Ndërlidhjet

“Strukturat paralele do bëhen deri më 14 qershor?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Serbëve të Kosovës u është caktuar afat nga ministri serb Sllobodan Samarxhiq, që të formojnë kuvendet paralele komunale bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit. "Koordinatorët komunalë kanë marrë instruksione se si t’i konstituojnë kuvendet në mënyrën më të mirë, ashtu që jo vetëm Beogradi, por edhe misioni i Kombeve të Bashkuara të fillojë gradualisht të kooperojë me këto komuna, sepse ato kanë legjitimitetin e popullit serb", ka thënë Samarxhiq. Ai ka thënë se kuvendet komunale duhet të formohen deri më 14 qershor, duke mos elboruar me shumë. Sidoqoftë, administrata e UNMIK-ut dhe Qeveria e Kosovës vazhdojnë t'i konsiderojnë zgjedhjet lokale serbe të 11 majit si ilegale dhe jolegjitime, dhe si të tilla edhe pasojat e tyre. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka thënë të hënën se intenca e Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e strukturave paralele të pushtetit lokal në Kosovë është e papranueshme dhe e pazbatueshme...

EPOKA E RE
Askush nga Beogradi nuk do ta kërkojë njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, por nuk mund të kërkohet nga BE-ja të mbështetet Serbia, ndërsa Beogradi në të njëjtën kohë kundërshton përpjekjet e BE-së për stabilizimin e Kosovës, ka thënë ish-zëvendësi i të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan. "BE-ja nuk mund ta financojë sabotazhin e misionit të vet në Kosovë", ka theksuar Rohan në një artikull autorial në gazetën "Prese" të Vjenës. Njëherësh ai ka kërkuar që presidenti serb Tadiq të gjejë një diskurs më të moderuar, kur bëhet fjalë për dënimin e aktiviteteve të Brukselit në Kosovë. Sipas Rohanit, problemi akut në Kosovë do të dalë në shesh në gjysmën e qershorit, kur UNMIK-u përfundon aktivitetet e veta dhe ia dorëzon kompetencat Qeverisë së Kosovës, përkatësisht misionit të BE-së. Rohan ka vlerësuar se për arsye praktike do të ndodhë shtyrja e vendosjes së plotë të EULEX-it në Kosovë...

INFOPRESS
Edhe pse prej përfundimit të luftës e deri më tani misioni i UNMIK-ut ka ndihmuar në një formë apo tjetër institucionet e Kosovës për të kaluar fazën tranzitore deri në ndërtimin e shtetit, në të shumtën e rasteve ky mision ka treguar edhe anën tjetër të medaljes. Nëse në disa pjesë të Kosovës një mision i tillë ka arritur që këto vite të pasluftës të vendosë rendin dhe ligjin, në pjesën më të ndjeshme të saj është treguar tejet i pasuksesshëm apo të mos themi ka zhvendosur rendin dhe ligjin. Fjala bie për pjesën veriore të Mitrovicës, pjesë kjo e cila është lënë nën mëshirën e strukturave paramilitare serbe, të cilat operojnë atje. Djegia e pikës kufitare në atë pjesë dhe mosfunksionimi i gjykatave atje, nuk mund të quhet me ndonjë emër tjetër, përveçse dështim i misionit të UIMMIK-ut. Ndërkohë që një dështim i tillë ka pasuar lulëzimin e kontrabandës me mallra, të cilat hyjnë nga Serbia, fenomen ky që është duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës në një masë të madhe. Edhe më shqetësuese bëhet situata kur përflitet për vazhdimin e mundshëm të misionit të UNMlK-ut në Kosovë, me tendencë që një mision i tillë të operojë në pjesët e banuara me serbë, me theks të veçantë në pjesën veriore...

KOSOVA SOT
Një mbledhje e paplanifikuar në mes të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe shefave të grupeve parlamentare, e mbajtur në orët e paradites së djeshme, ka mjaftuar që të merret vendimi për tërheqje mbrapa të një vendimi të mëhershëm të Kryesisë që në seancën e djeshme të mos miratohet një deklaratë kundër ish-kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte. Në reagimin e tij para gazetarëve, deputeti Berat Luzha, i cili ka qenë iniciatori i parë që ka kërkuar nga Kuvendi nxjerrjen e një rezolute ose deklarate kundër akuzave të Del Pontes për ish-UÇK-në në librin e saj, tha se nuk ka fare kuptim tërheqja nga rendi i ditës i çështjes. Ai u shpreh se ka informacione anësore për presion ndërkombëtar mbi Kuvendin që kjo deklaratë të mos bëhet... Kryekuvendari Krasniqi mohoi të ketë pasur farë presioni ndërkombëtar lidhur me çështjen e ngritur. “Nuk është bërë për shkak të presioneve të jashtme, po është bërë për shkak të interesit të zhvillimeve politike në Kosovë dhe natyrisht që për ndonjë çështje, ne kemi nevojë për konsultime shtesë”, tha Jakup Krasniqi...

KOHA DITORE
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, parimisht ka caktuar këtë javë për t'iu përgjigjur shumë pyetjeve të ngritura rreth së ardhmes së pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Parimet mbi të cilat do të shtrihet mandati i OKB-së dhe Bashkimit Evropian në terren, thuhet se megjithatë kanë shumë gjasa që t'i kapërcejnë mosmarrëveshjet politike ndërmjet dy qendrave në një afat shumë të shkurtër. Si i tillë, ky parakusht do të çojë edhe në miratimin formal të vendimit për zbarkimin e evropianëve. "Në parim, ajo që do të nënkuptohet nga Sekretari i Përgjithshëm do të jetë që mosvendosmëria e OKB-së për t'ia lënë BE-së timonin e Kosovës, bën që megjithatë të mos jetë e sigurt as OKB-ja për hapin e saj në të ardhmen", thonë burimet e gazetës. Në Prishtinë, ka ndërkombëtarë që këtë formulë rikonfigurimi që do ta paraqesë kreu i OKB-së, e përshkruajnë edhe me batutën që thotë: "Zakonisht jam i pavendosur, por sot nuk jam i sigurt as për këtë çështje". Paraqitja e mundshme publike e këso qëndrimi të OKB-së lë hapësirë edhe për vetë BE-në që të fillojë së rinegociuari mandatin e misionit të saj për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, i cili nuk parasheh fare që kreu i misionit, Yves de Kermabon, t'i japë llogari OKB-së...

LAJM

Përfaqësuesit e partive të “vogla" politike ende nuk kanë marrë përgjigje nga presidenti i Kosovës lidhur me kërkesën për inkuadrimin e tyre në konsultat për krijimin e Ligjit Zgjedhor. Konsensusi i arritur mes partive të mëdha për parimet kryesore të këtij ligji, ka krijuar pakënaqësi të mëdha te partitë që në zgjedhjet e kaluara nuk kanë marrë numër të konsiderueshëm votash. Ata kërkojnë përfshirjen e tyre në konsultat e ardhshme, nëpërmjet të cilave shpresojnë të ndryshojnë disa kritere, siç është numri i zonave dhe pragu zgjedhor. Para një jave, udhëheqësit e tetë partive, pas një takimi të përbashkët, i kanë drejtuar një kërkesë me shkrim presidentit Fatmir Sejdiu, që të inkuadrohen në këto konsulta. Por, deri më tani ende nuk kanë marrë përgjigje. Kryetarja e Partisë Reformiste ORA, Teuta Sahatçiu, udhëheqëse e idesë për inkuadrimin e partive të "vogla" në përgatitjen e Ligjit Zgjedhor, tha se presidenti Sejdiu ende nuk u ka kthyer kurrfarë përgjigjeje partive që kërkojnë të marrin pjesë në hartimin e Ligjit...

ZËRI
Edhe pse e kufizuar në rajonet me popullatë shumicë shqiptare, dhuna mund të forcojë bindjen në kokat e Perëndimit se shtatë vjet pasi që u parandalua zhytja e këtij vendi në luftë qytetare, kallashnikovët mbesin pjesë e procesit politik në Maqedoni. Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, shënoi fitore bindëse në zgjedhjet e së dielës, por dhuna që karakterizoi këto zgjedhje mund të nxisë ndarjet dhe të shtyjë përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. Partia konservatore e Gruevskit, VMRO-DPMNE, do të ketë shumicën më të madhe në Parlament, që është shënuar gjatë dekadës së kaluar, duke përfituar nga intensifikimi i ndjenjave nacionaliste, për shkak të hidhërimit ndaj Greqisë, e cila në prill bllokoi NATO-n që t'i dorëzojë Maqedonisë ftesën për anëtarësim.
Fitorja përligji vendimin kundërthënës të Gruevskit për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme, duke u mbështetur në llogarinë se hidhërimi për mosftesën nga ana e Aleancës do ta forcojë atë dhe se do t'i sigurojë një mandat më të fuqishëm gjatë katër viteve të ardhshme. Por, me një të vrarë dhe nëntë të tjerë të plagosur, disa vëzhgues kanë fajësuar Gruevskin se ka injoruar rrezikun nga dhuna në mesin e 25 për qind të banorëve shqiptarë të Maqedonisë, të ndarë ndërmjet dy partive të armiqësuara, që të dyja me lidhje me grupet e armatosura...

BOTA SOT
Kuvendi i Kosovës miratoi në parim me shumë vështirësi Projektligjin për Punën, ndonëse ai u kundërshtua vetëm nga Grupi Kuvendar i AAK-së. Vështirësia më e madhe për miratimin e projektligjit u krijua nga mungesa e deputetëve në seancë, të cilët vetëm pasi u thirren të paktën tri herë, mezi arritën të krijonin kuorumin (61), me 63 deputetë, nga të cilët vetëm 59 votuan, përkatësisht 49 ishin për, 7 kundër dhe tri abstenime. Meqenëse për miratimin e një ligji mjafton shumica e thjeshtë, është për t’u diskutuar çështja kur nuk merr pjesë në votim shumica e thjeshtë si në këtë rast. Projektligji është përkrahur në parim, fillimisht nga dy grupet kuvendare të pozitës, përfaqësueset e të cilave, Teuta Hadri (PDK) dhe Nyrishahe Hulaj (LDK), më tepër e kanë bërë edhe një ripërshkrim apo riekspozim të Projektligjit, detyrë kjo e ministrit. Ndërkohë që Grupi Kuvendar i AAK-së, nëpërmjet deputetes Gjylnaze Syla, është shprehur kategorikisht kundër miratimit të projektligjit, duke e quajtur një dokument mediatik. Ajo kritikën më të madhe ia bëri qeverisë, duke iu referuar shkallës së papunësisë dhe mungesës së përpjekjes për zbutjen e krizës sociale...

XS
SM
MD
LG