Ndërlidhjet

“Kuvendi serb i Kosovës ‘pengohet’ vetëm me deklarata”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Aranzhimi i një dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për çështjet e mbetura pezull, apo siç pretendohet të quhen, çështje "teknike", është i pamundur ligjërisht dhe praktikisht, përderisa Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës. Liderët kosovarë nuk duhet të pranojnë kurrfarë bisedimesh me Serbinë, qoftë për çështje teknike apo politike, për shkak se Serbia, nisur nga qëndrimi i vazhdueshëm, do të tentojë që me Kosovën të bisedojë në pozicion jo të barabartë, pasi akoma e trajton si pjesë të territorit të saj. Lideri i "Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, është kundër një aranzhmani të tillë nga kushdo që ofrohet. "Ne nuk kemi pse ta dëgjojmë Ban Ki Moonin, përderisa ai jo vetëm që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, por e konsideron të pazgjidhur statusin e saj. Vendet perëndimore dhe shtetet tjera që e pranuan dhe e njohën pavarësinë e Kosovës e anashkaluan OKB-në. Është absurde që Kosova tash ta përfillë Ban Ki Moonin", tha Kurti për "Lajm". Në fakt, Sekretari i Përgjithshëm ka paraparë një varg bisedimesh për çështje, që, sipas tij, paraqesin shqetësim për Serbinë, si policia, doganat, drejtësia, menaxhimi i vijës administrative kufitare, infrastruktura dhe transporti, trashëgimia kulturore...

EXPRESS
As edhe një kundërshtim i vetëm serioz në tentim parandalimi ose bllokimi nuk do të ndodhë të shtunën, kur serbët do të konstituojnë Kuvendin e tyre në veri të Kosovës. Përkundrazi, të gjithë akterët janë të fokusuar se çfarë fjalësh do të gjejnë për të përshkruar këtë veprim, i cili dirigjohet nga Beogradi. Dy ditë para krijimit të këtij Kuvendi, autoritetet vendore dhe ndërkombëtare e kanë kundërshtuar vetëm me deklarata këtë iniciativë të serbëve. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka thënë të enjten se institucioneve të Kosovës "nuk u vjen mirë" që një gjë e tillë do të ndodhë, ndërsa shefi i ri i UNMIK-ut është munduar ta minimizojë rëndësinë e këtij hapi të serbëve, duke e cilësuar akt simbolik. Pas një takimi me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zanier, Sejdiu ka thënë se ajo që do të bëjnë serbët është ilegale dhe e papranueshme. Ai po ashtu e ka vlerësuar këtë si një tendencë për të destabilizuar vendin...

EPOKA E RE
Analisti i njohur nga Instituti Amerikan i Paqes, Daniel Server, në një intervistë për Zërin e Amerikës - edicioni në gjuhën serbe – ka vlerësuar se është për keqardhje që pjesa dërrmuese e establishmentit politik të Serbisë ka zgjedhur të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. "Është për keqardhje që pjesa dërrmuese e establishmentit politik serb ka zgjedhur të mos e njohë pavarësinë e Kosovës - gjë që gjithsesi do të jetë pengesë në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian", ka thënë Server, duke u përgjigjur në pyetjen rreth deklaratës së presidentit serb Tadiq se "Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe se ai angazhohet për vazhdimin e bisedimeve". "Mendoj se negociatat ose bisedimet në mes të Beogradit dhe Prishtinës janë ide e mirë, mirëpo, natyrisht, Prishtina do të kërkojë atë lloj bisedimesh që bazohen në faktin se Kosova është shtet i pavarur. Gjithsesi, bisedimet janë të nevojshme ngaqë Beogradi dhe Prishtina duhet të zgjidhin shumë çështje të tjera, pasi që jo çdo gjë është zgjidhur me Planin e Ahtisaarit"...

ZËRI
Riorganizimi i pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë është i mundur, sipas kryetarit të Serbisë, vetëm nëse për të pajtohen Prishtina dhe Beogradi, dhe nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendos në favor të tij. Burimet diplomatike perëndimore në Nju-Jork ia kanë bërë me dije gazetës "Zëri" që Boris Tadiq, kryetari i Serbisë, ia ka dërguar, më 23 qershor (pra, këtë të hënë), një tjetër letër, kësaj here, konfidenciale, Ban Ki-Munit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Letra i adresohet Njëshit të OKB-së vetëm dy ditë pas debatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kushtuar Propozimit të Ban Ki-Munit për rikonfigurimin e UNMIK-ut, i cili vërtetoi që Rusia nuk ka përkrahje në instancën më të lartë të sigurisë botërore për kundërshtimin e saj të propozimeve të Ban Ki-Munit. Sipas burimeve të përmendura më parë, Boris Tadiq, në fillim të kësaj letre, pohon që paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë rrezikuar me shpalljen e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Në anën tjetër, në lidhje me çështjen e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, kryetari i Serbisë është kategorik në qëndrimin e tij që kjo prani mund të jetë vetëm vazhdimësi e asaj që është lejuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së...

BOTA SOT
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të kërkojë nga të gjitha institucionet që të respektojnë dhe zbatojnë Kushtetutën e vendit, përndryshe do të merren në përgjegjësi, ka deklaruar kryekuvendari Jakup Krasniqi, pas takimit me një delegacion parlamentar francez. "Kuvendi ka miratuar Kushtetutën dhe do të kërkojë nga të gjithë organizmat që t'i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë konform kushtetutës. Kushtetuta është akti më i lartë i vendit që përcakton se çka parashihet me të dhe çka është jashtë saj", tha Krasniqi i pyetur për të komentuar përpjekjet e pakicës serbe për të krijuar institucione paralele. Ai tha se nuk ka nevojë t'i komentojë deklaratat e të tjerëve, por institucionet realisht do t'i koordinojmë punët me faktorin ndërkombëtar. "Angazhimi dhe përpjekja jonë është që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji. Me një fjalë, të zbatohet kushtetuta, e cila është miratuar nga Kuvendi dhe ka hyrë në fuqi nga 15 qershori", tha ai...

INFOPRESS
Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM), të enjten publikoi draft-dokumentin "Vlerësimi Strategjik Mjedisor dhe Social", i cili do të dalë në opinion për debat, në mënyrë që të merren vërejtjet dhe sugjerimet mjedisore për ndërtimin e Termocentralit të ri "Kosova C" dhe hapjen e minierës së re në Sibofc. "Ky raport është bërë në dy faza, kurse në fazën e parë janë anketuar 1.580 ekonomi familjare. Projekti paraqet opsione të ndryshme për lokacionin e projektit "Kosova C", ndërtimit të kapaciteteve dhe anën mjedisore, duke përfshirë teknologjinë më të avancuar", u shpreh ministrja e MEM Justina Shiroka Pula. Sipas saj, procesi është në pajtim edhe me direktivën e Komisionit Evropian mbi vlerësimin strategjik mjedisor të planeve dhe programeve dhe me politikat dhe procedurat e masave mbrojtëse të Bankës Botërore. Rëndësia e projektit "Kosova C" është vlerësuar të jetë mjaft e madhe për vendin, në mënyrë që të gjenerohet energji të mjaftueshme elektrike...

KOSOVA SOT
"Kryetari i Kuvendit, të vetmen përgjigje që e ka dhënë, në një nga mbledhjet e fundit të Kryesisë, ka qenë se para shtatorit nuk do të shqyrtohet çështja e Avokatit të Popullit. Ai ka thënë se për këtë ka rekomandime nga zyrat e huaja diplomatike, por nuk e ka zbuluar adresën saktë të presionit që është duke u bërë kundër përzgjedhjes së bërë në bazë të konkursit të tretë që e kemi shpallur si Kuvend", tha një burim i sigurt afër zhvillimeve rreth konkursit për Avokatin e Popullit. Zgjedhja e Avokatit të Popullit, edhe pas konkursit të tretë të shpallur nga Kuvendi i Kosovës dhe hartimit të listës së ngushtë nga paneli intervistues me rrethin e ngushtë prej vetëm tre kandidatësh për t'u votuar nga seanca plenare, ka gjasa që të jetë një punë e kotë e bërë edhe këtë herë. Lidhur me spekulimet për gjoja mospajtimin e deputetëve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës me kandidaturën e Murat Jasharit, që ka fituar më shumë pikë në intervistim dhe është radhitur në vendin e parë, burimet e gazetës kanë deklaruar se kjo nuk ka të bëjë fare me këtë çështje, sepse nuk ekziston diçka e tillë...

KOHA DITORE
Përfaqësuesi civil ndërkombëtar si dhe shefi i EULEX-it në Kosovë duhet që një herë në javë të raportojnë para Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që ata të bëhen llogaridhënës në Kosovë, ka kërkuar të enjten Albin Kurti, lider i lëvizjes "Vetëvendosje", gjatë një konference shtypi të mbajtur në Prishtinë. Ai me këtë rast, në emër të lëvizjes që drejton, ka rekomanduar institucionet vendore se si të limitohen dhe të konsiderohen të përgjegjshme misionet ndërkombëtare që, sipas tyre, dita-ditës po shtohen në Kosovë. Kurti ka vlerësuar se pushteti vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë janë lidhur në një skemë qëllimisht të ndërlikuar, në mënyrë që, sipas Kurtit, t'ua pengojnë mobilizimin qytetarëve kundër padrejtësive që po u bëhen. Teksa ka shpjeguar skemën e pushtetit vendor dhe ndërkombëtar, e cila, sipas tij, është e mjegulluar si kurrë më parë, Kurti ka thënë se "sa më i komplikuar të jetë pushteti dhe struktura e tij, aq më i vështirë do të jetë mobilizimi i qytetarëve”...


XS
SM
MD
LG