Ndërlidhjet

Ivanoviq: Serbët e rëndomtë s’mund t’i shmangen EULEX-it


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

“Politikanët s'do bashkëpunojnë me EULEX-in, por njeriu i rëndomtë s'mund ta evitojë këtë; ai duhet të kërkojë diku ndihmë për siguri legale e fizike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, është paralajmëruar arritja e një marrëveshjeje mes demokratëve dhe socialistëve për krijimin e qeverisë në Beograd. Si e shihni ju këtë marrëveshje, meqë keni qenë pjesë e koalicionit “Për Serbinë Demokratike”?

OLIVER IVANOVIQ
Në Ballkan, zakonisht pas përfundimit të fushatës parazgjedhore, në përgjithësi harrohen ato ‘fjalët e mëdha’, disa i harrojnë edhe premtimet, që nuk është mirë.

Partia Socialiste nuk ka qenë kundërshtare për koalicionin tonë në këtë fushatë parazgjedhore. Më parë do të thosha se kundërshtar politik ka qenë Partia Demokratike e Serbisë dhe radikalët. Për këtë arsye, kam qenë i bindur se Partia Socialiste do të ketë shans që të formojë një koalicion të madh dhe të fortë.

Sa i përket qëndrimit për këtë koalicion, ashtu si do ta kenë qasjen ndaj Kosovës, ashtu edhe do të jetë qëndrimi im personal, por edhe qëndrimi i serbëve të Kosovës ndaj qeverisë. Varësisht nga rezultatet e qasjes ndaj Kosovës dhe vullnetit të tyre të mirë për të bashkëpunuar me UNMIK-un dhe institucionet tjera ndërkombëtare, mund të varet mbetja jonë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës janë ndjerë si të harruar nga politikanët e Serbisë, duke thënë se po shfrytëzohen vetëm për përfitime politike gjatë fushatës parazgjedhore...

OLIVER IVANOVIQ
Ky është një interpretim i ashpër i asaj që kam thënë. Unë them se disa harrojnë premtimet që u bëjnë njerëzve të rëndomtë. Njerëzit e rëndomtë janë votuesit dhe këta votues janë më interesantë nëse jetojnë në Kosovë, sepse Kosova mbetet njëra nga temat më të forta emotive për të gjithë serbët, kudo që jetojnë ata.

Nuk do të ishte mirë që këta njerëz të harrohen sapo të përfundojnë zgjedhjet. Për këtë arsye, edhe unë, shumë shpesh, publikisht kam qenë kritik dhe kam kërkuar që për serbët e Kosovës, për problemet tona, të mos mendohet vetëm para fushatës, por ne të jemi objekt interesimi para dhe pas formimit të qeverisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kanë mbetur edhe katër ditë para se serbët, siç kanë paralajmëruar, ta formojnë parlamentin e tyre paralel serb. Ju e keni quajtur këtë si projekt të dështuar. Pse?

OLIVER IVANOVIQ
Së pari, nuk mund të jetë parlament, sepse ky do të jetë parlament paralel dhe për këtë nuk angazhohet as Beogradi zyrtar.
Mendoj se ky është një kombinim i pafat i disa njerëzve ambiciozë në Kosovë dhe do të thosha i opozitës në Serbi, të cilët po mundohen që së bashku t’i paraqesin pengesë qeverisë së re dhe të krijojnë një problem, me të cilin do të merrej qeveria e re.

Këta mundohen të bëhen të vetmit përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe nga ai pozicion, në mënyrë të vazhdueshme, të bëjnë presion ndaj qeverisë së re. Këta njerëz që po formojnë këtë që po e quajnë parlament, janë njerëz që deri tash kanë formuar dhjetëra organizata dhe secila nga to ka ekzistuar për aq sa ka pasur interesim mediatik.

Mendoj se ky është projekt i dështuar dhe se ne duhet të mendojmë për forma tjera në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
Për çfarë formash mendoni, çfarë ndryshimesh duhet të bëjnë serbët?

OLIVER IVANOVIQ
Së pari duhet të vëmë marrëdhënie shumë të mira me komunitetin ndërkombëtar, ndërsa në periudhën e ardhshme duhet të vëmë kontakte me krerët e qeverive lokale, pra në nivel lokal, domethënë edhe me shqiptarët e Kosovës. Konflikti, apo përkrahja e konfliktit, apo përkrahja e këtij segregacioni, është e rrezikshme për ne në një plan më afatgjatë.

Nuk do të sjellë asgjë të mirë, por vetëm jostabilitet që do të zgjasë dhe efekti i tij do të jetë ky – askush nuk do të merret me ekonominë dhe zhvillimin, por të gjithë do të merren me politikë.

Është fatkeqësi për një territor ku njerëzit merren vetëm me politikë, e mendoj se Kosova e ka këtë fat.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, ju e përkrahni bashkëpunimin me EULEX-in, ndërkohë që ka serbë që e kundërshtojnë këtë...

OLIVER IVANOVIQ
Bashkëpunimi me EULEX-in do të jetë i rëndë, e ndoshta edhe i pamundur. Në nivelin politik, sigurisht se nuk do të ketë kontakte, pasi që EULEX-i perceptohet si mision, i cili vjen sipas planit të Ahtisaarit dhe që duhet të stabilizojë pavarësinë.

Për këtë arsye, politikanët nuk do të bashkëpunojnë me EULEX-in, por bota e rëndomtë nuk mund ta evitojë këtë, njeriu i rëndomtë duhet të kërkojë diku ndihmë për siguri legale dhe fizike.

Në anën tjetër, insistoj në atë se Beogradi zyrtar nuk guxon që ta vë këtë barrë mbi shpinën e njerëzve të thjeshtë për arsye politike ose të pamundësojë këtë kontakt për njerëzit e rëndomtë, siguria fizike apo legale e të cilëve është në rrezik.

RADIO EVROPA E LIRË
Doni të thoni aplikim të standardeve të dyfishta - po EULEX-it nga qytetarët, por jo nga politikanët?

OLIVER IVANOVIQ
Jo, jo, jo. Unë mendoj se jeta praktike do të na shtyjë të bashkëpunojmë me EULEX-in, sepse EULEX-i do të jetë misioni i vetëm që merret me drejtësi dhe polici. Për këtë arsye, duhet të bashkëpunojmë me ta në nivel lokal.

Po, politikanët do ta shikojnë EULEX-in si ilegal dhe nuk do bashkëpunojnë në nivelin politik. EULEX-i nuk do të ketë kontakte politike kur të shkojë në Shillovë, Shtërpcë, por do të bisedojë me njerëzit; njerëzit e rëndomtë kanë nevojë të kërkojnë ndihmë si fizike, ashtu edhe legale.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka më shumë se një javë që ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Ju personalisht e pranoni këtë kushtetutë?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se kjo kushtetutë është miratuar në kundërshtim me kërkesat e serbëve, kështu që nuk prodhon obligim për asnjë serb.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është vërejtur ndikimi i saj në mjediset serbe, një javë pas hyrjes në fuqi?

OLIVER IVANOVIQ
Aktualisht, nuk ka pasoja praktike, por ka pasiguri dhe shqetësim se çka do të sjellë dita e nesërme.
XS
SM
MD
LG