Shumë nga banorët serbë të pjesës veriore të Mitrovicës kanë vendosur tashmë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale serbe, që pritet të mbahen këtë të diele edhe në Kosovë.
Zgjedhjet lokale serbe në Kosovën e pavarur konsiderohen të paligjshme nga UNMIK-u, i cili mban një qëndrim neutral rreth zgjedhjeve nacionale.
Por, serbët në Mitrovicë, pavarësisht këtij qëndrimi të UNMIK-ut, mendojnë se administrata e OKB-së duhet të respektojë vullnetin e serbëve të Kosovës.
Vojkan Dimiq është njëri nga ata që mendon se edhe në Kosovën e pavarur, serbët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Serbisë.
Për më tepër ai pret përmirësim të kushteve të jetës pas këtyre zgjedhjeve.
“Si të gjithë të tjerët, dua që të na përmirësohen kushtet, do të dëshiroja që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, do të doja që fëmijët tanë të kenë jetë më të mirë”.
“Ndërkaq, sa i përket qëndrimit të UNMIK-ut se nuk do të pranojë zgjedhjet, duhet kujtuar se ata janë këtu për shkak të popullit dhe ata duhet të respektojnë vullnetin e popullit, e jo populli të respektojë vullnetin e tyre”, thotë Dimiq.
Zgjedhjet lokale dhe parlamentare, përmes një deklarate i ka kundërshtuar edhe Kuvendi i Kosovës.
Përderisa Qeveria dhe Presidenca, për shkak të respektimit të parimit të dyshtetësisë, vazhdojnë të mbajnë një qëndrim neutral rreth zgjedhjeve nacionale, por i kundërshtojnë ato lokale.
Pavarësisht kësaj, Daniela Cvetanoviq, banore tjetër e Mitrovicës, thekson se do të dalë në zgjedhjet serbe në Kosovë.
“Pikësëpari pres një jetë më të mirë për ne serbët, por unë po ashtu pres një përmirësim të raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve, në mënyrë që për sa të jetë e mundur çfarëdo kompromisi ta arrijmë së bashku, ashtu që edhe ne, edhe ata, të kemi jetë më të mirë në të ardhmen”.
“Ndërkaq, mendoj se aktualisht zgjedhjet duhet të mbahen në tërë territorin e Kosovës dhe kjo do të jetë kështu derisa të gjitha vendet anëtare të OKB-së dhe të Këshillit të Sigurimit të mos e njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Cvetanoviq.
Zhelko Tvrdishiq ndërkohë ka dilemë nëse duhet ose jo të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
“Unë do të dal dhe do të votoj në zgjedhjet parlamentare. Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve lokale, ende nuk kam vendosur”, thotë Tvrdishiq, i cili mendon se qëndrimi kundërshtues i UNMIK-ut karshi zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, është pasojë e presionit të Qeverisë së Kosovës.
“E dimë se edhe vetë misioni i OKB-së në Kosovë është nën presion të madh nga shqiptarët e Kosovës, gjë që qartazi do të reflektohet edhe më 11 maj në zgjedhjet që do mbahen”.
“Sidoqoftë, UNMIK-u nuk duhet t’i konsiderojë të zgjedhurit që kanë marrë më pak se një mijë vota si legjitimë, e në anën tjetër të mos pranojë ata serbë të Kosovës që do t’i marrin dhjetëra mijëra vota”, thotë Tvrdishiq.
Nenad Jakovleviq është një tjetër serb që ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet e të dyja niveleve.
“Populli do të dalë me numër masiv në zgjedhje, në mënyrë që të tregojë se për kënd dëshiron të votojë, e jo atë që UNMIK-u e propozon dhe me kënd do të bisedojë UNMIK-u në lidhje me Kosovën, komunat, apo çfarëdo tjetër”, thotë Jakovleviq.
Pothuajse të gjitha subjektet politike në Beograd, rikthimin e sovranitetit mbi Kosovën e kanë vënë në fokus të fushatës elektorale.
Ndërkohë, vetë rënia e qeverisë ka qenë rezultat i kundërthënieve për Kosovën i partnerëve qeverisës.
Sidoqoftë, analistët kosovarë vlerësojnë se në rast se Serbia nuk heq dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, në aspektin praktik në mjediset serbe do të krijohet një konfuzion rreth administrimit të pushtetit lokal, ndërkaq nga pikëpamja politike, do të jetë ndërhyrja e parë e një shteti tjetër në punët e brendshme të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së saj.