Ndërlidhjet

IHT: "Fundloja e rrezikshme"


Logo e Samitit të NATO-s në Bukuresht
Logo e Samitit të NATO-s në Bukuresht

"Dështimi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO mund të hapë një krizë politike. Ky do jetë edhe dështim për diplomacinë amerikane, OKB-në dhe BE-në. Nëse Greqia vazhdon me kërcënimin me veto, duhet t'i bëhet e qartë Athinës se do të paguajë një çmim të lartë politik", shkruan International Herald Tribune.


Dështimi për anëtarësimin e Maqedoninë në NATO mund të hapë një krizë politike, që do të vë në pikëpyetje marrëveshjen paqësore të vitit 2001. Një krizë e tillë do ndihej edhe në Kosovë, në kohën kur pavarësia e saj po kundërshtohet nga Serbia dhe Rusia.

Qeveria greke jo vetëm që ka kërkuar ndryshimin e emrit, por është përpjekur të diktojë edhe vetë emrin. Edhe Maqedonia nga ana e saj ka bërë shumçka për të provokuar Greqinë duke zgjedhur simbole dhe emërtime kundërthënëse.

Ndonëse Greqia dhe Maqedonia po sillen në mënyrë joracionale, shqetësimet e tyre nuk janë të tilla. Problemi nuk është të zgjidhim se kush ka më shumë a më pak të drejtë. Ajo që ka rëndësi është se mosmarrëveshja për emrin po paraqitet si pengesë në qendër të interesave amerikane dhe evropiane në rajon.

Aleatët duhet të përdorin orët e mbetura për të arritur një marrëveshje. Londra, Berlini dhe Parisi duhet t'i bashkëngjiten Uashingtonit dhe të dërgojnë mesazhin urgjent si për Athinën dhe Shkupin, që të pranojnë emrin e kompromisit, Republika e Maqedonisë/Shkupi ose ato do mbahen fajtore.

Pa një pozicion të bashkuar të bashkësisë ndërkombëtare, përfundimi do jetë mungesa e një zgjidhjeje.

Aleatët duhet t'ia bëjnë të qartë Athinës se mbrojtja e trashëgimisë greke duke penguar hyrjen në NATO të fqinjit të saj, është fitore si e Pirros. Nëse Greqia vazhdon të ecë në rrugën e përdorimit të vetos, atëherë vendet anëtare të NATO-s, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, duhet t'ia bëjnë të qartë Athinës se Greqia do paguajë një çmim të lartë politik.

Dështimi për të anëtarësuar Maqedoninë në NATO tani do jetë edhe dështim për diplomacinë amerikane, ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe diplomacinë evropiane, që do paguajë çmimin në vitet që vijnë.
XS
SM
MD
LG