Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës: Miratimi i Kushtetutës - kundërligjor


Mitrovica
Mitrovica

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se miratimi i Kushtetutës së Kosovës dhe vendosja e misionit të ri të BE-së pa bekimin e KS-së së OKB-së, janë të papranueshme për komunitetin serb. Duke i vlerësuar proceset aktuale në Kosovë si të paligjshme, përfaqësuesit serbë thonë se për këtë arsye, pjesëmarrja në institucionet e Kosovës është e pamundur.


Proceset që nuk janë bërë në marrëveshje me komunitetin serb dhe të cilat nuk i ka përkrahur Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nuk do të respektohen, thonë njëzëri përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Kreu i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, ka thënë se miratimi i Kushtetutës së Kosovës, është një akt jolegal, meqë një vendim i tillë, siç ka qenë edhe shpallja e pavarësisë, është marrë pa përkrahjen e KS-së.

“Në përgjithësi, atë që është kundërligjore dhe në dëm të komunitetit serb, nuk do ta pranojmë. Realiteti do të jetë shumë i rëndë për komunitetin serb, në kuptimin se çfarë do të jenë sfidat në terren pas Kushtetutës dhe implementimit të saj. Për ne, kjo është e papranueshme dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona legjitime”, tha Veliq.

Lufta për të drejtat legjitime, sipas përfaqësuesve serbë, varet nga insistimi në respektimin e Rezolutës 1244.

Nenad Radosavleviq, anëtar i bordit ekzekutiv të KNS-së në Leposaviq, thotë se do të ketë përpjekje për të detyruar komunitetin serb që të pranojë Kushtetutën, por kjo do të jetë e papranueshme. Serbët, thotë Radosavleviq, do të vazhdojnë të punojnë në bazë të ligjeve të Serbisë.

“Mendoj se komuniteti serb do të jetë i hapur në atë që do të mbetet këtu, do të vetëqeverisë dhe do të mbajë lidhje të forta me shtetin serb”, thotë ai.

Zyrtarët në Beograd dhe serbët e Kosovës vlerësojnë se miratimi i Kushtetutës së Kosovës nuk ka kurrfarë baze ligjore. Ata, po ashtu, nuk mbështesin ardhjen e misionit të ri të BE-së në Kosovë. Më herët është hedhur poshtë edhe plani i Martti Ahtisaarit. Veliq ka theksuar se ai plan nuk ka qenë rezultat i një procesi demokratik.

“Ne angazhohemi për respektimin e Rezolutës 12 44 dhe hapjes së dialogut për zgjidhjen e problemeve të komunitetit serb dhe krijimin e një realiteti të ri. Është e sigurt se një qëndrim i tillë është i papranueshëm për komunitetin serb, veçanërisht pasi që ai plan nuk ofron një zgjidhje te pranuar nga të dyja palët dhe nuk ofron zgjidhje që garanton stabilitet”, tha Veliq.

Plani i Ahtisaarit parasheh pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën multietnike dhe në bazë të tij janë ngritur institucionet dhe legjislacioni kosovar. Është paraparë që në kuadër të procesit të decentralizimit të formohen komuna të reja serbe, të cilat do t'i ruanin lidhjet me Beogradin, por përmes Qeverisë së Kosovës. Këtë plan e ka miratuar Kuvendi i Kosovës, por jo edhe Beogradi. Radosavleviq konsideron se për shkak të kësaj, ky plan nuk mund të realizohet.
“Plani i Ahtisaarit është një dokument që ekziston, por nuk është i pranueshëm dhe as nuk ka obligime për ta realizuar atë”, tha Radosavleviq.

Dragan Veliq thotë se komuniteti ndërkombëtar është përgjegjës, sepse dëshiron që këtë zgjidhje t’ia imponojë bashkësisë serbe. Ai shton se është i vetëdijshëm se serbët nuk mund të bëjnë shumë në këtë aspekt, por do të vazhdojnë t’i bojkotojnë institucionet.

“Realizimi i planit të Ahtisaarit, i cili nuk është pranuar në KS dhe nga serbët, nuk mund të jetë rekomandim për serbët që të marrin pjesë ne proces”, tha Veliq.

Ndërkaq, sipas Radosavleviqit, serbët mund te marrin pjesë në institucione, por vetëm, nëse ka garanci se do kenë një status të barabartë.

“Kjo nënkupton që zëri i komunitetit serb dhe i pakicave tjera të jetë i barabartë me zërin e shqiptarëve, pra pa dominim dhe pa diskriminim”, tha Radosavleviq.

Serbët kanë dhjetë ulëse në Kuvend dhe dy ministri në Qeverinë e Kosovës. Në punën e këtyre institucioneve merr pjesë vetëm Partia e Pavarur Liberale, e cila i ka pesë deputetë dhe një vend në Kryesinë e Kuvendit dhe ato dy ministri. Përfaqësues të kësaj partie thonë se vetëm në institucione mund të luftohet për të drejtat dhe interesat e komunitetit serb dhe se bojkoti shumëvjeçar nuk i ka sjellë asgjë serbëve. Megjithatë, këta përfaqësues janë zgjedhur në zgjedhjet, të cilat janë bojkotuar në masë të madhe nga serbët. Për këtë arsye, Beogradi dhe përfaqësuesit e tij në Kosovë thonë se ata serbë që janë në institucione nuk kanë legjitimet.

XS
SM
MD
LG