Ndërlidhjet

"Shtet me Kushtetutë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Garda e Car Lazarit e ka marrë përsipër autorësinë e një sulmi ndaj një oficeri të SHPK-së në Mitrovicë, ndërsa prej ditës së sotme autoriteti i Republikës së Kosovës do të duhej të shtrihej edhe në veri të qytetit, tashmë të ndarë prej 9 vjetësh. Ky formacion ilegal është kërcënuar edhe më herët se do ta luftojë me çdo mjet pavarësinë e Kosovës. Serbët lokalë refuzojnë t’i binden Kushtetutës, ndërsa incidentet në enklava mund ta tensionojnë situatën. Askush nuk është optimist për një rivendosje të rendit dhe të ligjit kosovar matanë Ibrit dhe në territoret e tjera të vendit të banuara nga pakica serbe. Paralelisht, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, e cila në fakt u jep plot të drejta pakicave, veçmas asaj serbe, strukturat ilegale janë konsoliduar, ndërsa është paralajmëruar më 28 qershor edhe parlamenti i serbëve brenda Kosovës. Mosbindja e tyre ndaj kushtetutshmërisë është një cenim i rëndë i shtetësisë dhe do të na humbasë kohë të pallogaritshme duke u marrë me ta. Sfida ndaj Prishtinës zyrtare prej sot merr një nuancë tjetër, sepse për Qeverinë kosovare më nuk do të ketë justifikime për kompetencat e munguara...

EXPRESS
Nga dita e diel, bashkë me Kushtetutën e Kosovës, për institucionet e vendit, përveç të tjerave, shtohet përgjegjësia edhe për ruajtjen e sigurisë. Nga kjo ditë, siguria e vendit do të mbështetet edhe mbi pesë shtyllat kryesore, të cilat pretendojnë të garantojnë qetësinë e qytetarëve të Kosovës, kurse barra më e rendë në këtë rast do t'i bjerë policisë së vendit. Në kapitullin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që flet për sigurinë, pika e parë është Forca e Sigurisë së Kosovës, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Autoriteti Civil i Aviacionit. Bazuar në rregullimin kushtetues, Republika e Kosovës ka pushtet mbi zbatimin e ligjit, sigurinë, drejtësinë, sigurinë publike, inteligjencen, organet civile emergjente dhe mbi kontrollin e kufijve në territorin e vet.
Institucionet e sigurisë së ven¬dit janë të obliguara të mbrojnë sigurinë publike dhe të drejtat e të gjithëve në këtë shtet. Sipas ligjit mbi sektorin e sigurisë, do të ketë kontroll civil dhe demokratik, i cili do të mbikëqyret nga Kuvendi i Kosovës si organi më i lartë juridik në vend...

EPOKA E RE
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është vënë në një situatë të ndjeshme. Fatmir Sejdiu, nëse nuk jep dorëheqje nga kryetari i LDK-së, do ta shkelë Kushtetutën. Sipas nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pika: 1. Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë detyrë tjetër publike. Pika: 2. Pas zgjedhjes duhet të japë dorëheqje nga funksionet partiake dhe anëtarësimi. Për mundësinë e dorëheqjes së Sejdiut nga drejtimi i LDK-së flasin për "Epokën e re" nënkryetari i parë këtij subjekti politik, Eqrem Kryeziu, dhe nënkryetari tjetër, Lutfi Haziri. Eqrem Kryeziu ka thëne të dielën për "Epokën e re" se presidenti do të duhej të ishte qytetari i parë që do ta respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. "Me të vërtetë na lë në një pozitë pak delikate si parti, por unë besoj se brenda mundësive edhe të statutit të LDK-së, por padyshim duke iu nënshtruar Kushtetutës, do të gjejmë ndonjë zgjidhje", ka thënë Kryeziu. Nënkryetari i parë i LDK-së ka thënë se brenda partisë ka njerëz që duan postin e kryetarit, por, sipas tij, lideri është lider...

KOHA DITORE
Kongresisti Eliot Engel, ndodhjen në Kosovën e lirë dhe të pavarur e ka quajtur ndër momentet më te lumtura të jetës së tij. "Me tërë sinqeritetin ju them se, kur gjendem në Kosovën e lirë dhe të pavarur, ky është një ndër momentet më të gëzueshme në jetën time", ka thënë Engel, gjatë vizitës që i ka bërë së bashku me kongresisten Shmit kryeministrit Thaçi, në vendlindjen e tij në Burojë të Skenderajt, të dielën pasdite. Engel ka rikujtuar se ëndrrat nuk realizohen vetvetiu, por duhet derdhur shumë gjak, lot dhe djersë, për t'i sendërtuar ato, dhe ka konstatuar se ne këtë vend vërtet është derdhur shumë gjak, lot e djersë dhe ne tash jemi këtu ku jemi. “Mund t'iu siguroj se SHBA do të ecin krah për krah me Kosovën dhe do t'ju ndihmojmë juve në çdo hap që bëni për ta ndërtuar ketë shtet të lirë dhe të pavarur", ka premtuar kongresisti amerikan. Ai mandej ka treguar se si përmes mediave elektronike e ka përcjellë manifestimin e shpalljes së pavarësisë. "Kam parë se si përkrah shumë flamujve, valonte edhe flamuri i Kosovës, por edhe flamuri amerikan dhe ne na bëri që të ndjehemi mirë dhe vërtet e dimë se në Kosovë jemi në mes të vëllezërve dhe motrave", ka treguar Engel, i cili ka thënë se askund në botë, sikur në Kosovë, nuk e ndien si amerikan, atë dashuri e cila këtu ekziston për SHBA-në, dhe ka shtuar se "edhe ne si amerikanë kemi shprehur të njëjtën dashuri për ju"...

ZËRI
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, këtë të diel, më 15 qershor, edhe zyrtarisht ka hyrë në fuqi. Autoritetet më të larta të vendit, kryetari Sejdiu, kryeministri Thaçi dhe kryeparlamentari Krasniqi, kanë pohuar që Kushtetuta e Kosovës do të vlejë në gjithë territorin e Kosovës. Në ditët e ardhshme pritet të nisë zbatimi i Propozimit të Ban Ki-Munit për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. Njëkohësisht, nuk ka kurrfarë shenjash pozitive që mund të ndryshojë gjendja e tanishme në veri të Kosovës, por edhe në territoret e tjera të banuara me shumicën serbe. Për më shumë, politikanët serbë paralajmërojnë, për 28 qershor, konstituimin e Kuvendit të tyre, i cili do të përbëhet prej politikanëve që kanë fituar "mandatin" në zgjedhjet lokale serbe të mbajtura në Kosovë, më 11 maj, e të shpallura ilegale nga UNMIK-u. Ky përshkrim fillestar i gjendjes legale dhe politike që do të mbretërojë në Kosovë prej 15 qershorit e tutje, paraqet një konfirmim të kontinuitetit të një organizimi tej mase të ndërlikuar dhe problematik të pushtetit në Kosovë. Ndërsa, synimi ishte tjetërfare: si i Prishtinës, ashtu edhe i Perëndimit. Kosovarët dhe perëndimorët kanë besuar, disa muaj më parë, që 15 qershori do ta zërë Kosovën në një gjendje më të mirë, dhe gjithsesi, më të thjeshtë, sesa që realisht është tani...

INFOPRESS
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, hyrja e Kushtetutës në fuqi konsiderohet si data më e rëndësishme për Kosovën si shtet i pavarur. Me fuqizimin e dokumentit më të lartë juridik, Kosova fillon së funksionuari si shtet brenda kufijve të saj, mbi të cilët është shpallur edhe pavarësia dhe është njohur shteti i Kosovës nga 43 vende deri tani. Si e tillë, Kushtetuta e Kosovës, e miratuar më 9 prill dhe e fuqizuar më 15 qershor, duhet të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës. Edhe atje ku nga banorët lokalë thuhet se nuk do të lejohet zbatimi i saj. Një gjë të tillë e kanë thënë serbët e Kosovës, të cilët kanë ngarendur që menjëherë ta kundërshtojnë Kushtetutën, e cila hyri në fuqi të dielën. "Duhet të bëjmë gjithçka, në mënyrë që ta anulojmë këtë kushtetutë, nëse do të jetë e mundur edhe në ndonjë fazë të mëvonshme". Kjo është deklarata e njërit prej liderëve të serbëve të Kosovës, e cila tregon pakthyeshmërinë serbe në qëndrimet e tyre karshi zhvillimeve në Kosovë. Një gjë e tillë lë përshtypje se në këtë "gjithçkanë" e liderëve serbë, hyn edhe incidenti që ka ndodhur të shtunën në Mitrovicë...

LAJM
Përveç shoqërie multietnike, Kosova do të jetë edhe shtet i multi-pushteteve, me disa qendra vendimmarrëse. Kushtetuta e Republikës e gjen Kosovën me një kontingjent të tërë pushtetesh, vendore e ndërkombëtare, të koncentruara në pjesën më të madhe, por jo në tërë territorin e Kosovës. Institucionet e Republikës do ta ushtrojnë shumicën e përgjegjësive, të klasifikuara më shumë si përgjegjësi të brendshme, por do të jenë të "përmbajtura" në çështje të sigurisë, sundimit të ligjit dhe sovranitetit shtetëror. Për një periudhë katër-mujore transitore, UNMIK-u dhe konvoji i zbarkuar i EULEX-it do ta gjejnë një formulë të përkohshme "bashkëjetese", përderisa personeli i OKB-së, nën udhëheqjen e një Përfaqësuesi Special të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), do të bëjë monitorimin e kufijve të Kosovës, pikëkalimet kufitare dhe doganat, do të lehtësojë dialogun "teknik" me Beogradin në gjashtë fusha: polici, drejtësi, menaxhimin e vijës administrative kufitare, transport, infrastrukturë dhe trashëgiminë kulturore, bashkë me Qeverinë e Serbisë, ndërkaq do të kujdeset për komunat, në të cilat jetojnë serbët e Kosovës...

BOTA SOT
Peter Feith: Kushtetuta e re e Kosovës përbëhet nga disa pika të rëndësishme, të cilat u vendosën me pakon e Ahtisaarit. Në bazë të kësaj pakoje, Kushtetuta e re e Kosovës mbron të drejtat e pakicave në vend, e sidomos të serbëve që jetojnë atje. Pikë tjetër e rëndësishme e Kushtetutës së re është sigurisht decentralizimi, çka do të sjellë gradualisht formimin e komunave të reja, ku serbët do të përbëjnë shumicën e popullsisë. Përveç kësaj, Kushtetuta e re garanton mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Besoj se këto pika janë shumë të rëndësishme, sepse ofrojnë shumë mundësi për pakicat në këtë vend, edhe për bashkesinë serbe. Përveç kësaj, doja të theksoja gjithashtu se kjo Kushtetutë përmban rregulla të caktuara mbi rolin e përfaqësuesit të BE-së, ku bëj pjesë dhe unë. Kjo përbënte një ndër propozimet e Ahtisaarit, i cili thoshte që përfaqësuesi i BE-së është instanca më e lartë kur bëhet fjalë për futjen në fuqi të ligjeve që janë pjesë e Kushtetutës...


XS
SM
MD
LG