Ndërlidhjet

Mosnjohja e Kosovës – pengesë në integrimet evropiane


Harta e Komisionit Evropian
Harta e Komisionit Evropian

Mospranimi i Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së vështirëson ecjen e Kosovës kah integrimet evropiane, thonë zyrtarë të qeverisë dhe njohës të integrimeve evropiane.


Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur jashtë kësaj marrëveshjeje vetëm Bosnja dhe Kosova.

Mospranimi i pavarësisë nga të gjitha vendet e BE-së, sipas qeverisë dhe ekspertëve për integrime evropiane, do të jetë një nga problemet kryesore për ecjen e Kosovës kah integrimet evropiane.

Venera Hajrullahu, drejtoreshë e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, njëherësh ish- drejtuese e zyrës se qeverisë për integrime, thotë se kjo pengesë do ta ndjekë Kosovën derisa ajo të njihet nga të gjitha vendet e BE-së.

“Në aspektin formal janë disa pengesa objektive, që nuk mund t’i tejkalojmë. Mospranimi i pavarësisë së Kosovës nga një numër i vendeve anëtare të BE-së e bën të pamundur vendimin e Komisionit Evropian që të vazhdojë me fazat e ardhshme, në të cilat konsiston ky proces”, thotë Hajrullahu.

“Kështu që pak a shumë jemi këtu dhe vështirë që mund të lëvizim, përveç nëse Komisioni Evropian gjen ndonjë formë alternative që të ecet përpara përkundër kësaj pengese”, shton ajo.

Ngjashëm edhe shefja e Agjencisë për Integrime Evropiane, Sabiha Shala, thotë se pavarësisht suksesit eventual që mund të ndodhë në Kosovë në kuadër të arritjes së kritereve për anëtarësim, mosnjohja e shtetit të Kosovës do të jetë problemi kryesor.

“Pavarësisht nëse punojmë dhe i kryejmë të gjitha obligimet teknike, edhe pse është problem tjetër, çështja ekonomike, meqë duhet tejkaluar edhe sfidat tjera, duhet të kemi njohjen nga të gjitha vendet anëtare, sepse në momentin e nënshkrimit do të ketë pengesa, siç pati pengesa edhe dje në nënshkrimin e MSA-së mes Serbisë dhe BE-së, meqë Holanda dhe Belgjika kanë kundërshtuar dhe kanë thënë se nuk do ta ratifikojnë marrëveshjen, përderisa Serbia nuk bashkëpunon me Tribunalin e Hagës”, tha Shala.

Megjithatë, përveç problemit me statusin politik, Kosova, sipas analistëve, ka edhe shumë punë për të bërë në shumë fusha, e kryesisht për të përmbushur kriterin politik dhe atë të sundimit të ligjit.

Venera Hajrullahu kritikon qeverinë se nuk ka vënë korniza kohore për përfundimin e detyrave të caktuara.

“Institucionet e Kosovës ka ardhur koha që t’i qasen në mënyrë pak më strategjike kësaj agjende dhe pak a shumë t’i jepet njëfarë konture kohore asaj çka synojmë. Dhe, në përputhje me këtë plan strategjik, të shikohet në kapacitetet administrative, të cilat janë apo nuk janë në vend, që t’i përmbushim synimet – mendoj se këto janë gjërat urgjente”, thotë Hajrullahu.

Qeveria e Kosovës ka hartuar planin për integrim evropian për vitin 2008-2010.

Shefja e Agjencisë për Integrime Evropiane, Sabiha Shala, thotë se vetë periudha 2008-2010 tregon se qeveria ka vënë korniza kohore.

“Nuk e di, mund të jetë keqkuptim, sepse vetë titulli i planit, pra Plani për Integrim Evropian 2008-2010, është një konturë kohore, që tregon se kur do të ndërmerren këta hapa”, tha Shala.

Hajrullahu thotë se kjo gjë nuk është duke u parë në praktikë.

“Mund të bëhet një planifikim vetanak lidhur me atë se ku e shohim veten tash dy vjet, apo tri vjet, apo në raport sidomos me zhvillimet në rajon. Këtë nuk e kam parë”, tha Hajrullahu.

Deri tani, në mungesë të statusit, ndryshe nga vendet tjera, Kosova ka qenë e përfshirë në procesin e integrimit në BE përmes Mekanizmit Përcjellës të Asociim-Stabilizimit.

Por, edhe pas pavarësisë, ende nuk dihet se kur Kosova do të përfshihet në vetë Mekanizmin e Asociim-Stabilizimit.
XS
SM
MD
LG