Ndërlidhjet

Sejdiu: EULEX të shtrihet në tërë Kosovën


Presidenti Fatmir Sejdiu
Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka hedhur poshtë idenë e riaktualizuar të ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt, që EULEX-i të mos zbarkohet në veri të Kosovës, meqë ky mision nuk pranohet nga banorët serbë të atjeshëm.


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është shprehur optimist sot se EULEX-i do të vendoset në Kosovë deri në fund të tetorit, kur edhe do të duhej të përfundonte faza e rikonfigurimit të UNMIK-ut.

Njoftimet jozyrtare bëjnë të ditur se sërish mund të ketë zvarritje të vendosjes së misionit për sundimin e ligjit të BE-së, pasi Suedia ka riaktualizuar çështjen e mosvendosjes së EULEX-it në veri.

Presidenti ka hedhur poshtë idenë e ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt, që UNMIK-u të qëndrojë edhe më tej në veri, duke theksuar se UNMIK-u dhe EULEX-i nuk mund t’i ndajnë zonat e përgjegjësisë në Kosovë.

“Nuk mund të ketë dy misione të ndara dhe misione të privilegjit, të kontrollit, apo të mbikëqyrjes për njërën ose tjetrën etni dhe në natyrën më të keqe të asaj që edhe mund të supozohet të inicimit të temave të ndarjes së Kosovës, apo të pjesës së izoluar nga tërësia”.


“Ne i kemi kundërshtuar në vazhdimësi nëse kanë ardhur nga qarqe te caktuara, por jo zyrtarisht; ide te tilla janë totalisht të papranueshme”, tha presidenti Sejdiu.

Ndërkohë, edhe vetë zyrtarë të EULEX-it thonë se qëndrimi i Suedisë mbetet siç ka qenë edhe më parë dhe kjo nuk do të ketë efekt në planifikimet për zbarkim. Në EULEX shprehet bindja se vendosja e tërësishme do të ndodh më se largu në fund të tetorit, apo në fillim të nëntorit.

Ngjashëm, presidenti Fatmir Sejdiu shprehet optimist se rikonfigurimi i UNMIK-ut do të përfundojë në tetor. Megjithatë, ai pranon se ka vështirësi objektive në zbatimin e këtij plani.

“Unë jam i prirë që të shoh përparësitë, që të bëhet shpejt. Ka vështirësi objektive, që i ka secila shoqëri në këtë rast. Edhe në specifikën tonë të ecjes, edhe për ne me rëndësi është që të ofrojmë bashkëpunim në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Presim me mirëbesim edhe qasjen për të përfunduar në afat kohor optimal dhe është interes yni dhe interes i EULEX-it që të marrë funksionet e veta. Andaj, do të jenë në rolin ndihmës siç kanë qenë gjithmonë dhe ne e çmojmë atë rol”, tha Sejdiu.

Ndryshe, serbët e Kosovës në masë të madhe janë shprehur kundër vendosjes së misionit të BE-së, meqë kjo, sipas tyre, shihet edhe si pranim i pavarësisë së Kosovës.

Në përpjekje për t’i bindur serbët se EULEX-i do të jetë në të mirë të të gjitha komuniteteve, shefi i këtij misioni Yves de Kermabo ka vizituar komunitetin serb në Klinë, ku u ka bërë thirrje për bashkëpunim.

“Na besoni dhe punoni me ne, sepse kjo është mënyra më e mirë që sundimi i ligjit të mbretërojë në tërë Kosovën”, ka porositur Kermabo, në vizitën që e zhvilloi bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi.

Sidoqoftë, aktualisht, sipas zyrtarëve të EULEX-it, nuk ka ndonjë lëvizje që ky mision të vendoset në veriun e Kosovës. Bisedimet e vazhdueshme mes Brukselit dhe Nju Jorkut thuhet se do të sqarojnë këtë çështje.

Në Kosovë aktualisht gjenden mbi 300 pjesëtarë të EULEX-it, nga 2 mijë e dyqind sa është numri i tërësishëm. Funksionalizimi i plotë i misionit të BE-së do të ndodhë atëherë kur UNMIK-u t’i transferojë jo vetëm kompetencat, por edhe asetet tjera, si objektet, veturat, por edhe kompjuterët.
XS
SM
MD
LG