Ndërlidhjet

“NATO kërkon qartësi nga OKB-ja”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Havier Solana, sot (e enjte) në Stokholm, me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, do të bisedojnë se si BE-ja dhe OKB-ja mund t'i harmonizojnë veprimet në Kosovë, duke marrë parasysh se vendosja e misionit evropian EULEX do të shtyhet. Kështu ka deklaruar përfaqësuesja për shtyp e Solanës, Kristina Gallak, e cila ka sqaruar se nuk di se cilat janë planet e OKB-së për praninë e mëtejme të UNMIK-ut, veçanërisht pasi që më 15 qershor autoritetet në Prishtinë do ta shpallin të vlefshme Kushtetutën në tërë territorin e Kosovës. Kristina Gallak ka theksuar se "duhet të kuptohet se qëllimi i EULEX-it tregon praninë e BE-së në tërë territorin e Kosovës, por edhe duhet ditur se cilat janë planet e OKB-së kur është fjala për veprimin e mëtejmë të UNMlK-ut". Tani, me rëndësi thelbësore, ka theksuar ajo, është që të dihet se cilat janë vendimet, të cilat për UNMIK-un po i përgatisin Kombet e Bashkuara dhe se si do t'i qaset dhe përshtatet situatës pas 15 qershorit...

ZËRI
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Skefer, ka kërkuar mbrëmë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, që ta qartësojë pozicionin e tij për praninë ndërkombëtare në Kosovës pas 15 qershorit. Ban Ki-Mun dhe Jap de Hoop Skefer kanë biseduar dje, në Nju Jork, në një takim ku Kosova ka qenë tema kryesore e bisedës. Një zyrtar i NATO-s kishte deklaruar se Jap de Hoop Skefer do të kërkojë nga Ban Ki-Mun t'ia qartësojë se si do të ndryshojë misioni i OKB-së në Kosovë, atëherë kur të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturai, kishte thënë se Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate dëshiron të dijë se "kush çfarë do të bëjë" në Kosovë pas 15 qershorit. "Është e vërtetë se jemi në një periudhë tranzicioni. Interesi ynë si NATO është që rolet dhe përgjegjësitë të jenë të qarta dhe të vendosen resurse të mjaftueshme, në mënyrë që ata që janë përgjegjës për paqe dhe siguri brenda Kosovës, të dinë çfarë do të bëjnë", ka thënë ky zëdhënës...

EXPRESS
Hashim Thaçi ka zgjedhur të injorojë akuzat e rivalit Ramush Haradinaj me arsyetimin se nuk dëshiron të polemizojë me askënd e as të ngrehë tensione politike në vend. Haradinaj ka nisur një fushatë kritikash menjëherë pas kthimit nga Haga, e cila ditëve të fundit ka rezultuar me një fjalor të ashpër. Ai ka thëne se Qeveria udhëhiqet nga SHIK-u, e cila, sipas Haradinajt, është një organizatë kriminale. Kryeministri Thaçi, megjithatë, është përpjekur të reagojë më i matur të mërkurën, në stilin e të ndjerit Ibrahim Rugova dikur. "Nuk dua të polemizoj me askënd e as të reagoj", është shprehur Thaçi. Ai ka thënë se gëzon besimin e qytetareve të vendit dhe se nuk dëshiron tensionim të situatës, ndërkohë që nuk ka përmendur fare emrin e Haradinajt...

LAJM
Presidenca e Bashkimit Evropian ka konfirmuar edhe zyrtarisht se misioni evropian në Kosovë nuk do ta nisë punën ne afatin e përcaktuar më herët, më 15 qershor. Duke folur në Parlamentin Evropian, ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, vendi i të cilit e ka presidencën, tha se qëllimi i BE-së është që EULEX-i ta nisë punën sa më parë që është e mundur dhe të jetë i përfshirë në tërë territorin e Kosovës. "Duket se procesi është më i komplikuar seç kemi menduar fillimisht. Operacioni do të nisë të implementohet më vonë se ç'kemi planifikuar". Rupeli tha se vendosja e EULËX-it në Kosovë po vonohet për shkak të konsultimeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, Bashkimi Evropian synon që EULEX-i të shtrihet në gjithë Kosovën e jo vetëm në jug. 'Nuk duhet as të trimërohet e as të lejohet ndarja e Kosovës", tha Rupel...

BOTA SOT
Pas përzgjedhjes së tri propozimeve nga Komisioni përzgjedhës për himnin shtetëror të Kosovës, Kuvendi i Kosovës do të debatojë për këto propozime në një nga seancat e para që do të zhvillojë në fillim të qershorit. Sipas njoftimeve të komisionit përzgjedhës, dy prej propozimeve të përzgjedhura janë pa tekste, ndërsa njëri prej tyre me tekst. Sipas kritereve të përcaktuara në konkursin për himn që është shpallur në mars të këtij viti, himni i Kosovës nuk do të jetë i ngjashëm me asnjë prej himneve të shteteve të tjera e në veçanti me asnjë prej himneve të shteteve fqinje. Procesi i këtyre propozimeve për përzgjedhjen e himnit shtetëror të Kosovës, mendohet se do të përfundojë para 15 qershorit, kështu që me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, do të plotësohet edhe ky kriter i përmbushjes së shtetit të Kosovës me të gjitha simbolet shtetërore...

INFOPRESS
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi të mërkurën se Kosova nuk do të jetë vendi i parë, por as i fundit i rajonit që do të integrohet në strukturat e Bashkimit Evropian, ndërkohë rikonfirmoi qëndrimin ekzekutiv, se pas 15 qershorit institucionet vendore do të marrin kontrollin mbi gjithë territorin e Kosovës. Kryeministri i Republikës i bëri këto komente pas një takimi qe zhvilloi në Prishtinë me Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian. Thaçi tha se pas 15 qershorit, kur edhe hyn në fuqi Kushtetuta e re e Republikës, do të këtë një rikonfigurim të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë...

KOSOVA SOT
Sido që ta kapësh, ngado që ta llogaritësh, një gjë është e sigurt: Serbia ka mbetur aty ku ishte: në udhëkryq, mes Brukselit dhe Moskës, diçka më afër Moskës, për shkak të pozicionimit ekstrem të ish-kryeministrit Koshtunica në raport me integrimin e Serbisë në BE dhe kushtëzimit të këtij procesi me Kosovën. Vetëm se këtë radhë, pika kyçe për krijimin e qeverisë nuk janë më demokratët e Koshtunicës, por socialistët e ish-presidentit Milosheviq, ndërsa është rritur numri i faktorëve që kushtëzojnë shumicën parlamentare Më parë, qeverinë mund ta formonin vetëm partia e Tadiqit dhe ajo e Koshtunicës. Krahasuar me zgjedhjet e para një viti, situata është komplikuar sa i përket aritmetikës së votave në Parlament, pasi është shtuar numri i ekuacioneve dhe i të panjohurave të sistemit brendaparlamentar, që kushtëzojnë arritjen e një shumice. Serbia,shumë shpejt, do të duhet të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme...

KOHA DITORE

Aleanca Veriatlantike dhe Kombet e Bashkuara janë pajtuar që të mos lejojnë asnjë lloj boshllëku në sferën e sigurisë në Kosovë nga 15 qershori, kur gjërat në terren do të ndryshojnë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, dhe kreu i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, siç mëson gazeta, janë te pajtimit që gjërat të vazhdojnë të mbesin siç janë në terren, dhe që roli i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë të mos marrë rolin e policisë. "Është nevojitur pajtimi nga OKB-ja që të thuhet qartë se përderisa të merren vendimet politike, situata e sigurisë të mos mbetet peng, dhe që punën e policisë ta vazhdojë ta bëjë UNMIK-u, derisa të zgjidhen problemet e zbarkimit të EULEX-it”, i kanë thënë gazetës burimet e saj perëndimore. Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, roli i zbatimit të rendit dhe ligjit në vend parashihet të ndahet mes policisë kosovare dhe asaj evropiane, ndërsa policia e UNMIK-ut nuk ka një mandat të tillë, edhe pse OKB-ja po vazhdon të thirret në Rezolutën 1244 dhe ligjshmërinë që i atribuohet përmes saj. Por, në mungesë të qartësisë së mjaftueshme nga OKB-ja se çfarë do të jetë roli i pranisë së saj në Kosovë pas 15 qershorit, vetë NATO-ja ka dashur që të sigurohet se nuk do të ketë punë shtesë policore, dhe as dyfishim mandatesh nga ajo datë...


XS
SM
MD
LG