Ndërlidhjet

KSHZ: Prijnë VMRO-DPMNE dhe BDI


Pamje nga tubimet parazgjedhore në Maqedoni
Pamje nga tubimet parazgjedhore në Maqedoni

VMRO-DPMNE e kryeministrit Gruevski ka fituar 48.33% të votave në zgjedhjet në Maqedoni. Në mesin e partive shqiptare kryeson BDI-ja e Ali Ahmetit me 11.09 %. Rezultatet janë bërë të ditura nga KSHZ-ja.


Në bazë të rezultateve paraprake nga 98 % e vendvotimeve të numëruara, Komisioni Shtetëror Zgjedhor bën te ditur se VMRO DPMNE-ja në nivel republikan ka arritur të fitojë gjithsejtë 479. 219 vota ose 48,33 % të votave, ndërsa LSDM-ja vetëm 231.978 ose 23.39 % të votave. Tek blloku i partive shqiptare, sipas KSHZ-së, BDI-ja ka fituar numrin më të madh të votave. Për këtë parti në zgjedhjet e së dielës kanë votuar gjithsej 109. 940 votues ose 11.09 % e elektoratit. PDSH-ja, nga ana tjetër, ka marë 101.123 vota, përkatësisht 10.20 %.

Pas kësaj, kryetari i VMR-DPMNE-së dhe kryeministri Nikolla Gruevski tha se fitorja e subjektit që ai drejton është historike, duke siguruar shumicën parlamentare.

“VMRO-DPMNE dhe koalicioni për një Maqedoni më të mirë do të ketë mbi 60 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë”, ka theksuar Nikolla Gruevski, duke premtuar se do të angazhohet për realizimin e agjendës së platformës politike të koalicionit të VMRO-DPMNE-së, që do të mundësojë, siç ka theksuar ai, një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Menjëherë pas kësaj, blloku opozitar, i kryesuar nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, e ka pranuar humbjen.

“Uroj koalicionin dhe VMRO-DPMNE-në për rezultatet zgjedhore”, tha Radmilla Shekerinska, drejtuese e opozitës maqedonase, duke shtuar se çmimin që paguan Maqedonia për këtë fitore të Gruevskit është largimi shumë hapa prapa i integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Në mesin e partive shqiptare, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga votat e numëruara në 82 për qind të vendvotimeve, Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit është në përparësi prej 10 mijë votave ndaj Partisë Demokratike Shqiptare.

Por, Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së, thotë se partia e tij ka fituar me 19 deputetë kundrejt 10 deputetëve të BDI-së.

“Është fitorja më e rëndë, më e vështirë, por më e lezetshme për Partinë Demokratike Shqiptare”, është shprehur Menduh Thaçi.

Nga ana tjetër, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, mbrëmë ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të njohë rezultatet në ato zona ku ka pasur parregullsi.

“Për ne, rezultatet e zgjedhjeve janë të papranueshme. Kërkojmë ripërsëritjen e procesit”, ka thënë Ali Ahmeti.

Gjate procesit të djeshëm zgjedhor ka pasur shkelje serioze të ligjit sidomos në zonat e banuara me shqiptarë. Një preson është vrarë, kurse disa të tjerë janë plagosur, ndërkohë që në shumë vendvotime, në njësinë zgjedhore 2 dhe 6, vise këto të banuara kryesisht me shqiptarë, kutitë e votimit ose janë mbyllur tërësisht, ose nuk kanë funksionuar me kapacitet të plotë gjatë ditës së djeshme.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thekson se me rezultate të plota do të dalë sot në mesditë.
XS
SM
MD
LG