fakti se ata “serbë duarthatë” plagosën me qindra ushtarë dhe policë ndërkombëtarë. Edhe Masakrën e Srebrenicës e kanë bërë “serbët duarthatë në vetëmbrojtje”. Por, zhvillimet e së hënës në Mitrovicë nuk janë më aq të rëndësishme nga pikëpamja se si i sheh Beogradi ato. Janë të rëndësishme nga aspekti politik dhe i sigurisë. Ato kanë qenë qartë të inskenuara nga Beogradi...

EXPRESS
Në valën e situatës së re të krijuar në veri të Kosovës, në vargun e pyetjeve të panumërta që ngre hapja e konfliktit midis serbëve të dirigjuar nga Beogradi dhe OKB-së dhe NATO-s, njëra imponohet si e para e të parave. A ishte vdekja e Ihor Kynal-it, policit të vdekur ukrainas, një vdekje e kotë në dhe të huaj, në një konflikt të huaj për të, për familjen dhe vendin e tij? Përgjigja ime është jo. Një ditë, kur do të mund të marrim lajme për vdekje të bashkëkombësve tanë në vende të largëta, në misione të tilla çfarë ishte edhe ai i Ihor Kynal-it, sërish përgjigjja do të jetë e njëjta. E dimë se sot ka ushtarë shqiptarë në Irak, në Afganistan dhe me gjasë do të ketë edhe në Çad. Nesër do të jenë edhe ushtarakët apo policët e Kosovës në po të njëjtin front, ndërkohë që gatishmëria dhe oferta për angazhimin e TMK-së është krejt e ditur...

EPOKA E RE
Serbia ka ofruar planin që të qeverisë disa pjesë, në të cilat jetojnë serbët e Kosovës, gjë që, sipas vlerësimeve të burimeve diplomatike, praktikisht do të ishte ndarje e Kosovës. Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, fundjavën e kaluar, e ka paraqitur këtë plan, por që këtë UNMIK-u e ka hedhur poshtë. “Qëllimi i propozimit duket si ndarje e Kosovës; për Serbinë kjo tekstualisht do të thoshte se udhëheq enklavat”, i ka thënë një burim agjencisë ‘Reuters’, derisa burimi anonim nga UNMIK-u ka vlerësuar se ajo do të ishte “ratifikimi i ndarjes”. Zëvendësi i shefit të UNMIK-ut, Larry Rosin, ka konfirmuar të martën se Samarxhiq ia ka dorëzuar dokumentin, i cili do të ishte “kornizë për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe UNMIK-ut”. Ai nuk e ka komentuar përmbajtjen e këtij dokumenti...

LAJM
Vetëm katër muaj pushtet u kanë mjaftuar disa degëve të Partisë Demokratike të Kosovës që ta fillojnë luftën brenda partisë. Tetë vjet opozitë dhe përvoja politike me atë që ka ndodhur në LDK, nuk i kanë mbushur mend zyrtarët e PDK-së në degën e Prizrenit, Gjilanit e gjetiu. Mosmarrëveshjet deri në konflikte në këto degë tregojnë se zyrtarët e PDK-së në këto rajone nuk janë ndërgjegjësuar, se nëse nuk arrijnë ta ruajnë unitetin e brendshëm, do të ndëshkohen në zgjedhjet e ardhshme. PDK-në në bazë e ka goditur sindroma e LDK-së. Por, për ndryshim nga LDK-ja, imuniteti i PDK-së duket më i dobët. Udhëheqësit e PDK-së në qendër dhe në degë e përjashtojnë mundësinë që partia e tyre të jetë duke u futur në krizë, për shkak të problemeve të brendshme. Rrustem Mustafa, nënkryetar organizativ i PDK-së, tha për Lajm se problemet e partisë në disa degë janë minore dhe të lokalizuara. Sipas tij, nuk ka asnjë gjasë që ato të mund të reflektojnë stabilitetin e PDK-së në tërësi...

NACIONAL
Derisa analistët dhe lideri i “Vetëvendosjes”, situatën në Mitrovicë e vlerësojnë si shpërthyese, Qeveria e Kosovës, kryetari i Mitrovicës dhe deputeti Naim Maloku, nuk shqetësohen edhe aq shumë. “Janë veprime kriminelësh”, tha Maloku, ndërkohë që perfekti Rexhepi tha se “Mitrovica do të ruhet”. Megjithatë, Mitrovica po rrëshqet drejt ndarjes... Ramadan Qehaja, ekspert i sigurisë, thekson se si rezultat i neglizhencës së deritanishme të UNMIK-ut, është ndarë pjesa veriore e Kosovës dhe shton se prej 17 shkurtit e këndej, situata në veri të Kosovës është përkeqësuar në mënyrë të përshpejtuar... Duke spikatur faktin e mosmarrjes së masave, megjithëse institucionet në Kosovë kanë qenë të paralajmëruara për prishjen e situatës pas 17 shkurtit, Qehaja konsideron se nuk janë ndërmarrë të gjitha masat adekuate për të përforcuar njësitet e Policisë së UNMIK-ut, që situatën ta mbajnë nën kontroll... Vizitën e ministrit serb për Kosovën, Samarxhiq, ai e quajti një provokim dhe shton se UNMIK-u nuk është dashur të lejojë hyrjen e tij në Kosovë...

BOTA SOT

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi të martën se procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës është në binarë shumë të duhur nga vendet më të fuqishme botërore dhe shumë shpejt do të ketë njohje edhe nga Qeveria e Maqedonisë. Ai i bëri këto komente pas një takimi që zhvilloi me shefin e Zyrës së Greqisë në Prishtinë, Dimitris Moschopoulos. Ndonëse vendi i tij ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, shefi i Zyrës greke në Prishtinë është shprehur se e ardhmja e rajonit është në kuadër të BE-së dhe strukturave të NATO-s dhe Greqia, sipas tij, mbështet ardhmërinë e të gjitha vendeve të rajonit në BE. Diplomati grek tha se vendi i tij, si anëtar i NATO-s dhe BE-së, është i interesuar që të bashkëpunojë ngushtë me Kosovën si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë tregtar, ndërsa falënderoi kryeministrin Thaçi, i cili hapi dyert e Kosovës për afaristët grekë...

INFOPRESS
Rreth rastit në Gërdec pritet që fjalën përfundimtare ta thonë institucionet përkatëse si prokuroria. Ndërsa, dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes tregon pjekurinë politike të klasës shqiptare që flet për vetëdijen e përgjegjësisë. Opozita, ndërkaq, në pjesën më të madhe ka qenë e vëmendshme në deklarimet dhe i është bashkuar qeverisë në menaxhimin e krizës. Populli shqiptar tregoi solidaritetin e vet, kurse në këtë moment të vështirë u pa po ashtu se Shqipëria ka shumë miq, të cilët i dolën në krah. Kështu armatimi i madh që ishte grumbulluar gjatë periudhës komuniste për të luftuar “armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm” të vendit, tani është kthyer në një sfidë për qeveritë demokratike të Shqipërisë. Por, çfarë do të përfaqësojë Gërdeci në analet e historisë shqiptare? Ndoshta është herët të jepet një vlerësim... Por, Gërdeci paraqet një moment kthese për Shqipërinë, e cila po lufton të shkëputet nga e kaluara e saj e tmerrshme komuniste...
XS
SM
MD
LG