Ndërlidhjet

Qeveria e re serbe ta njohë realitetin në Kosovë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës presin që Qeveria e re e Serbisë, që pritet të votohet sot, ta njohë realitetin e ri në Kosovë, meqë është përcaktuar për një orientim pro-evropian. Opozita është skeptike se kjo qeveri do të ndryshojë qasjen karshi Kosovës.

Qeveria e Kosovës pret që pas formimit, Qeveria e re në Serbi ta njohë realitetin e krijuar në Kosovë. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj pret që Qeveria e re e Serbisë, e cila pritet të marrë sot bekimin nga Kuvendi serb, të dëshmojë edhe në praktikë orientimin e saj pro-evropian.

“Duke qenë pro-evropiane, ne presim që të ketë një qasje të re në kuptim të konsolidimit të marrëdhënieve, paraprakisht duke njohur realitetin e ri në Kosovë. Kjo njohje mund të mos jetë eksplicite dhe deklarative, por mund të jetë konstituive dhe funksionale, pra si njohje e realitetit të krijuar në Kosovë, gjë që do të ishte në interes të procesit të demokratizimit në Serbi, të procesit të stabilitetit në rajon. Orientimi pro-evropian është interes për të gjithë rajonin”, thotë Manaj.

Por, përfaqësues të opozitës janë skeptikë se ky koalicion mes demokratëve dhe socialistëve do ta ndryshojë politikën karshi Kosovës. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se në Serbi ende nuk kanë dalë forca demokratike siç është pritur.

“Ato forca që kanë udhëhequr vendin, nuk dallojnë sa i përket qasjes ndaj Kosovës, pavarësisht se i përkasin krahut demokratik. Politika serbe e ka ndjekur një politikë në vazhdimësi, duke u bazuar në të kaluarën dhe në rrethanat që kanë ndikuar që të mos ketë ndryshime. Prandaj, edhe kjo qeveri, duke e pasur parasysh konfiguracionin e saj, përmes ministrisë që ka krijuar edhe për Kosovën, tregon qartë se politika e Serbisë nuk ndryshon”, u shpreh Isufi.

Sipas njoftimeve të deritashme, Qeveria e Serbisë do të ketë Ministrinë për Kosovën, e cila pritet të udhëhiqet nga Goran Bogdanoviq, politikan nga Kosova, i cili ka qenë ministër në Qeverinë Rexhepi. Ahmet Isufi thotë se kjo dëshmon më së miri, se në Serbi nuk ka ndryshim të qasjes ndaj Kosovës.

“Vendosja e Goran Bogdanoviqit si ministër për Kosovën është treguesi më i qartë se Serbia nuk po ndryshon, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë një qasje shumë më rigoroze”, tha Isufi.

Ai mendon se as ardhja e këtij koalicioni qeverisës, që vlerësohet si pro-evropian, nuk do të bëjë që Serbia ta njohë realitetin e ri të krijuar në Kosovë. Për më shumë, Isufi mendon se do të ketë përkeqësim të gjendjes në veriun e kontrolluar nga serbët.

Sidoqoftë, Qeveria shpreson se madhore është demonstrimi i orientimit pro-evropian. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se duke demonstruar këtë orientim pro-evropian, mund të pritet që në mënyrë indirekte t’i kontribuohet edhe relaksimit gradual të marrëdhënieve në mes të dy vendeve fqinje.
XS
SM
MD
LG