Ndërlidhjet

“Bush: S’ka ndarje, do të ketë njohje”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Presidenti i SHBA-ve, George Bush, u ka thënë krerëve të Republikës së Kosovës se është përkrahës i pavarësisë së saj dhe se do të ndihmojë në nxjerrjen e më shumë njohjeve të Kosovës nga vendet e treta. Në takimin e parë zyrtar me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministrin Hashim Thaçi, presidenti Bush ka shprehur edhe kundërshtimin e shtetit të tij për ndarjen e Kosovës në vija etnike, ndërsa ka theksuar se misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë (EULEX) duhet të zërë vendin e OKB-së. "Ka qenë një nder të mirëpres presidentin dhe kryeministrin e një Kosove të pavarur. Jam krenar që jeni këtu. Ju mirëpres. Jam përkrahës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës. Jam kundër çdo ndarjeje të Kosovës. Besoj fuqimisht që misioni i OKB-së duhet të transferohet te misioni i BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur. Dua t'ju falënderoj shumë për përkrahjen tuaj për të drejtat e minoriteteve dhe zbatimin e plotë të planit të Ahtisaarit", ka thënë presidenti Bush pas takimit në konferencën për gazetarë. Bushi më tutje tha se në takim me Sejdiun e Thaçin janë diskutuar shumë çështje dhe probleme me të cilat përballet Kosova, si dhe për "dëshirën e saj që të njihet nga më shumë kombe prej tërë botës”...

EXPRESS
Rusia është tërhequr nga mbrojtja e Serbisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, sepse ka ndërruar politika e Serbisë ndaj Kosovës, ka deklaruar të hënën ish-ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, duke komentuar ftesën e Beogradit për bisedime me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier. Sipas Samarxhiq, nuk do të ketë kurrfarë negociatash mes Qeverisë së Serbisë dhe UNMIK-ut, sepse Ban Ki-Moon tashmë ka marrë vendim për rikonfigurim të Misionit të OKB-së në Kosovë. "Rusia është tërhequr nga mbrojtja e Serbisë sepse Serbia ka ndryshuar politikën e saj ndaj Kosovës. Pra, i trimëruar nga kjo, Ban Ki-Moon ka marrë vendimin e vet, të cilin nuk ka pasur të drejtë ta marrë, për instalimin e misionit të EULEX-it në Kosovë", ka thënë ai. Samarxhiq, partia e të cilit tani ndodhet në opozitë, ka thënë se ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, po manipulon opinionin serb. "Tani Jeremiq shkon atje (Nju Jork) dhe mashtron opinionin se ai dhe Zannier do të bisedojnë diçka ose do të negociojnë. Fjala është se ky kapitullim nuk mund të bëhet në fshehtësi me deklarata, kinse bëhet fjalë për gjërat më normale", ka thënë ai për Radio B92...

LAJM
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës i kanë mohuar të dhënat e publikuara nga segmente të caktuara të shoqërisë civile dhe deklaratat e opozitës për dështime në punën e saj në 100-ditëshin e dytë të funksionimit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i konsideron të pabazuara në fakte të dhënat për shkelje dhe dështime të shumta në punën e Qeverisë në 1O0-ditëshin e dytë. Kuçi e ka quajtur spekulativ raportin e publikuar ditë më parë nga organizata "Çohu". Sipas tij, të dhënat e publikuara në atë raport janë të bazuara në fjalë kafenesh. Kuçi tha se Qeveria është e hapur për çdo lloj komenti për punën e saj të deritashme, të cilat bazohen në fakte dhe argumente. Ndërsa akuzën c "Çohu”, se ai ka ndërhyrë në pavarësinë e Agjencisë Kundër-korrupsion (AKK), duke i bërë presion drejtorit të saj, Kuçi e ka mohuar në tërësi. Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka mbështetur këtë agjenci dhe çdo iniciativë private për luftimin me zero tolerancë të korrupsionit në çdo pore të jetës. Sa i përket të dhënës se Qeveria ka shpenzuar 1,3 milion euro për dreka dhe darka në tremujorin e parë, Kuçi tha se ky është spekulim kafenesh...

KOSOVA SOT
Institucioni i Ombudspersonit prezantoi raportin vjetor për vitin 2007/2008 për gjendjen e të drejtave të njeriut. Përfundimet e këtij raporti dëshmojnë se edhe gjatë kësaj periudhe respektimi i të drejtave të njeriut nuk është në nivel të kënaqshëm. Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit, Hilmi Jashari, tha se gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ky institucion ka vërejtur shkelje të të drejtave të njeriut dhe ka hasur në shumë probleme për zgjidhjen e ankesave, të cilat janë regjistruar gjatë kësaj periudhe. Jashari tha se mosfunksionimi i sundimit të ligjit po vazhdon të sjellë pasiguri dhe humbje të besimit në sistemin gjyqësor. Sipas tij, edhe pse Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat e njeriut, në praktikë ky kapitull kërcënon që mos të zbatohet tërësisht. Sipas raportit, arritja e qëllimit për vendosjen e një zhvillimi dinamik në Kosovë dhe përmirësimi i kushteve për investime në Kosovë do mbetet një sfidë, për shkak të mungesës së sundimit të ligjit...

ZËRI
Lëvizja prej numrit 43 të shteteve anëtare të OKB-së, të cilat kanë njohur shtetin e Kosovës, është një interes i dorës së parë i Prishtinës dhe i Perëndimit. Në këtë aspekt, shenjat e ditëve dhe javëve të fundit kanë qenë që kosovarët mund t'i gëzohen së shpejti tri njohjeve të reja, që do të mund të vinin prej Maltës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në të tria këto raste kemi të bëjmë me shtete që kanë relevancë të shumëfishtë në procesin që, sipas të gjitha gjasave, do të zgjatë, për të mbërritur te numri që do ta kualifikonte Kosovën për t'u bërë anëtar i OKB-së, synim ky me rëndësi strategjike për një shtet. Të qenit anëtar i OKB-së është vërtetim final për një shtet. Në të kundërtën, një shtet mund të ketë telashe të shumëfishta, madje edhe në fushën e sportit, gjë që u kuptua kohëve të fundit. Malta do të duhej të bëhej shteti i 21-të i BE-së që do njihte Kosovën. Ky është një interes i madh jo vetëm i Kosovës, por edhe i BE-së, sepse shtetet që do të mbesin pa na njohur, në kuadër të BE-së, do të ndihen gjithnjë e më keq, me të shtuar të numrit të anëtarëve të BE-së që kanë mirëpritur pavarësinë e Kosovës. Shpresa e kosovarëve është që edhe Portugalia nuk do ta vonojë shumë njohjen dhe që kështu do të mbesin pesë shtete të BE-së pa e dhënë "dritën jeshile" për pavarësinë e Kosovës: Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro. Nga ana tjetër, po qe se fqinjët e Kosovës, Maqedonia dhe Mali i Zi, do të hynë në listën e shteteve që do të vendosin marrëdhënie të plota diplomatike me Kosovën, atëherë ky do të ishte një depërtim njëmend me peshë të madhe politike dhe diplomatike...

EPOKA E RE
Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, ka deklaruar të hënën se misioni që ai drejton ndodhet në fazën përfundimtare të vendosjes në terren dhe se rreth 2000 ekspertë nga lëmi i jurisprudencës, policisë dhe doganave së shpejti do të fillojnë të punojnë me kapacitete të plota. Ai këto komente i ka bërë gjatë një takimi me ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Boban Stankoviq, me të cilin ka biseduar për situatën aktuale politike. Ministri Stankoviq e ka njoftuar Kermabon për aktivitetet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe i ka kërkuar ndihmë nëpër ato lëmi ku ka mundësi ose ku është e mundur. "Ka shumë konteste pronësore të pazgjedhura nëpër gjykata, ashtu që EULEX-i mund të bëjë diçka më tepër, në mënyrë që popullata ta realizojë të drejtën e vet pronësore", ka thënë ai. Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, ka siguruar ministrin Stankoviq se do te ketë mjaft gjyqtarë që do të merren me konteste pronësore, ndërsa një ndihmë e madhe do të ishte kthimi i librave kadastrale, sepse, siç ka thënë ai, në këtë mënyrë kontestet pronësore, sa i përket pasurisë, do të ishin zgjedhur më me lehtësi...

BOTA SOT
Projekt-rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës nuk do të jetë e gatshme para vjeshtës, pavarësisht pritjeve, ndërkohë që një variant para-përfundimtar do të përgatitet gjatë kësaj jave në Ohër, ku do të udhëtojë i gjithë Komisioni i Kuvendit, për të punuar 'i mbyllur'. Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit, tha të hënën, pas takimit të Komisionit, se tanimë janë harmonizuar pjesët e nevojshme të Projekt-rregullores me Kushtetutën e Kosovës, e cila më vonë do të nxirret edhe në diskutim publik. Ai tha se Komisioni ka pasur për bazë modelet e Rregulloreve të Punës të Bundestagut të Gjermanisë, të Parlamentit të Sllovenisë dhe në veçanti të Shqipërisë, pasi edhe Parlamenti i Kosovës punon gati sipas modelit gjerman. Isufi thotë se Komisioni e ka spastruar Rregulloren aktuale nga paqartësisë dhe pasaktësitë. "Rregullorja e ardhshme nuk lejon dykuptimësi, ka precizitet të cilin nuk e ka Rregullorja aktuale, pasi saktëson të gjitha elementet e diskutueshme dhe sidomos parimet bazë i referohen Kushtetutës", tha Ahmeti...

INFOPRESS
Zhvillimet pas pavarësisë së Kosovës kanë qenë pozitive në vend dhe kanë ngjallur admirimin e Gjermanisë. Kështu shprehet ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter Steinbach, për Radio Kosovën. "Nëse bëjmë një retrospektivë të pesë muajve, që nga shpallja e shtetit të Kosovës, mund të them se kemi parë një zhvillim të mirë dhe para së gjithash paqësor në këtë vend dhe kjo është me shumë rëndësi", tha Steinbach. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që Qeveria e Kosovës ka reaguar në mënyrë shumë të përmbajtur dhe të moderuar ndaj provokimeve që ndodhën pas shpalljes së pavarësisë dhe ky fakt ka forcuar perspektivën e vendit. Qëndrimi i Qeverisë ka fituar admirim në botë dhe tek ne në Gjermani. Steinbach po ashtu ka thënë se Qeveria gjermane, pra Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet tjera. Ndërkaq, sa i përket sfidave me të cilat do të ballafaqohet Kosova në të ardhmen, Steinbach ka përmendur ekonominë...
XS
SM
MD
LG