Ndërlidhjet

"Marrëveshja për demarkacionin ende e largët"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partitë opozitare kundërshtojnë çdo mundësi për organizimin e një raundi të ri bisedimesh ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre serbe për statusin politik të Kosovës, si dhe emërimin e një negociatori të ri. Zyrtarë të qeverisë dhe partive opozitare kanë "deklaruar të shtunën për Kosovapress se Kosova tashmë ka shpallur pavarësinë, e cila është njohur nga vendet më të fuqishme ndërkombëtare dhe vetëm fuqitë mbinatyrore mund ta prishin shtetin e Kosovës. E përditshmja britanike "The Times", ka shkruar se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, mund të emërojë së shpejti një negociator për bisedime të reja në mes të Prishtinës dhe Beogradit, pas kërcënimeve të Rusisë se do ta bllokojë mandatin e tij të dytë si Sekretar i Përgjithshëm, për shkak të qëndrimit të tij mbi Kosovën. Kjo e përditshme britanike ka publikuar një artikull për shqetësimet e disa diplomatëve perëndimorë se Sekretari i Përgjithshëm i KB-ve mund t'i ofrojë Rusisë koncesione thelbësore në raport me Kosovën...

KOSOVA SOT
"Ne ende nuk kemi qëndrim se kur do të fillojë numërimi i afatit 9 mujor. Më 15 qershor pritet të hyjnë në fuqi Kushtetuta dhe lIgjet e reja dhe pastaj do të shihet se në çfarë afati do të mbahen ato zgjedhje", thotë Sadri Ferati, ministër i Pushtetit Lokal. Implementimi i plotë i pakos së Ahtisaarit parasheh krijimin e pesë komunave të reja në Kosovë. Kjo çeshtje është përcaktuar me procesin e decentralizimit, i cili do të reflektojë në komunat ekzistuese, për shkak se preken kufi-jtë kadastralë dhe me këte do të ketë edhe shpërndarje të elektoratit. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se implementimi i ligjeve të reja, do të shkaktojë ndryshime të mëdha dhe do të ketë nevojë për zgjedhje të përgjithshme lokale...

LAJM
Kosovën si shtet sovran, shtetasit e saj mund ta shohin vetëm të shkruar në nenin e parë të Kushtetutës së Republikës së Kosove's. "Sovraniteti" i garantuar me Kushtetutë, Kosovës po i shkelet nga Serbia. Edhe pse tashmë e pavarur dhe e njohur nga shtetet më të fuqishme të botës, Kosova duket se nuk do të ketë mundësi t'u dalë në ballë pravokimeve të Serbisë. Orgaaizimi i zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe në Kosovë nga ana e Serbisë, e shkatërron sovranitetin e Republikës. Liderët kosovarë kanë zgjedhur deklaratat, edhe ashtu të buta, për ta penguar mbajtjen e zgjedhjeve serbe, ndërkohë që ata serbë, duke mos dyshuar në këtë drejtim, kanë shtrirë fushatën elektorale edhe në shtetin e pavarur të Kosovës. Në ndihmë të qëllimit të Serbisë, këtë herë duket se është edhe administrata e UNMIK-ut, e cila vepron në Kosovë nën juridiksionin e Rezolutës 1244...

KOHA DITORE
Ish-kryeministri i Kosovës dhe i sapoçliruari nga akuzat e Tribunalit te Hagës, Ramush Haradinaj, ka hedhur poshtë akuzat publike në Serbi dhe i ka bërë ftesë Prokurorisë së Serbisë për krime lufte që të hetojë pohimet inkriminuese ndaj tij. "Nuk jam fajtor për atë që ka shkruar aktakuza kundër meje, e as për atë që më akuzon opinioni publik në Serbi", ka thënë Haradinaj në një intervistë për televizionin serb "Palma", që është emetuar të dielën mbrëma, ndërsa gjatë ditës është cituar edhe nga mediet e tjera serbe. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se gjatë komandimit të tij në zonën operative të Dukagjinit janë vrarë gjashtë civilë serbë në vende të ndryshme. "Për këtë më ka ngarkuar edhe aktakuza, dhe nuk ka ndodhur asgjë tjetër përveç asaj që është paraqitur një aktakuzë. Nëse mendojnë se ka diçka tjetër, le ta dërgojnë prokurorin për krime lufte nga Beogradi", ka thënë Haradinaj...

BOTA SOT
Largimi i Smajl Shales, kryetar i degës së LDD-së në Pejë nga ky subjekt politik dhe po ashtu largimi i dy deputetëve të AKR-së, Driton Talit dhe Arsim Rexhepit, nga ARK-ja, duket se kanë "dridhur" tabanin politik të këtyre dy partive. Në fakt, edhe pse zyrtarët e lartë të këtyre partive nuk e pranojnë se ka ndodhur ndonjë "tërmet" politik, mediat kanë qenë ato që kanë bërë jehonë për këto procese të papritura politike në LDD e AKR. Kështu përderisa Smajl Shala i LDD-së dhe deputetët Driton Tali e Arsim Rexhepi nga ARK-ja, kanë zgjedhur si "rrugën" më të mirë daljen nga partia, për anëtarët e Kryesisë së LDD-së dhe AKR-së, largimi i tyre nuk paraqet asnjë problem dhe nuk i ka dëmtuar aspak këto dy parti...

ZËRI
Kryeministrit serb në dorëheqje sikur i dhimbset Kosova, sepse thotë që "në Kosovë tash mbizotëron konfuzion, papunësi dhe korrupsion dhe atje funksionon vetëm baza amerikane 'Bondsteel'. Kryeministri në dorëheqje i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka folur për Kosovën në televizionin lokal të Çaçakut, duke thenë se "shumëkush ka menduar që koha do ta bëjë të veten, që Serbia do te flejë dhe që bota do të pajtohet me shkeljen e rëndë të së drejtës ndërkombëtare, por nuk doli kështu. Vetë fakti se duke mos njohur pavarësinë e Kosovës rreth 150 shtete dolën në anën e Serbisë, flet shumë". Koshtunica ka theksuar se është krijuar një problem i madh dhe i rëndë, sepse dikush dëshironte që atje të krijojë një shtet të ri, jo shkaku i shqiptarëve, por shkaku i "interesave të NATO-s"...

EXPRESS
Bisedimet mes Kosovës dhe Maqedonisë për shënimin e vijës kufitare mes dy vendeve ka qenë e paraparë të vazhdojnë ketë javë, në Shkup, por ende nuk ka një datë të dakorduar, ka thënë të dielën për Express, këshilltari i kryeministrit, Bekim Çollaku, i cili drejton komisionin kosovar në këto bisedime. "Ndonjë marrëveshje është ende e largët pasi bisedimet janë në fazën fillestare", ka thënë Çollaku. Megjithatë, ai ka theksuar se "mund të pritet që në takimin e radhës të ketë një memorandum mirëkuptimi, por më pas do të krijohen komisionet punuese për t'u marrë me detajet". Takimi i parë për çështjen e kufirit është mbajtur në Prishtinë, rreth dy javë më parë, në prani të përfaqësuesve të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe NATO-s. Ndryshe, prejse kanë filiuar bisedimet, Maqedonia jo vetëm që ka hyrë në krizë qeveritare, por, të shtunën, ka shpërndarë parlamentin dhe ka shpallur zgjedhje të reja parlamentare për 1 qershor...

INFOPRESS

Çështja e liberalizimit të vizave është një ndër çështjet e shumta qe pritet të zgjidhen në kuadër të raporteve Kosovë-BE. Për Kosovën, si një shtet i ri evropian, dhe si shtet i pazhvilluar ekonomikisht, konsiderohet më se e nevojshme hapja e "dyerve" për bashkëpunim me jashtë. Nevoja për një bashkepunim të tillë është më se e domosdoshme në shumë fusha të jetës, por që mund te konsiderohet si më profitabile në fushën e ekonomisë dhe të arsimit. "Një gjë e tillë do të ishte e dobishme atëhere kur kosovarët të kryejnë një praktikë apo eksperiencë në perëndim, në mënyrë që kur të kthehen, të kenë pëtvojë më të madhe", thotë Belul Beqaj, analist politik, i cili një shkëmbim të tillë të përvojave e konsideron si një parakusht që do të ndikonte në përshpejtimin e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian...


XS
SM
MD
LG