Ndërlidhjet

WP: “Sundimi i Medvedevit”



"Washington Post"

Pak pasi bëri betimin si president i Rusisë, Dmitry Medvedev deklaroi: "Detyra më e rëndësishme për mua do të jetë t'i zhvilloj më tej liritë civile dhe ekonomike".

Mbi të gjitha, tha 42-vjeçari, ish-profesor i së drejtës, "ne duhet të arrijmë respekt të vërtetë për ligjin dhe t'i japim fund nihilizmit legal, i cili seriozisht e pengon zhvillimin modern”.

Kjo ishte një deklaratë e mrekullueshme në rrethanat aktuale.

Zoti Medvedev, mbi të gjitha, ia ka borxh pozicionin e tij "nihilizmit legal" të ish-presidentit Vladimir Putin, i cili me të madhe ka abuzuar si me fjalët, ashtu dhe frymën e Kushtetutës ruse, për të instaluar një pasardhës të hendikepuar.

Zoti Putin, kryeministri i ri, akumuloi një pasuri që vlerësohet në dhjetëra miliarda gjatë dy mandateve që shërbeu si president.

Në javët e kaluara, ai përsëri e ndrydhi ligjin, për t'u siguruar se do të mbetet udhëheqësi më i fuqishëm i Rusisë.

Nuk është e qartë se si do të jenë raportet e presidentit të ri dhe të vjetrit, a do të bëhet Medvedev kukull e Putinit apo do të fillojë të ushtrojë agjendën e vet.

Për këtë arsye, ia vlen që qeveritë e Perëndimit t'ia përkujtojnë fjalët e tij për pasionin ndaj ligjit dhe t'i sugjerojnë se si mund të veprojë.

Për fillim, zoti Medvedev duhet të pyetet sa çfarë do të bëjë për 14 rastet e pazgjidhura të gazetarëve të vrarë gjatë sundimit të Putinit.

Njëra prej tyre është Anna Politkovskaya, në rastin e së cilës u identifikuan shumë të dyshuar, por që kurrë nuk u gjykuan.

Britania duhet ta ftojë presidentin e ri të bashkëpunojë me akuzat e Skotland Yard-it kundër ish-agjentit të KGB-së për vrasjen e një kritiku të Putinit në Londër.

Nëse kjo është e vështirë, atëherë ndoshta mund t'i japë fund përdorimit të ligjit si mjet kundër liderëve të opozitës, organizatave të pavarura civile dhe grupeve për të drejtat e njeriut, të mos përmendim këtu bizneset ruse dhe të huajat, asetet e të cilave u lakmuan nga Kremlini dhe të afërmit e tij.

Disa intelektualë, të cilët e kritikuan qeverinë, janë burgosur nën akuza false për spiunazh.

Biznesmeni më i suksesshëm rus, Mikhail Khodorkovski, ende lëngon në një burg në Siberi, pasi kompania e tij, Yukos, u konfiskua.

Mbi të gjitha, presidenti George Bush dhe liderët tjerë të NATO-s duhet t'i kërkojnë zotit Medvedev që të fillojë ta respektojë ligjin ndërkombëtar.

Muajin e kaluar, gjatë presidencës së zotit Putin, Rusia vazhdimisht e cenoi sovranitetin e fqinjit jugor, Gjeorgjisë, duke i njohur regjimet separatiste në dy provincat e saj dhe duke dislokuar trupa në njërën prej tyre, në një lojë të rrezikshme me zjarrin.

Në kohën kur zoti Medvedev po merr zyrën, Rusia është duke shkuar drejt një konfrontimi të hapur me Perëndimin dhe drejt thellimit të autokracisë në vend.

Një shmangie drejt respektimit të ligjit, me të vërtetë do të ishte e mirëseardhur.
XS
SM
MD
LG