Ndërlidhjet

"Pikat kufitare qenë shkatërruar me dijen e UNMIK-ut, SHPK-së"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Mjafton një "selam" nga Qeveria dhe e tërë puna e Kuvendit të Kosovës merr kah tjetër. Institucioni më i lartë i vendit, i udhëhequr nga Jakup Krasniqi, i nënshtrohet shpesh një kontrolli nga Qeveria e Hashim Thaçit, edhe pse në bazë të Kornizës Kushtetuese duhet të jetë e kundërta. Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, Kuvendi nuk e kishte rolin kryesor. Njëjtë ndodhi edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila u miratua pa debat. Kështu ndodh edhe kur miratohen ligjet e Pakos së Ahtisaarit, apo kur Qeveria flet për 100-ditshin e saj. E gjithë kjo, nga deputetja Besa Gaxherri konsiderohet si instalim i një regjimi jodemokratik dhe një tendencë që Qeveria e Kosovës të kontrollojë gjithçka. Gaxherri, deputete e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, mendon se Qeveria po mundohet ta shtrijë ndikimin e saj edhe mbi Kuvendin e Kosovës. "Kemi disa raste kur Kuvendit i janë marrë kompetencat nga Qeveria dhe Presidenca. Për të qenë më e saktë, po përmendi shpalljen e pavarësisë se Kosovës, ku rolin kryesor është dashur ta ketë Kuvendi i Kosovës. Po ashtu, nënshkrimi i Kushtetutës së Kosovës nga Komisioni Kushtetues, para se ai të kalojë në Kuvend, miratimi i ligjeve të Pakos së Ahtisaarit, të cilat miratohen pa të' drejtë debati, puna 100-ditore e Qeverisë...". Një fakt tjetër më të freskët, Gaxherri e përmend edhe seancën e fundit, kur Kuvendi i Kosovës u përgatit ta nxirrte një rezolutë kundër zgjedhjeve serbe, por e tëra, pas presioneve nga jashtë, u minimizua në një deklaratë...

EXPRESS
Për çështjen e Kosovës nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë zgjidhje të negociuar, ka thënë emisari amerikan, Frank Wisner, në një debat të organizuar nga American Bar Association (Shoqata e Juristëve Amerikanë), të mërkurën, në Uashington. Pas një ligjërate për historinë e Kosovës dhe rrjedhën e procesit të statusit, të mbajtur nga ambasadori Wisner, ekspertë ligjorë amerikanë dhe pjesëmarrës tjerë kanë debatuar rreth çështjes se a është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare shpallja e pavarësisë së Kosovës. Rasti i Kosovës është sui generis dhe çdo përpjekje për të shfrytëzuar këtë rast për zgjidhen e konflikteve tjera ndëretnike, duhet kundërshtuar fuqishëm, ka thënë Wisner, i cili ka përfaqësuar SHBA-të në bisedimet e udhëhequra nga Martti Ahtisaari, si dhe në procesin e Treshes. "Historia e dhunshme e Kosovës, qeverisja e saj nga OKB-ja e jo nga Serbia për më shumë se tetë vjet, e bën Kosovën të veçantë në rajon dhe jashtë rajonit", ka theksuar ai...

KOHA DITORE
Strukturat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë kanë qenë në dijeni se do të sulmohen pikat kufitare në veri të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Mirëpo, edhe me gjithë informacionet që i kishin marrë nga shërbimet e zbulimit, UNMIK-u dhe Shërbimi Policor i Kosovës nuk kishin ndërmarrë masa për të parandaluar incidentet në këto pika kufitare, të cilat për dallim nga vija kufitare, nuk janë përgjegjësi e KFOR-it. Burime të gazetës brenda këtyre strukturave i kanë pohuar gazetës se këto informacione policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja i kishin marrë së paku dy ditë përpara se të ndodhnin incidentet në pikat kufitare. "Dy ditë para se të sulmohen kufijtë, kemi pasur informacionin për veprimet e serbëve. Informacionet kanë qenë nga burime të ndryshme dhe kredibile", ka pohuar njëri nga këto burime të gazetës, duke folur me kusht anonimiteti. Mirëpo, një pohim i tillë nuk është konfirmuar e as që është mohuar nga zyrtarët e UNMIK-ut dhe SHPK-së, të cilët refuzojnë të flasin për këtë incident, me arsyetimin se rasti është ende nën hetime...

INFOPRESS
Duke komentuar deklaratat e fundit për mundësinë e funksionimit të dy administratave ndërkombëtare në Kosovë, analisti Behlul Beqaj ka thënë për 'Infopress' se shteti ligjor, çdo kund në botë, funksionon në bazë të një rendi juridik. Dhe, sipas tij, në rast se në Kosovë funksionojnë dy rende juridike, qoftë edhe të mbikëqyrura ndërkombëtarisht, ato janë thelbësisht të ndara, pavarësisht se si i konsiderojnë të tjerët. "Ndarjes i ka paraprirë udhëzimi administrativ në bazë të të cilit PSSP ia ka vazhduar serbëve pushtetin në 5-6 komuna pa dalë në zgjedhje komunale dhe parlamentare të Kosovës. Ndërsa, në maj, këtë do ta bëjnë vetë serbët përmes Serbisë. Kur ndërkombëtaret e shkelin parimin e parë të shtetit ligjor (atë të barazisë para ligjit), çdo gjë tjetër është e mundur", vlerëson Beqaj. Ndërkaq, vazhdimi i qëndrimit të UNMIK-ut në Kosovë edhe pas datës 15 qershor, sipas analistit Beqaj, ka ardhur si pasojë e Rezolutës 1244. "Rreziku kryesor është Rezoluta 1244, e cila Serbisë ia garanton sovranitetin ndaj Kosovës e jo mbetja apo jo e UNMIK-ut, i cili mund të transformohet edhe në EULEX", është shprehur Beqaj...

EPOKA E RE
Raporti më i fundit për terrorizmin i Departamentit Amerikan të Shtetit flet për ekzistimin e disa elementeve shqetësuese që kërcënojnë sigurinë në Kosovë. Raporti i publikuar të shtunën, alarmon për ekzistencën e numrit të madh të OJQ-ve, duke konstatuar se disa nga 400 prej tyre mund te kenë qenë të përfshira në rrjetin e organizatave që financojnë dhe ndihmojnë terrorizmin. Raporti ka theksuar se shqetësimi më i madh në Kosovë janë kufijtë, të cilët në disa zona nuk janë të kontrolluar sa duhet as nga forcat e policisë, e as nga KFOR-i. Sipas raportit, që thirret në informatat e marra nga Departamenti i Drejtësisë së UNMIK-ut, në Kosovë kanë ekzistuar disa raste të izoluara të personave që kanë pasur lidhje me terrorizimin, e të cilët janë hetuar dhe gjykuar. Njëri nga ta, është shkruar në raport, ka qenë pjesëtar i AKSH-së, një organizatë terroriste e shpallur nga UNMIK-u, në vitin 2003...

KOSOVA SOT
Maji nis me festën e njohur si një relikte e vendeve komuniste, por që bart idenë e një ditë të punëtorëve, një rast i mirë për të kumtuar diçka më shumë. Në vende të ndryshme, edhe në ato të përparuara, dufi i punëtorëve shpërthen dhe protestat shpesh degjenerojnë në përleshje me policinë, gaz lotsjellës. Në vendin tonë, deri kësaj here, Një Maji ishte vetëm “entertainment” (argëtim), ku shihje turma të mëdha njerëzish që i mësynin Gërmisë, kërcenin dhe këndonin, drekonin dhe darkonin, për ta shfokusuar tërësisht thelbin e datës. Sivjet, sjellja e përfaqësuesve të klasës punëtore ishte më e denjë. Sindikalistët mbajtën premtimin dhe protestuan duke i hapur frontin më të ri të presionit Qeverisë së Hashim Thaçit. Sindikatat, ndonëse i kanë hallet dhe ndasitë e veta, mund të ndikojnë fuqishëm në realizimin e më shumë të drejtave për punëtorët dhe në një trajtim më të mirë të sektorëve që mbahen ende me lëmosha...

BOTA SOT
Ekipi i posaçëm i OKB-së për hulumtimin e trazirave të 17 marsit të këtij viti në veri të Kosovës, ka filluar hetimet. Ata janë duke bërë intervista në terren dhe pastaj raportin e tyre do t'ia paraqesin Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i cili do të vendosë për procesin e mëtutjeshëm. Në këto trazira ishin përfshirë një numër i madh i serbëve huliganë të armatosur, të cilët kishin sulmuar me armë zjarri, mbushje molotovi dhe granata dore organet e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës, por edhe ato ndërkombëtare të KFOR-it dhe Policisë së UNMIK-ut, ku si rezultat mbetën dhjetëra policë të plagosur, ndër të cilët edhe një ushtar i KFOR-it ishte vrarë. Kjo më pas ka ngritur veprimet e organeve të sigurisë dhe KFOR-it, të cilët kishin arrestuar disa persona të përfshirë në këto aktivitete të dhunshme...

ZËRI

UNMIK-u ka vërejtur shenjat e para të hamendjes te disa nga liderët serbë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë, të thirrura për 11 maj, edhe brenda territorit të Kosovës. Kur kanë mbetur më pak se dy javë deri te këto zgjedhje, zyrtarë të misionit të OKB-së në Kosovë janë duke shpresuar që Komisioni Republikan Serb i Zgjedhjeve ta anulojë vendimin për t'i shtrirë këto votime edhe brenda territorit të Kosovës. Sipas zëdhënësit Aleksander Ivanko, qëndrimi i UNMIK-ut është i qartë kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë dhe për këtë ai ka thënë se nuk ka çka të bisedohet më tej me Beogradin. "Disa liderë serbë kanë filluar të mëdyshen. Nuk mund të premtoj nëse kjo mëdyshje do të rezultojë me anulim të zgjedhjeve brenda Kosovës. Por, së paku, kemi pare disa mëdyshje gjë që është fillim i mirë", ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, duke folur për zgjedhjet lokale serbe, të cilat do të mbahen në të njëjtën ditë me ato parlamentare...

XS
SM
MD
LG