Ndërlidhjet

“Përzierje kompetencash”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Bazuar në fushat e përgjegjësisë aktuale, drejtori i Shërbimit të Doganave, Naim Huruglica, nuk mund të suspendohet nga Qeveria e Kosovës për çfarëdo shkeljesh që të kenë ndodhur, sepse kjo është ende kompetencë e patransferuar te vendorët. Në anën tjetër, vendimi për suspendimin e Huruglicës është diskutuar në zyrat e UNMIK-ut dhe të Qeverisë se kush vendos për Doganat. Mësohet se në bazë të kodit shifror të Zyrës së Prokurimit të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH) dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), është hapur tender ndërkombëtar, më 21 korrik, e që duhet të mbyllet më 31 korrik, e që, sipas shifrave, fjala është për një shumë që i afrohet njëmilionëshit që duhet paguar nga Buxheti i Kosovës për shkatërrimin e vajit disulfurik, të dislokuar në kompleksin e kombinatit të Trepçës, në afërsi të Mitrovicës. Burime të "Lajmit" nga UNMIK-u kanë thënë në kushte anonimiteti se ka pasur fërkime ndërmjet Zyrës së Lamberto Zannierit dhe Qeverisë në rastin e suspendimit të drejtorit të Shërbimit Doganor. "Doganat janë ende përgjegjësi e UNMIK-ut dhe për ta bërë suspendimin e Huruglicës është dashur pëlqimi i plotë i UNMIK-ut dhe Zyrës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. Edhe Pakoja e Ahtisaarit e përcakton këtë çështje. Këtu është një gjë tepër absurde që po del në sipërfaqe. Kur është në pyetje kthimi i Doganave në veri, kompetencat i ka UNMIK-u, ndërsa kur është në pyetje suspendimi i drejtorit, kompetencat i merr Qeveria", tha ky burim...

KOHA DITORE
Kreu i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, ka deklaruar të martën se procesi i rikonfigurimit të pranisë ndërkombëtare civile në vend, do të ketë vonesa që, sipas tij, do të jenë disamuajshe nga planifikimi i tashëm. Disa nga shkaqet e këtyre vonesave, siç argumenton shefi i ri i UNMIK-ut, duhet kërkuar tek evropianët, sepse, sipas tij, ka disa punë që Kombet e Bashkuara nuk mund t'i bëjnë për ta. "Procesi dhe periudha e rikonfigurimit për UNMIK-un dhe ndërtimin e EULEX-it, tashmë ka filluar dhe do të ketë vonesa. Andaj, tani po shikojmë nga fundi i nëntorit, apo fillimi i dhjetorit, si një afat i kompletimit të aspektit operacional dhe dorëzimin e tërësishëm (të përgjegjësive). Mendoj se disa prej gjërave duhet të bëhen nga evropianët dhe vetë EULEX-i, sepse unë nuk mundem t'i bëj ato punë për ta", ka deklaruar në një interviste Lamberto Zannier. Përfaqësuesi i posaçëm i shefit të OKB-së për Kosovën insiston se evropianet duhet t'i bëjnë vetë detyrat e shtëpisë, ndërsa përmend se zbarkimi dhe themelimi i misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX-it, në vendbanimet me shumicë serbe është problem i BE-së dhe jo i OKB-së...

EPOKA E RE
Një ditë pas deklaratave të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci, se koalicioni qeverisës është në krizë, ka reaguar Hajredin Kuçi, në cilësinë e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se koalicioni qeverisës është duke funksionuar shumë mirë, dhe se nuk ka krize ashtu siç pretendohet nga opozita. “Jemi të qëndrueshëm dhe të konsoliduar shumë mirë", ka thënë Kuçi, duke shtuar se partnerët qeverisës kanë kapacitetet e mjaftueshme për sfida dhe projekte afatgjata. Ndërkohë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fadil Ferati, megjithëse nuk ka dashur t'i komentojë deklaratat e dikujt tjetër, ka thënë se kompetentë për të vlerësuar, nëse është, apo jo, në krizë koalicioni qeveritar, janë vetëm bartësit e këtij koalicioni (PDK dhe LDK) e jo dikush tjetër.
"Unë nuk e kam zanat t'i komentoj deklaratat e të tjerëve. Mendoj se kompetentë për të dhënë një përgjigje rreth asaj se a është apo jo në krizë koalicioni, janë partnerët e koalicionit dhe jo dikush që nuk
është në qeveri", ka deklaruar Ferati...

EXPRESS
Tri partitë opozitare në vend, Aleanca për Kosovën e Re, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mund t'ia bëjnë më të vështirë jetën Qeverisë së Kosovës, nëse një iniciativë për bashkërendim të veprimeve mes tyre materializohet me sukses. Liderët e këtyre subjekteve, Behgjet Pacolli, Ramush Haradinaj dhe Nexhat Daci, me iniciativë të këtij të fundit, javën e kaluar janë ulur bashkë, për të iniciuar hartimin e një strategjie te përbashkët veprimi për përballje me Qeverinë. Aktualisht, këto parti nuk dëshirojnë të flasin për një front që do të dalë me një zë përballë koalicionit qeverisës, por lënë të kuptohet se kjo nismë edhe mund të shkojë në këtë drejtim. Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, në një intervistë për Express, të hënën, ka deklaruar se takimi mes tre liderëve është zhvilluar në një atmosferë të shkëlqyeshme. Por, qëllimi i unifikimit, sipas Dacit, nuk ka të bëje me "rrënimin e diçkaje", duke aluduar në Qeverinë e Kosovës…

INFOPRESS
Rikonfigurim, ristrukturim, rishikim, ndryshime të mëdha, njerëz të rinj, janë vetëm disa nga shprehjet më të shpeshta të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Partia që doli e dyta në zgjedhjet e fundit dhe është partner bashkëqeverisës gjatë këtij mandati, është e pakënaqur me statusin aktual të partisë, sikurse edhe me proceset që kanë kaluar deri më tash. Koha e ndryshimeve për LDK-në ka nisur dhe tashmë shihen vetëm fillesat e një "tërmeti" brenda-partiak. Ndryshe, LDK-ja ka zgjedhur që ndryshimet t'i nisë që nga shqyrtimi i marrëveshjes së koalicionit qeverisës PDK-LDK. Ka qenë Blerim Kuçi, udhëheqësi ekzekutiv i LDK-së, që ka thënë se marrëveshja e koalicionit PDK-LDK duhet të rishikohet. "Ne nuk kemi një marrëveshje strikte për bashkëqeverisje. Ka mundësi që në të ardhmen t'i rishikojmë disa elemente të vogla të marrëveshjes", ka thënë Kuçi, duke shtuar se është duke u punuar në një platformë të bashkëqeverisjes në disa elemente.
Teksa partitë opozitare proklamojnë për një jostabilitet në koalicionin qeverisës, një gjë të tillë e mohojnë vetë partitë e koalicionit...

KOSOVA SOT
Ekzekutivi i vendit ka përcaktuar procedura të reja në hartimin e projektligjeve dhe akteve nënligjore të reja, në bazë të një udhëzimi administrativ. Ky udhëzim ka për objektiv unifikimin e praktikave dhe procedurave në hartimin e projekt-akteve juridike në Kosovë. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj tha se ky udhëzim do t'i ndihmojë hartuesit e projektligjeve dhe akteve nënligjore gjatë procesit të hartimit, diskutimit dhe miratimit të legjislacionit. "Pritet që ky udhëzim administrativ të rrisë efikasitetin dhe performancën e departamenteve ligjore të gjitha ministrive, duke unifikuar praktikat, përvojat dhe duke bërë të mundur që një draft i propozuar i ligjit të jetë në kuptim cilësor më i përgatitur, më kualitativ dhe natyrisht më i zbatueshëm", tha Manaj. Ndërkaq, ministri Arsim Bajrami tha se kjo nismë është e nevojshme për të unifikuar teknikat legjislative, sepse, siç tha, tani "aktiviteti legjislativ do të ndryshojë, pasi në vend të rregullores së UNMIK-ut kemi ligjet e Kosovës". Ai tha se deri më tani në praktikë po ndodhin shumë dallime. "Duhet unifikuar terminologjinë juridike, sepse pas tërheqjes së UNMIK-ut dhe përfundimit të praktikës me rregullore të UNMIK-ut, do të ndryshojë...”.

ZËRI
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, do të takohet sot "në njërën nga ndërtesat e UNMIK-ut" me të ashtuquajturin ministër të Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq, në serinë e dytë të bisedimeve UNMIK -Beograd. Zyrtarë të UNMIK-ut kanë konfirmuar të martën se në agjendën e sotme të shefit të këtij misioni gjendet një takim me zyrtarin më të lartë të Beogradit të ngarkuar për Kosovën, por ata nuk kanë mundur të konfirmojnë me saktësi për kohën dhe vendin e mbajtjes së këtij takimi. “Ata do të takohen në njërën nga ndërtesat e UNMIK-ut për të vazhduar diskutimet nga takimi i javës së kaluar në Beograd", ka thënë dje zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko. Zanier kishte vizituar të mërkurën e kaluar Beogradin për të bërë kontaktin e parë UNMIK-Qeveri e Serbisë, pas ngrirjes së raporteve që zgjati për më shumë se dy vjet. Në agjendën e diskutimeve të shefit të UNMIK-ut ekziston një dokument prej gjashtë pikave, të cilat ai tenton t'i shtrijë në tavolinë të bisedimeve ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. Sipas zëdhënësit Ivanko, takimit të Zanierit me Bogdanoviqin sot në mëngjes do t'i paraprijë një takim që shefi i UNMIK-ut do ta zhvillojë me kryeministrin c Kosovës, Hashim Thaçi...

BOTA SOT
Ministria e Punëve të Brendshme, të martën, ka njoftuar se dhënia e pasaportës së parë të Republikës se Kosovës, e paraparë për të martën, është shtyrë për ditën e mërkurë, në ora 9.30. Në këtë ngjarje të rëndësishme do të jenë të pranishëm kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti dhe personalitete të tjera, të cilat do të japin pasaportën e parë të Republikës së Kosovës. Dhënia e pasaportës së parë do të bëhet në Komunën e Prishtinës. Me fillimin e lëshimit të pasaportave të Republikës së Kosovës, administrata e UNMIK-ut ka njoftuar se do të ndalojë lëshimin e dokumenteve të udhëtimit nga kjo administratë, ndërsa dokumentacioni i UNMlK-ut ka vlerë deri në kalimin e afatit. Pasaportat e Republikës së Kosovës do të jene të shkruara në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht. Aplikimi për pasaporta ka filluar javën e kaluar...
XS
SM
MD
LG