Ndërlidhjet

"Zgjedhjet e përgjakshme"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Degjenerimi i procesit zgjedhor, të dielën në Maqedoni, është një njollë e madhe, veçanërisht për shqiptarët, të cilët nuk arritën të përmbaheshin dhe të tregonin një kulturë demokratike dhe emancipim në këtë proces të rëndësishëm. Zgjedhjet e parakohshme, si duket, ishin të pakapërdishme për subjekte apo individë të caktuar, të cilët provokuan dhunën dhe u bënë kështu imazhi negativ i ditës në ekranet televizive të botës. Një Maqedoni që mbeti pa e marrë ftesën e anëtarësimit në NATO dhe që hyri në votome pas krizës politike në qeverisjen e vendit, dëshmoi dje se është shumë e brishtë dhe se e ka të vështirë ta ruajë stabilitetin e saj. Nëse bëjmë një krahasim, Kosova, megjithëse një shtet më i ri, është më stabile, sidomos kur është fjala për proceset zgjedhore. Shqiptarët e Kosovës kanë treguar maturi dhe pjekuri politike sa herë kanë shkuar te kutia e votimit dhe, pavarësisht rezultateve, asnjëherë nuk ka pasur incidente të tilla. Por, Maqedonia është një terren krejtësisht tjetër, jokompakt, kur interesat partiake, brutaliteti politik, lidershipi meskin, krijojnë një realitet jonormal për një demokraci të shëndoshë...

KOHA DITORE
Një person është vrarë dhe nëntë janë plagosur në dhunën që ka shpërthyer të dielën në ditën e votimeve për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni. Mbushjet e kutive dhe krismat fatale të "militantëve" partiakë vlerësohet të kenë degjeneruar imazhin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe të kenë varrosur perspektivat euroatlantike të tyre dhe të vetë shtetit. Në disa vende, votimet janë ndalur për shkak të konflikteve të armatosura. Dy zyrtarë në Tetovë janë mbajtur nga një grup i armatosur dhe janë liruar vetëm disa orë më pas. Të paktën 17 vendvotime janë mbyllur para kohe dhe pritet qe në to të ketë përsëritje votimesh. Frikë, tension dhe pasiguri është ndier gjatë gjithë ditës së diel në vendbanimet shqiptare pas informatave trishtuese për incidentet zgjedhore. Situata ka nisur të tensionohej që në orën 7, kur ka nisur votimi për zgjedhjet e reja parlamentare. Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni janë konsideruar si vendimtare në përpjekjet e këtij shteti për anëtarësim në NATO dhe në BE...

ZËRI
Një qershori, data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni, dëshmoi sa të jashtëzakonshme janë marrëdhëniet midis partive kryesore politike që tubojnë shqiptarët e këtij shteti fqinj të Kosovës. Duhet thënë të mbramën, apo atë kryesoren menjëherë, pa detajuar shumë: Stabiliteti i Maqedonisë, krijimi i një pushteti të ri demokratik në Maqedoni, është interes jetik i shtetit të Kosovës. Ky konkludim nuk lidhet vetëm me punën e njohjes së shtetit të Kosovës prej Shkupit zyrtar, që ka rëndësi strategjike për Kosovën, sepse ka rëndësi kapitale që të gjitha shtetet fqinje të Kosovës (duke përjashtuar këtu Serbinë), ta njohin Kosovën. Marrëdhëniet e Kosovës me Maqedoninë kanë një mori specifikash, të cilat i bëjnë ato shumë të veçanta dhe të rëndësishme, dyanshëm të rëndësishme. Njohja e Kosovës nga Maqedonia ka një domethënie të veçantë edhe për vetë Shkupin zyrtar. Por, kjo temë, së paku nën breshërinë e lajmeve të këqija që vijnë nga shumë vendvotime në Maqedoni, duket aktualisht e tepërt, apo ajo është një hap final në proceset që duhet të fillojnë menjëherë në Shkup dhe kudo tjetër ku ka shqiptarë, për ta shtensionuar gjendjen, për ta ndalur një rrjedhë shumë të keqe dhe edhe më të rrezikshme, që kërcënon perspektivën politike të shqiptarëve të Maqedonisë...

EPOKA E RE
Serbia do të vazhdojë ta shfrytëzojë arsenalin e saj diplomatik, politik dhe ligjor, kur bëhet fjalë për Kosovën, ndërsa, në shtator, planifikon t'i propozojë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një rezolutë, me të cilën do të kërkohet nga Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë mendimi rreth legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka deklaruar ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, gjatë fjalimit të tij në takimin e Organizatës së Shteteve Amerikane, në Bogota. Ai u ka bërë thirrje shteteve të OAS-it, të mbesin të përmbajtura kur bëhet fjalë për statusin e Kosovës, derisa Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë të mos diskutojë për këtë, siç është shprehur ai, "çështje kyçe"...

EXPRESS
Ambasadori amerikan ne Beograd, Cameron Munter, ka thënë se SHBA dëshiron të ndihmojë popullin serb, por se Qeveria e ardhshme duhet të jetë e hapur për një bashkëpunim të tillë. Munter është shprehur i bindur se Serbia do të mbetet tek vendimi për të lëvizur përpara drejt Evropës. "Unë pres një kohë kur ne do të jemi në gjendje të punojmë me partitë pro-evropiane dhe qeverinë pro-evropiane në Serbi", ka thënë Munter për Veçernje Novosti. “Ka shumë terren të përbashkët mbi të cilin ne mund të punojmë". Ai ka shfaqur skepticizëm për bashkëpunim ekonomik dhe kulturor nëse do të formohet "një qeveri Koshtunica-Sheshel"...

LAJM
Akuzat që këto ditë Ramush Haradinaj po ia bën Hashim Thaçit, si revansh për t'u barazuar, mund të përshkallëzohen dhe të çojnë te ndonjë konflikt jopublik mes dy ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dy proveniencave regjionale, vlerësojnë analistët. Fërkimet mes liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Thaçit, dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinajt, nuk kanë filluar tani. Politologu Behlul Beqaj thotë se resentimani i ndërsjellë mes Thaçit e Haradinajt daton nga ditët e luftës. "Besoj se nuk është vetëm i natyrës personale, por edhe proveniencës regjionale", tha Beqaj per "Lajm". Sipas tij, pas luftës, Haradinaj, përkundër shumë problemeve dhe vonesave politike dhe partiake, u tregua më i shkathët se Thaçi, për të thyer barrierën mes krahut të luftës dhe atij të njohur si "rezistencë paqësore" dhe të personifikuar me ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova. "Haradinaj fitoi besimin e liderit të pavarësisë dhe kaloi në epërsi politike karshi rivalit të luftës. Kjo simbiozë i prishi rregullat e lojës që donte t'i imponojë Thaçi, si trashëgues ekskluziv i luftës çlirimtare...”

INFOPRESS
Nëse për UNMIK-un dhe serbët e veriut të Kosovës është provokim nëse një nga të paktët shqiptarë që jetojnë atje vendosin të ndërtojnë diçka në pronat e tyre, për serbët ndodh e kundërta. Mbishkrimi 'Kosova është Serbi', i cili është vendosur pranë ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, konkretisht në lagjen e quajtur 'Lagjja e Boshnjakëve', duket të mos jetë pengesë e as provokim as për UNMIK-un, i cili administron me atë pjesë të qytetit. Andaj, të shtyrë nga mospërkujdesja institucionale që prej përfundimit të luftës, banorët shqiptarë të zhvendosur nga pjesa veriore e Mitrovicës tanimë kanë humbur shpresat se një ditë do të kthehen aty ku i kanë edhe pronat e tyre. Ata thonë se kanë pasur oferta të shumta për shitjen e pronave në pjesën veriore, mirëpo këtë nuk e kanë bërë deri më tani, duke shpresuar se një ditë do të kthehen atje. Mirëpo, vështirësia e banimit dhe pagesat e larta të qirave që paguajnë, duket të kenë detyruar ata që të mendojnë të shesin pronat, në mënyrë që të zgjidhin problemet e banimit...


XS
SM
MD
LG