Ndërlidhjet

Parlamenti paralel përçan serbët e Kosovës


Ura qendrore - Mitrovicë
Ura qendrore - Mitrovicë

Varësisht se cilit subjekt politik i përkasin, serbët e Kosovës ashtu edhe e shikojnë krijimin e të ashtuquajturit Parlament i Bashkësisë së Komunave të Kosovës. Disa e kundërshtojnë, disa e përkrahin, ndërsa të tjerët janë të përmbajtur.


Formimi i të ashtuquajturit Parlament i Bashkësisë së Komunave të Kosovës nga disa subjekte politike serbe ka shkaktuar ndasi në mesin e serbëve të Kosovës. Disa nga ta e kundërshtojnë, disa e përkrahin, e të tjerët janë të përmbajtur në pritje të rezultatit që do të dalë nga ky kuvend.

Dejan Balosheviq, nga Rahoveci, është i shqetësuar rreth asaj se çfarë do të bëhet me serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër.

“Nuk jam i sigurt se sa do t’u ndihmojë serbëve në jug të lumit Ibër, sepse këtu në jug nuk ka kompetenca dhe nuk e di si do të funksionojë ai pushtet në baza ditore”, konsideron Balosheviq.

Në anën tjetër, disa të tjerë theksojnë se pa marrë parasysh rrethanat, serbët duhet ta kenë parlamentin e tyre.

“Kjo do të thoshte se kemi diçka tonën. Kjo nuk është në rregull, por edhe situata në të cilën ndodhemi tani, po ashtu nuk është në rregull”, thotë Ratomir Mihajloviq, i cili jeton në periferi të Gjilanit.

Vendimi i parë i të ashtuquajturit Parlament i Bashkësisë së Komunave të Kosovës ka qenë hedhja poshtë e pavarësisë dhe e Kushtetutës së Kosovës. Ky organ, që ka 45 anëtarë të zgjedhur në zgjedhjet lokale serbe të 11 majit, e sheh Kosovën si pjesë të pandarë të Serbisë.

Përfaqësuesit në Kosovë të Partisë Demokratike të Boris Tadiqit konsiderojnë se krijimi i parlamentit serb nuk është vendimi i duhur dhe është një hap i parakohshëm, meqë ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Qeverisë serbe për këtë kuvend.

Goran Bogdanoviq, kryetar i Partisë Demokratike për Kosovën, thotë se nuk mund të formohet parlamenti, duke marrë për bazë zgjedhjet lokale.

“Ne dëshirojmë që së pari të formohet qeveria dhe të marrë qëndrim, sepse konsiderojmë se mbështetja e këtij kuvendi, para këtij qëndrimi, do të nxisë konfuzion dhe ndasi më të thella te komuniteti serb”, tha Bogdanoviq.

Megjithatë, shumë konsiderojnë se komuniteti serb është unik sa i përket formimit të këtij parlamenti, sepse është një përgjigje e përbashkët karshi pavarësisë së Kosovës.

Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb në Mitrovicë, thotë se komunitetit serb i është dashur një institucion i tillë.

“Jam i sigurt se përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të G-17 plus do t’i bashkohen punës së parlamentit, meqë ky trup përveçse do të mundësojë një organizim më të mirë të komunitetit serb, mendoj se do të funksionojë më mirë dhe do të jemi më të lidhur”, thotë Joviq, nga Këshilli Nacional Serb.

Por, Dragan Veliq, nga i njëjti subjekt, por me seli në Graçanicë, thotë se formimi i parlamentit ka të bëjë me një hap që nuk ka legjitimitet.

“Është përgjigje politike, por assesi nuk do të japë rezultate dhe të ketë legjitimet, si një trup që mund të zgjidhë problemet e serbëve”, thotë Veliq.

Formimi i të parlamenti paralel serb ka ngjallur reagime të ashpra në Prishtinë. Institucionet e Kosovës dhe UNMIK-u kanë vlerësuar se ky veprim i forcon strukturat paralele dhe çon kah ndarja dhe izolimi.

Ndërkohë, edhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka vlerësuar se parlamenti serb nuk ka kurrfarë efekti ligjor, përderisa, sipas këtij grupi, EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare shumë shpejt do të shtrijnë autoritetin në tërë Kosovën.
XS
SM
MD
LG