Ndërlidhjet

Welch: Zhvillimi ekonomik zgjidh problemin e Mitrovicës


Anthony Welch
Anthony Welch

"Mitrovica mbetet ende zonë delikate dhe zgjidhja e atij problemi duhet kërkuar te zhvillimi ekonomik", thotë për Radion Evropa e Lirë, Anthony Welch, ekspert ndërkombëtar për siguri, përderisa shton se ndarja e kësaj pjese nuk i shkon përshtati asnjërës palë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Welch, Kosovën e pavarur tashmë e kanë njohur mbi 40 shtete. Meqë keni qenë i përfshirë në shumë fusha në Kosovë, si e shihni procesin e njohjes së shtetit të ri?

ANTHONY WELCH
Jam shumë i kënaqur që kaq shumë shtete e kanë njohur menjëherë Kosovën, por është pakëz zhgënjyese që nuk është rritur më tepër ky numër.

E di që disa shtete kanë ndërmend ta bëjnë në një kohë të duhur këtë dhe do të ishte mirë t’i shihnim këto shtete që ta marrin këtë vendim sa më shpejt që të jetë e mundur.

Nuk mendoj se dikush mund të ketë pritur se deklarata e pavarësisë do të pritej me kaq zemërgjerësi në botë, meqë ka shumë procese politike që shkojnë kundër kësaj deklarate. Pra, është fillim i mirë, por që duhet përmirësuar edhe më tej.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush mund të bëjë më shumë për të shtuar numrin e njohjeve?

ANTHONY WELCH
Mendoj se kjo më së shumti i përket Qeverisë së Kosovës. Ata me të vërtetë duhet të demonstrojnë se shteti po lëviz kah stabiliteti ekonomik dhe politik, se problemet ndëretnike janë tejkaluar.

Mendoj se është në duar të Qeverisë së Kosovës, që me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar të lëvizin kah ai drejtim.

Dhe, mendoj se kemi parë indikacione për këtë, p.sh. në Konferencën e Donatorëve, ku pati një përgjigje të mahnitshme nga komuniteti ndërkombëtar për të ndihmuar Kosovën, që të ketë një stabilitet ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni punuar shumë në sektorin e sigurisë në Kosovë, përderisa kjo fushë nuk po funksionin si duhet në pjesën veriore, ku ju keni qenë për një kohë edhe administrator rajonal. Si e shihni zgjidhjen e situatës?

ANTHONY WELCH
Frikësohem se gjithmonë ka qenë fakt, se Mitrovica do të jetë dhe ka qenë në të kaluarën një zonë delikate për Kosovën dhe kam frikë se po vazhdon të mbetet e tillë.

Janë shumë procese që mund ta përmirësojnë këtë: reagimi i Qeverisë që të integrojë njerëzit brenda shtetit dhe natyrisht për këtë duhet ndihmuar komuniteti ndërkombëtar.

Siç e kemi parë, Sekretari i Përgjithshëm (OKB-së) ka sugjeruar së fundi ristrukturimin të UNMIK-ut, që të ndihmojë në këtë proces dhe Bashkimi Evropian, përmes misionit të sundimit të ligjit, do ta bëjë këtë.

Është proces i gjatë, meqë të dyja palët mbizotërojnë ndjenja të fuqishme, të cilat duhet të tejkalohen.

Më duhet të them se ngjarjet e fundit në Beograd janë hapa në drejtimin e duhur dhe mbase janë indikacione se Serbia po shikon kah bota dhe jo si në të kaluarën; ndoshta po shikon ka integrimi në një mënyrë më kuptimplote.

RADIO EVROPA E LIRË
Sapo thatë se ky është një proces i gjatë, ndërkohë, tash së fundi, rasti i Suhodollit tregoi se edhe projektet që janë për të mirën e të dyja komuniteteve, mund të politizohen. Si mendoni se do mund të depolitizoheshin qytetarët?

ANTHONY WELCH
Unë gjithmonë e kam përsëritur se në fund të fundit, është ekonomia ajo që i zgjidh problemet.

Nëse njerëzit kanë punë, mund të mbajnë dhe ushqejnë familjet e tyre në mënyrë të dinjitetshme, atëherë shumë nga tensionet do të zhduken.

Mendoj se mund të akuzohem për këtë thjeshtësi, por mendoj se kjo është zgjidhje. Por, frikësohem se kjo do të marrë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e rrezikojnë tërësinë territoriale të Kosovës këto tensione?

ANTHONY WELCH
Mendimi im personal nuk bazohet në ndonjë fakt, por mendoj se ndarja nuk i shkon përshtati asnjërës palë.

Natyrisht që nuk i përshtatet Republikës së Kosovës, por mendoj se në këtë kohë nuk është as në interes të Republikës së Serbisë. Kjo është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian dhe tërë komuniteti ndërkombëtar.

Mendoj se për të dyja entitetet ky do të ishte një hap i gabuar dhe nuk do t’i ndihmonte askujt, e veçanërisht nuk do t’i ndihmonte njerëzit në veriun e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa keni qenë në krye të ISSR-së keni rekomanduar krijimin e Forcës së Sigurisë, propozim ky që u përfshi në pakon e Ahtisaarit. Por, si e shihni të ardhmen e anëtarëve të TMK-së që nuk do mund të përfshihen në këtë forcë?

ANTHONY WELCH
Ne kemi rekomanduar në raport se secili duhet të ketë mundësinë që t’i bashkohet Forcës së re të Sigurisë, përfshirë pjesëtarët e TMK-së.

Mendoj se ka shumë pjesëtarë të shkathtë dhe te vullnetshëm që nuk do të kenë aspak vështirësi për t’iu bashkuar FSK-së.

Natyrisht, që kjo forcë do jetë shumë më e vogël, për shkak të financimit të saj dhe për shkak se NATO-ja ende operon në Kosovë.

Për ata që ndoshta nuk do të mund të vazhdojnë, e di se do të ketë mundësi të tjera për t’i trajnuar dhe profesionalizuar në drejtime tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse i referohemi ndonjë orientimi kohor, kur mendoni se Kosova mund të qëndrojë në këmbët e veta dhe të mos ketë nevojë për prani ndërkombëtare, qoftë edhe ushtarake?

ANTHONY WELCH
Do të isha një njeri shumë i pasur, po t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje.

Unë shpresoj që ky proces të mos jetë i gjatë sa ka qenë për shembull në Qipro, ku janë dashur vite të tëra. Kosova ka nevojë për NATO-n.

Unë nuk do të kisha dashur të flisja në terma kohorë, por e di se do të shohim një prani ndoshta edhe për më pak se 10 vjet. Shpresoj që kjo të arrihet.

Është në interes të secilit që Kosova të forcohet, të rritet dhe të mund të qëndrojë në të dyja këmbët, edhe në aspektin e sigurisë, edhe në atë politik e ekonomik.
XS
SM
MD
LG