Ndërlidhjet

WSJ: "Alarmi i dollarit"



"Wall Street Journal"

Ministrat e Financave të shtatë vendeve më të fuqishme në botë, G-7, duket se janë zgjuar nga gjumi i gjatë, duke pranuar më në fund se gara globale kundër dollarit amerikan është një ide e keqe. Tregu i valutave, padyshim, do të fillojë të testojë menjëherë për të parë nëse ministrat e kanë me gjithë mend.

Në takimin e tyre të fundjavës në Washington, ministrat e G-7 kanë thënë se "që prej takimit tonë të fundit, ka pasur lëvizje të mprehta në valutat kryesore dhe jemi të shqetësuar mbi implikimet e mundshme të këtyre lëvizjeve në stabilitetin ekonomik dhe financiar. Do të vazhdojmë të mbikëqyrim nivelin e këmbimeve dhe do të bashkëpunojmë në mënyrë adekuate". Përkthimi i kësaj fjalie tingëllon kështu: Nuk duam më që dollari të bie dhe spekulatorët, të cilët kanë vënë baste për rënien e mëtutjeshme të dollarit, do të digjen.

Ky është një përparim. Për vite të tëra, vendet e grupit G-7 e kanë mirëpritur rënien e dollarit, duke nënvizuar shqetësimet e tyre mbi deficitin tregtar të Shteteve të Bashkuara dhe për jobalansimet globale. Departamenti i Thesarit në administratën amerikane është për t'u fajësuar gjithashtu, sepse ka shtyrë Kinën që të rivlerësojë valutën e jenit, duke shpresuar se rënia e dollarit do të t'i heqë prodhuesit amerikanë nga qafa e saj. Ministrat tash e kanë thënë dëshirën e tyre, por pasojat nuk janë edhe aq të padukshme.

Inflacioni është rritur në mbarë botën për shkak të dobësisë së dollarit dhe çmimet e artikujve të domosdoshëm, sikur që është vaji dhe misri, kanë shënuar rritje. Dollari, në fakt, ka rënë për 25 për qind që prej vitit 2002, ndërsa në raport me Euron, vetëm gjatë këtij viti ka rënë për 8 për qind.

Gjuha e re e G-7 është e mirëseardhur në fjalorin e deritashëm që s'ka sjellë asgjë të re në raport me vlerat e këmbimeve dhe përcaktimin e tyre nga forca e tregut. Ky është një keqkuptim i madh në ekonominë moderne dhe ka qenë posaçërisht e vështirë për Departamentin e Thesarit që ta kuptojë një gjë të këtillë. Valutat nuk janë artikuj të përditshëm, sikur mielli apo platinumi. Ato janë mjete këmbimi.

Dhe, derisa valutat tregtohen lirshëm në një botë që noton në vlera të ndryshme këmbimi, furnizimi me dollarë, euro apo jen përcaktohet nga grupi i interesave të bankave qendrore. Janë këto banka ato që mund të ndikojnë në vlerën e këmbimit, duke sinjalizuar ndryshime në politikat e tyre monetare.

XS
SM
MD
LG