Ndërlidhjet

A e parandien kafsha tërmetin?


Pasojat e tërmetit në Kinë, 12 maj 2008.
Pasojat e tërmetit në Kinë, 12 maj 2008.

Kafshët në zonat e goditura nga tërmeti i fundit në Kinë kanë filluar të kenë sjellje të çuditshme në prag të ngjarjes. Ekspertët besojnë se kafshët mund të ndjejnë dridhjet e tokës më herët, sesa njerëzit, por është vështirë të vërtetohet shkencërisht.


Zebrat, elefantët, luanët dhe tigrat në një kopsht zoologjik në qytetin Uahan, raportohet se kanë reaguar në mënyrë të çuditshme, në prag të tërmetit në Kinë.

Elefantët lëkundeshin, derisa zebrat u binin dyerve me kokë, raporton agjencia Associated Press, duke cituar "Uahan Evening Paper"

Joe Kirschvink, profesor në Universitetin Caltech është skeptik. Sipas tij, kafshët janë më të ndjeshme sesa njerëzit ndaj lëvizjeve, por ato duhet të jenë në afërsi shumë të madhe me epiqendrën e tërmetit, në mënyrë që reagimi i tyre të mund të lidhet me ngjarjen.

"Ka pak gjasa që ngjarja të zbulohet paraprakisht 600 kilometra apo më larg nga epiqendra e tërmetit. Sinjalet nga proceset gjeofizike rreth kësaj zone nuk transmetohen në distanca të largëta", tha Kirschvink.

Pjesë e problemit është fakti se pas një ngjarjeje si tërmeti, kujtesa e njerëzve bëhet më selektive dhe ndryshimi në sjellje mund të riinterpretohet.

"Historikisht, problemi me sjelljen e kafshëve që parashikojnë tërmetet, ka qenë pjesë e raporteve pas tërmeteve. Por, duhet dokumentuar sjelljet paraprake dhe në rastin e Kinës çështja bëhet intriguese, sepse sjelljet e bretkosave para tërmetit janë xhiruar", tha Kirschvink.

Në qytetin Mianzhu, mijëra bretkosa mbushën rrugët tri ditë para një tërmeti. Ky rast është vetëm një shembull i sjelljes së kafshëve në prag të ngjarjeve të tilla.

Që në lashtësi, historiani grek, Thucydides, përshkruante sjelljet e qenve, gjarpërinjve, buklave etj. në prag të një tërmeti të fuqishëm

Në vitin 1975, një tërmet në Kinë është parashikuar me sukses dhe banorët janë evakuuar pikërisht bazuar në sjelljet e kafshëve.

Mirëpo, në atë kohë, shkencëtarët nuk mund të shpjegonin këtë dukuri. Tani, shkencëtarët e kuptojnë se shumë nga sjellja e kafshëve ka bazë gjenetike.

Përmes mbijetesës së më të aftëve, pasardhësit e gjarpërinjve që janë larguar nga zonat e tërmeteve, kanë arritur të mbijetojnë deri në ditët e sotme, sepse diku në DNA-në e tyre posedonin njohurinë se kur toka dridhet, duhet të largohesh.
XS
SM
MD
LG