Ndërlidhjet

Policët serbë pezullohen pa pagesë


Pjesëtarët serbë të SHPK-së
Pjesëtarët serbë të SHPK-së

SHPK, nga e premtja, ua ndalon të ardhurat mujore të gjithë pjesëtarëve serbë të suspenduar, të cilët që nga shpallja e pavarësisë nuk janë paraqitur në punë. Sidoqoftë, ata edhe më tej konsiderohen pjesëtarë të SHPK-së.


Rreth 300 pjesëtarëve serbë të Shërbimit Policor të Kosovës, të cilët nuk janë paraqitur as sot në punë, SHPK-ja u ka ndaluar dhënien e pagave mujore. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se ky vendim do të fuqizohet nga zëvendëskomisari i policisë, Sheremet Ahmeti.

“Ka qenë rekomandim i Inspektoratit Policor të Kosovës në rastin e kolegëve tanë serbë, që suspendimi me pagesë të ndërpritet. Kolegët tanë, të cilët janë suspenduar me pagesë, janë urdhëruar që të paraqiten në punë sot, në orën tetë. Kolegët tanë konsiderohen të jenë pjesëtarë të SHPK-së deri në një vendim tjetër dhe ne vazhdimisht kemi kërkuar nga ta që të kthehen në vendet e tyre të punës”, tha Elshani.

Pjesëtarët serbë të SHPK-së në rajonin e Prishtinës, Gjilanit, Pejës, si dhe pjesëtarë të policisë kufitare, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk kanë përfillur urdhrat e komandës së SHPK-së dhe kanë kërkuar që t’i binden vetëm policisë së UNMIK-ut.

Mirëpo, tashmë në këto rajone, stacionet policore janë pavarësuar dhe komandohen vetëm nga SHPK-ja. Elshani thotë se pjesëtarët serbë, të gjetur nën presion, kanë vendosur që të bojkotojnë policinë kosovare.

“Ne e kuptojmë që ata janë nën presion, ne e kuptojmë që është një situatë e tillë që ata duhet të vendosin nëse duan të punojnë në kuadër të SHPK-së, në shërbim të komunitetit të tyre. Sidoqoftë, ne gjithmonë i kemi inkurajuar ata që të kthehen dhe të punojnë”, tha Elshani.

Në anën tjetër, njëri nga liderët e serbëve të Kosovës, Rangjel Nojkiq, thotë se përgjegjësinë në lidhje me problemin e pjesëtarëve serbë të SHPK-së e bartin të gjitha palët - Beogradi, institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar.

“Mendoj se ky proces me policët e Kosovës ka qenë shumë i lënë anash nga të gjitha anët, ashtu që paraprakisht po pësojnë edhe familjet e atyre njerëzve, statusi i të cilëve nuk është zgjidhur. Ne anën tjetër, po krijohet një tension mes SHPK-së dhe banorëve. Përderisa policia nuk i përgjigjet strukturës së banorëve në mënyrë normale, është evidente, ashtu edhe siç kemi parë, se do të ketë shumë tensione dhe mospajtime”, tha Nojkiq.

Inspektorati i Policisë do të vendosë nëse pjesëtarët serbë, tashmë të suspenduar pa pagesë, do të mbeten edhe më tej pjesë e SHPK-së, apo do të zëvendësohen me pjesëtarë të rinj të komunitetit serb.
Ndryshe, me kërkesë të Qeverisë së Beogradit, pas shpalljes së pavarësisë, serbët e Kosovës kanë bojkotuar institucionet vendore në të gjitha lëmit.

Në veriun e Kosovës, punonjësit e drejtësisë tashmë kanë filluar të punojnë për Qeverinë serbe, përderisa e njëjta është pohuar të ketë ndodhur edhe me pjesëtaret e SHPK-së. Por, një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
XS
SM
MD
LG