Ndërlidhjet

"Serbia s'ka armë kundër pavarësisë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Autoritetet në Beograd kanë paralajmëruar të dielën se e kanë ndërmend që arrestimin e Radovan Karaxhiqit ta përdorin për qëllime politike si argument rreth Kosovës. Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviq, gjatë një takimi joformal të Kryeministrave të Evropës Juglindore në Austri, ka deklaruar se fakti që Radovan Karaxhiq është arrestuar, do të thotë se Serbia respekton të drejtën ndërkombëtare. Por, sipas tij, e drejta ndërkombëtare duhet të respektohet edhe për Kosovën. "Mendoj se bashkëpunimi me Hagën është i nevojshëm, pasi që është dëshmi se respektojmë dhe njohim të drejtën ndërkombëtare. Këtë qasje do ta shfrytëzojmë edhe në luftën ndaj Kosovës", ka thënë ai. Zyrtarë të lartë evropianë kanë përshëndetur arrestimin e Karaxhiqit duke kërkuar që edhe të akuzuarit tjerë për krime lufte të dorëzohen para Gjykatës. Mundësia që Serbia të rifillojë rrugën drejt BE-së është shfaqur sërish, mirëpo Serbia duhet edhe më tej të plotësojë kushte. Ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plasnik, nuk ka dashur të thotë se kur mundet Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, mirëpo ka theksuar se ajo së pari duhet të përmbushë detyrat, në mënyrë që të arrijë standardet evropiane...

KOHA DITORE
Deklarimi i zyrtarëve politikë të Serbisë që arrestimi i të akuzuarit për gjenocid, Radovan Karaxhiq, ka qenë një armë për kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës është komentuar si krahasim absurd, i paargumentuar dhe i pakuptimtë. Zyrtarë politikë dhe analistë vendorë kanë thënë të dielën në Prishtinë që këto janë dy çështje diametralisht të kundërta dhe se Serbia nuk ka armë kundër pavarësisë. "Serbia po përpiqet që të përfitojë sa më shumë me arrestimin e të akuzuarit për gjenocid, Radovan Karaxhiq. Krahasimi që ka bërë kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviq, që të zbatohet e drejta ndërkombëtare edhe në rastin e Kosovës si atë që e ka bërë Serbia me Karaxhiqin, është pa argumente, i pakuptimtë. Kosova e ka shpallur pavarësinë në bazë të së drejtës ndërkombëtare, bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe është një deklarim legjitim i pavarësisë. Mbi këtë legjitimitet i kemi marrë edhe njohjet e shteteve", ka thënë të dielën për "Kohën Ditore" zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj. Ndërkohë, edhe drejtori i Fondacionit Rockefeller Brothers (RFB), Haki Abazi, thotë se nuk mund të tërhiqen paralele në mes këtyre dy çështjeve. "Këto janë dy çështje diametralisht të kundërta. E para për përgjegjësinë e individëve për gjenocid, ndërsa e dyta është e drejta për vetëvendosje e 90 për qind e popullatës në Kosovë", ka thënë Abazi...

BOTA SOT
Nga: Shirley Cloves DioGuardi: Pa intervenimin e SHBA-ve për të përshpejtuar vendosjen e EULEX-it në veri, me ndihmën e KFOR-it, ndarja do të behet realitet, dhe kjo do ta hapte derën për rifillimin e diskutimeve për të bërë Kosovën Lindore pjesë të Kosovës, ashtu siç ishte para se serbët ta aneksonin ilegalisht më 1956. Ne u takuam me liderët e disa partive politike dhe OJQ-ve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në Gjilan dhe mësuam për një gjendje shumë të zymtë të kushteve aparteidike për shqiptarët atje. Policia dhe ushtria serbe janë të angazhuara në një fushatë të spastrimit etnik të heshtur në Luginën e Preshevës. Ata me qëllim po përdorin taktika të dhunshme dhe shtypëse për të larguar shqiptarët nga trojet e tyre, gjersa në të njëjtën kohë pengojnë kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre. Problemet e shqiptarëve në Kosovën Lindore paraqesin situatën më të keqe të të drejtave të njeriut në Evropë... Pikat jofunksionale të kufirit në veri kanë krijuar mundësi për futje të mallrave të importuara nga Serbia pa taksa dhe pa tarifa doganore, gjersa afaristët shqiptarë në pjesët tjera të Kosovës duhet t'i paguajnë këto taksa dhe tarifa. Si rezultat, shteti i ri i Kosovës ka mundësi që së shpejti të bankrotojë për shkak të mallrave të futura brenda pa paguar taksat...

LAJM
Paraqitja e kryeadministratorit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, të premten, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka hasur në reagim pozitiv te zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe tek analistët vendorë. Raporti i Zannierit është konsideruar pranim i tij i gjendjes reale që është krijuar në Kosovë, ngase këtë e ka thënë edhe vete ai, të premten, në selinë e OKB-së. Pritet që tashmë procesi i tranzicionit të ecë me hapa të përshpejtuar, derisa të barten të gjitha kompetencat tek institucionet kosovare. Si qeveritarët, ashtu edhe analistët kosovarë thonë se tani "topi" është në anën e BE-së dhe se do të duhej ta luajë rolin e vet, në mënyrë që t'i marrë përgjegjësitë dhe misionin e vet, me qëllim të forcimit të ligjit në Kosovë sa më shpejt që është e mundur. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, mbledhjen e fundit të KS-së, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, e vlerëson përshkrim të gjendjes reale në Kosovë. Kundërshtimet dhe reagimet e vazhdueshme të Serbisë dhe të Rusisë për realitetin e ri në Kosovë, Kuçi konsideron se me kohë do të ndryshojnë për të mirë. Sipas tij, tashmë në Republikën e Kosovës po ndodh ndryshimi i misionit të UNMIK-ut dhe se me kohë edhe Serbia, edhe Rusia do ta pranojnë realitetin në Kosovë...

ZËRI
E pakënaqur me trajtimin që po i bëhet nga partneri i madh në koalicionin qeveritar, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon rishikimin e marrëveshjes së koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës. I emëruar dy javë më pare si Udhëheqës Ekzekutiv i LDK-së, Blerim Kuçi shprehet se LDK-ja gjendet përpara një procesi të vështirë të ristrukturimit nga i cili pret ndryshime të mëdha përfshirë edhe kreun e partisë. Kuçi i ka thënë "Zërit" se brenda marrëveshjes aktuale për koalicion, në disa elemente, LDK-ja është e nënshtruara e PDK-së. "Ka elemente të tilla të nënshtrimit, por në fakt ne nuk kemi një marrëveshje shumë strikte për bashkëqeverisje. Ka mundësi që në të ardhmen t'i rishikojmë disa elemente të vogla të marrëveshjes. Ne jemi duke përpunuar një platformë të bashkëqeverisjes me disa elemente", ka thënë Blerim Kuçi. Ai pret që PDK të tregojë vullnet dhe të jetë bashkëpunuese në ribërjen e marrëveshjes për koalicion. Ish-ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e kaluar të drejtuar nga Agim Çeku, thotë se i ka vënë vetes detyrë që ta kthejë LDK-në në partinë më të votuar të Kosovës pasi humbi primatin nga PDK-ja në zgjedhjet e fundit. Për ta arritur këtë, ai nuk përjashton mundësinë e një ribashkimi spektakular të LDK-së me Lidhjen Demokratike të Dardanisë të Nexhat Dacit...

EPOKA E RE
Ambasadori rus në Serbi. Aleksander Aleksejev, ka deklaruar se “serbët dhe shqiptarët, herët a vonë, përsëri do të duhej të uleshin në tavolinën e bisedimeve”, meqë situata e tanishme në Kosovë “nuk po zhvillohet ashtu siç e kanë dëshiruar ata që e kanë menduar tërë këtë”. “Nga kjo situatë duhet të dalim djhë përveç bisedimeve , nuk ka rrugëdalje tjetër”, ka theksuar për medait serbe, Aleksejev. Ai ka nënvizuar se nuk duhet të imponohen zgjedhjet, por që serbëve dhe shqiptarëve t’u mundësohet që nëpërmjet bisedimeve ta arrijnë kompromisin. Sipas Aleksejevit, zhvillimi i situatës në Kosovë po shkon drejt asaj që duhet “ngrirje e konfliktit”...

KOSOVA SOT
Seanca e KS-së së OKB-së, që u mbajt të premten, konstatoi gjendjen e krijuar në Kosovë pas shpalljes dhe njohjes së saj nga shumica e vendeve perëndimore, të cilat për kryefjalë kishin rikonfigurimin sa më të shpejtë të UNMIK-ut, qëndrim ky i cili kundërshtohet nga Rusia. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, seancën e KS-së e konsideron si përshkrim të gjendjes reale. "Tashmë në Republikën e Kosovës po ndodh ndryshimi i misionit të UNMIK-ut dhe me kohë edhe Serbia, edhe Rusia do ta pranojnë realitetin në Kosovë", tha ai... Eksperti për çështje ndërkombëtare, dr. Mehdi Hyseni, tha se prania e UNMIK-ut në Kosovë është e panevojshme dhe krejtësisht jashtëligjore. "Kërkesa dhe vendimi që Kosova të vihet nën ‘rikonfigurimin’ e UNMIK-ut është jo vetëm absurd politik dhe diplomatik, por edhe gabim kardinal juridik, sepse nuk ka kurrfarë baze, as kurrfarë mbështetjeje, qoftë nga ana e Kartës së OKB-së, qoftë nga ana e së drejtës ndërkombëtare, apo qoftë nga ana e së drejtës së brendshme të Kosovës, sepse në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në asnjë paragraf a dispozitë të saj, nuk është sanksionuar si "rikonfigurim" i UNMIK-ut, as "rikonfigurim" i EULEX-it", konsideron Hyseni...
XS
SM
MD
LG