Ndërlidhjet

Economist: "Pushteti i ndarë"



"Economist"

Kur perandoria austro-hungareze i shpalli luftë Serbisë në korrik të vitit 1914, të paktë ishin ata që mund ta kenë imagjinuar se me këtë akt do të zhbëhej jo vetëm perandoria e Habsburgut, por edhe ajo ruse dhe otomane.

Askush nuk beson se sfidat që Serbia ka vënë përballë Bashkimit Evropian mbi Kosovën do të jenë aq dramatike; shumica e serbëve duan t'i bashkohen bllokut evropian, jo ta shkatërrojnë atë. Por, edhe më shumë se 100 ditë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia ka bërë një punë të mirë se ç'është pritur nga kushdo në përpjekjet për të trazuar planet e Bashkimit Evropian për Kosovën.

Më 15 qershor, Kushtetuta e re e Kosovës pritet të hyjë në fuqi. Me të, nuk parashihet asnjë rol për Kombet e Bashkuara, por problemet teknike dhe ligjore kanë nxitur zvarritje në zbarkimin e misionit evropian për rendin dhe ligjin. Për Zyrën Civile Ndërkombëtare, në krye të të cilit është Pieter Feith, një zyrtar i Kombeve të Bashkuara ka thënë se "ai dhe ekipi i tij janë turistë në Kosovë. Çfarë janë duke bërë aktualisht? Ata as që mund të marrin përsipër rolin që kanë, derisa ne jemi këtu".

Që prej pavarësisë, Qeveria në Beograd ka konsoliduar kontrollin mbi rajonet e banuara me serbë, duke përfshirë këtu edhe pothuajse gjithë rajonin në veri të Mitrovicës, duke rikujtuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë.

EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare nuk do të jenë në gjendje të operojnë në këto rajone. De facto, Kosova është e ndarë jo vetëm në rajone të banuara me serbë dhe shqiptarë, por gjithashtu edhe në rajone ku Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të operojnë dhe në ato ku misioni evropian do të marrë përsipër kontrollin. Për Bashkimin Evropian, thotë një diplomat, "është një operacion sa për të shpëtuar fytyrën, meqë planet tashmë janë prishur".

Meqë 15 qershori është gjithnjë e më afër, takime të njëpasnjëshme janë duke u zhvilluar për të gjetur një zgjidhje. Roli i Kombeve të Bashkuara tani është jashtëzakonisht i paqartë. I gjetur nën trysninë e të gjitha palëve, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka bërë pak përtej vendimit për të penguar transferimin e veturave, ndërtesave dhe pajisjeve në duart e misionit evropian.

Përpjekjet tani janë përqendruar në mundësitë për inkuadrimin e EULEX-it në autoritetin legjitim të Kombeve të Bashkuara, por deri më tash, nuk është arritur asnjë përparim. Për shqiptarët e Kosovës, ndërkaq, është gjithnjë e më e qartë se pavarësisht nga shpallja e pavarësisë, e ardhmja e tyre është ende e lidhur me atë të Serbisë.

Dhe, të etshëm për të fituar sa më shumë njohje të shtetësisë së tyre, shqiptarët aktualisht nuk janë duke bërë shumë zhurmë. Por, zoti Feith thotë se "atyre duhet dhënë një ndjenjë sigurie, se për interesat e tyre është duke u kujdesur dikush". Nëse nuk e fitojnë këtë ndjenjë, zoti Feith parasheh telashe.
XS
SM
MD
LG