Ndërlidhjet

WSJ: "Gjeorgjia në rrezik"



"Wall Sreet Journal"

Veprimi i fundit më i rëndësishëm i Vladimir Putinit si president i Rusisë ishte ai që e solli Kaukazin në prag të një lufte tjetër.

Veprimi i tij i parë si kryeministër i Rusisë mund të jetë që këtë prag ta shtyjë edhe më larg.

Kohëve të fundit, Rusia po bën përpjekje të shtuara për ta rrëzuar qeverinë properëndimore në Gjeorgji.

Kjo strategji po realizohet duke shkaktuar telashe në dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë.

Muajin e kaluar, zoti Putin lëshoi një dekret për vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me autoritetet e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, te të cilat vetëm në letër Moska e njeh sovranitetin territorial të Gjeorgjisë.

Në realitet, Moska sundon në të dy rajonet dhe dekreti i afron ato edhe më shumë drejt inkorporimit brenda Rusisë.

Javën e kaluar, Rusia dërgoi forca shtesë dhe armatim të rëndë në Abkhazi, me arsyetimin se po e plotëson kontingjentin e lejuar prej 3000 trupash paqeruajtëse.

Në prill, një aeroplan rus rrëzoi një aeroplan spiunazhi pa ekuipazh të Gjeorgjisë mbi Abkhazinë, të cilën Rusia e njeh si hapësirë ajrore të Gjeorgjisë.

Dje, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë u kërcënua të dislokojë edhe më shumë trupa në rajon.

Presidenti Mikhail Saakashvili është detyruar t'i marrë në shqyrtim opsionet ushtarake përballë kësaj sjelljeje armiqësore të Rusisë, aneksimin e territorit gjeorgjian dhe sulmin e mundshëm nga forcat abkhaze të mbështetura nga rusët.

Por, ai duhet të jetë i kujdesshëm të mos bjerë në grackën e Rusisë, sepse konflikti i armatosur do të ishte dëshira më e madhe e Kremlinit.

Rusët janë të vetëdijshëm për rrezikun e provokimit të luftës me Gjeorgjinë.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Hadley, tha se Rusia duhet "të zmbrapset", por Perëndimi mund të shkojë edhe më tej.

NATO-ja duhet ta bëjë të qartë se nuk do të rrijë mënjanë në rast të sulmit të Rusisë kundër Gjeorgjisë, kurse Amerika mund ta zgjerojë rolin këshillëdhënës ushtarak në Gjeorgji.

Pavarësia e Kosovës, e cila ndodhet gjysmë kontinenti më larg, shpesh është cituar nga Rusia dhe disa idiotë në Perëndim, si pretekst legjitim për shkëputjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore nga Gjeorgjia.

Por, qëllimi i vërtetë i Rusisë është se gjatë 5 vjetëve të fundit nuk arriti të ndryshojë regjimin në Gjeorgji, ndërsa zoti Putin e ka bërë të qartë dëshirën e tij për rivendosjen e "sferës së influencës" së Rusisë në Kaukazin e pasur me energji.

Shkëndija për agresionin më të fundit të Rusisë nuk ishte Kosova, por Bukureshti.

Muajin e kaluar, në Samitin e NATO-s, Gjermania i bllokoi planet për t'i ofruar Gjeorgjisë dhe Ukrainës përfshirje në "planin aksional të anëtarësimit".

Në vend që këto shtete demokratike të përfshihen në rrugën e gjatë drejt NATO-s, Gjermania zgjodhi të jetë e mirë me Moskën.

Kremlini mund t'i nuhasë luhatjet e Perëndimit dhe nëse lejohet që ta bëjë të vetën në Gjeorgji, atëherë mesazhi për Ukrainën do të jetë i ngjashëm.

Siç ka thënë Zbigniew Brzezinski, vetëm me Ukrainën, Rusia përsëri mund të bëhet perandori.
XS
SM
MD
LG