Ndërlidhjet

Sa po zbatohet pakoja e Ahtisaarit?


Prishtina
Prishtina

Zyra Civile Ndërkombëtare ka publikuar udhëzuesin për zbatimin e propozimit për statusin, i cili vë në pah se shumë nga obligimet që dalin nga ky propozim, ende s’kanë filluar të përmbushen. Për analistët politikë, prania e UNMIK-ut vështirëson zbatimin e pakos së Ahtisaarit.


Krijimi i Gjykatës Kushtetuese, procesi i ripajtimit mes shqiptarëve e serbëve, çështja e të pagjeturve, bordi i Mitrovicës, regjistrimi i popullsisë, arsimimi në mjediset serbe, kthimi i arkivave dhe artefakteve nga Serbia, janë vetëm disa nga obligimet që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, në përmbushjen e të cilave deri tash nuk është shënuar asnjë progres.

Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) ka publikuar udhëzuesin, i cili bën vlerësimin e progresit të vazhdueshëm në implementimin e propozimit për statusin. Zëdhënësi i ICO-s, Andy McGuffie, shpjegon se institucionet nuk kanë mundur që t’i përmbushin të gjitha obligimet në të njëjtën kohë.

“Janë disa gjëra që duhet bërë në fillim, siç ka qenë miratimi i Kushtetutës. Nuk mund t’i bësh të gjitha gjërat në të njëjtën kohë. Këtu nuk bëhet fjalë për pengesa në zbatimin e të gjitha detyrave, por është çështje kohe se kur fillojmë punën në një çështje të caktuar”,
thotë Andy McGuffie.

Në anën tjetër, analisti politik, Ilir Dugolli, është skeptik se pakoja e Ahtisaarit, e cila është bazë e deklaratës së pavarësisë dhe e Kushtetutës, do të zbatohet me dinamikën e paraparë. Ai mendon se prania e mëtejme e UNMIK-ut po kontribuon në zvarritjen e zbatimit të pakos në fjalë.

“Qysh tash nuk po ecin gjërat sipas pakos së Ahtisaarit. Krejt kjo zvarritje me largimin e UNMIK-ut, ideja e rikonfigurimit dhe këto përshtatje tjera, nuk kanë qenë të parapara me pakon e Ahtisaarit”.


“Dhe tash, këta janë hapa të improvizimeve të detyruara nga ndryshimi, ose nga rezistenca ruse në Këshillin e Sigurimit, por edhe nga faktorë të tjerë. Komplikime mund të ketë në aspektin ligjor, vështirësitë janë të mundshme, sepse prania e UNMIK-ut është konkurrente me autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare“, thotë Dugolli.

Por, Andy McGuffie argumenton se Zyra Civile Ndërkombëtare nuk është prekur nga rikonfigurimi i UNMIK-ut.

“ICO-ja është këtu të zbatojë propozimin e përgjithshëm të statusit; tash, secili që është i përfshirë, Qeveria, ICO-ja, duhet të jenë pragmatikë. Unë nuk do të kisha thënë se ka pasur ndryshime të mëdha në qëllimet tona si ICO”, tha Andy McGuffie.

Një nga përparimet, që i ka vënë në pah Zyra Civile Ndërkombëtare është hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës. Por, në praktikë, kjo Kushtetutë nuk ka shtrirë autoritetin në veri dhe pjesët tjera të banuara me shumicë serbe. Si rrjedhojë, serbët edhe më tej e shohin si autoritet vetëm UNMIK-un.

Ilir Dugolli thotë se i takon institucioneve të Kosovës që të sillen si pushtet sipëror në Kosovë dhe të shfrytëzojnë planin e rikonfigurimit të UNMIK-ut për të treguar autoritetin e tyre.

“Janë institucionet vendore ato të cilat duhet ta bëjnë të panevojshëm UNMIK-un sa më parë që të jetë e mundur. Pra, aty-këtu, nga rasti në rast, pasi ka ardhur deri të ky rikonfigurim, ta shfrytëzojnë për aq sa u nevojitet, por ta shfrytëzojnë si një dorë të zgjatur, që mund të ofrojë shërbime të mira, e assesi të sillet si pushtet”, tha Dugolli.

Ndryshe, periudha e tranzicionit në Kosovë po përcillet me paqartësi juridike, ku institucionet e Kosovës, UNMIK-u, EULEX-i e ICO-ja funksionojnë në bazë të dokumenteve të ndryshme juridike. Juristët tërheqin vërejtjen për një situatë konfliktuoze, ku askush nuk ka autoritetin sipëror, të cilit do t‘u bindeshin mekanizmat përkatës.
XS
SM
MD
LG