Ndërlidhjet

Time: "Jeta pothuajse e ëmbël në kafiterinë e frontit"



"Time"

Kur një grup njerëzish, të cilët veten e quajnë Trashëgimtarë të Luftëtarëve Serbë nga luftërat në Ballkan të viteve 1912-1920, mblidhen për ritualin e djegies së flamurit amerikan, patronët e kafiterisë La Dolce Vita në veri të Mitrovicës as që e kthejnë kokën.

Në fakt, arsyeja pse të ashtuquajturit Trashëgimtarë djegin flamurin ka të bëjë me kundërshtimin e tyre ndaj mbështetjes së Washingtonit për "shtetin falso" të Kosovës.

Që prej luftës në Kosovë më 1999, kjo kafiteri, e mbuluar me tym duhani, është shndërruar në një vend grumbullimi për serbët ekstremistë, të cilët duan t'i mbajnë shqiptarët larg enklavës së tyre.

Sot, ndërkaq, kjo kafiteri ende mund të jetë një vend që mund të shihet në veri të Mitrovicës, megjithëse nuk pasqyron më atë ndjenjën e rrezikut shpërthyes. Megjithatë, pas shpalljes së pavarësisë, jeta në Mitrovicë u bë e rrezikshme për gazetarët e huaj, por edhe ata serbë, të cilët raportonin për protestat; disave u janë thyer kamerat, disa të tjerë janë rrahur.

Por, tani, me gjithë thashethemet e kohëpaskohshme për "terroristët shqiptarë", që vijnë për të kaluar urën dhe për të kërcënuar serbët, Rojat e Urës, të tubuar në kafiterinë La Dolce Vita, nuk e kthejnë më kokën nga ura.

Po bëhen gati 10 vjet që kur lumi Ibër u shndërrua në një ‘de facto’ kufi midis serbëve dhe shqiptarëve të Mitrovicës dhe të dyja komunitetet, në mënyrë efektive, kanë ecur ndarazi në rrugët e tyre.

Në jug të qytetit, popullata shqiptare gjithnjë e në rritje është duke e ndërtuar një qytet të ri në shtetin e porsalindur. Në veri të qytetit, ndërkaq, Beogradi është duke bërë çmos për ta mbajtur në dorë komunitetin serb, duke dyfishuar pagat e atyre që binden.

"Beogradi kurrë nuk do t'ju braktisë", ishin zotimet e politikanëve serbë gjatë fushatave të tyre parazgjedhore, por shumë prej serbëve lokalë, të paktën ata që kanë pasur mundësi, kanë blerë pronë jashtë Kosovës.

Veriu i Mitrovicës sot pasqyron një relikë jo edhe aq të dashur: apartamentet e vjetruara të kohës së socializmit janë të dekoruara gjithandej me rroba që thahen, kiosqet e prishura ekspozojnë paratë e kohës së Jugosllavisë dhe kartolina të të përndjekurve për krime lufte, Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq. Tiketat ngjitëse me fotografinë e Vladimir Putinit janë shumë të kërkuara.

Oliver Ivanoviq, dikur Roje e Urës, është optimist. "Tani kemi hyrë në një periudhë më paqësore. Dikur ishte mallkim të thoshe se nuk do t'u bindesh urdhrave të Beogradit, por jo më".

Dhe, derisa ai fliste, në kafiterinë La Dolce Vita, kamarieri shërbente pije të freskëta dhe jeta, edhe në këtë qoshe të hidhur të Ballkanit, megjithatë mund të fillojë të ketë shije më të ëmbël.
XS
SM
MD
LG