Ndërlidhjet

“Negociata po, madje të zorshme!”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar të enjten nga anëtarët e tij të kabinetit qeverisës që buxhetin e aprovuar në Kuvendin e Kosovës ta shfrytëzojnë në përputhje me ligjin, në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme. Gjatë mbledhjes së rregullt të kabinetit të ministrave, kreu i ekzekutivit të vendit ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë rishikimit të buxhetit dhe miratimit të tij. E, në të njëjtën kohë, kryeministri Thaçi ka premtuar se do të jepet llogari para çdo qytetari dhe Kuvendit të Kosovës për çdo cent të harxhuar nga buxheti i Kosovës. Duke kërkuar nga ministrat e dikastereve qeveritare që te përshpejtojnë realizimin e projekteve me dinamikë më të shpejtë, kryeministri Thaçi ka thënë se përkushtim i Qeverisë së Kosovës do të vazhdojë të mbetet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. "Askush nuk do të tolerohet dhe mik do të kursehet nga kjo. Ne deri këtu kemi pasur sukses të shkëlqyeshëm, sepse kemi qenë të qartë, të vendosur dhe me prioritete të drejta, që ishin në interes te vendit, gjithë qytetarëve, por edhe prioritete që përputhen me kriteret demokratike të botës demokratike, BE-së e NATO-s", ka thënë Thaçi...

KOHA DITORE
Negociatat Prishtinë-UNMIK-Beograd për gjashtë pikat e kreut të OKB-së, Ban Ki-moon, janë shumë të zorshme, delikate dhe komplekse, por i dërguari i tij i posaçëm në Kosovë, Lamberto Zannier, ka zgjidhje për to. Këto zgjidhje ai do t'ia paraqesë Prishtinës dhe Beogradit... Në një intervistë për 'Kohën Ditore', Lamberto Zannier i ka bërë publike hollësitë dhe qëllimet e negociatave për gjashtë pikat e Ki-moonit - polici, gjyqësi, doganat, menaxhimin e kufirit, objektet e kultit dhe transportin / telekomunikacionin. Për policinë, Zannier paralajmëron një ofertë, e cila do të krijonte policinë etnike serbe brenda Policisë së Kosovës, por me autonomi speciale në zinxhirin e saj komandues. Dogana në veri të Kosovës, sipas shefit të UNMIK-ut, do të mund t'i ngjante modelit të Hong-Kongut, një territor me dy zona doganore. Gjyqësia po të njëjtin format. Zannier ka thënë se për këto nisma ka përkrahjen e Grupit të Kontaktit, kurse Prishtina zyrtare përkrah po ashtu, duke qenë e informuar për çdo gjë. "Takimet", siç i quan kryeministri i Kosovës këto negociata, përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm për Kosovën, Lamberto Zannier, qartëson se nuk janë takime, por negociata shumë të zorshme, delikate dhe komplekse. Shefi i UNMIK-ut ka deklaruar se ai është shefi i madh ne Kosovë, përderisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244...

EXPRESS
Tomas Valasek, Drejtor i Politikës së Jashtme dhe Mbrojtjes në Qendrën për Reforma Evropiane me seli në Bruksel, ka deklaruar se pengesa kryesore për Serbinë në rrugën drejt integrimit evropian do të jetë Kosova, pavarësisht se arrestimi i Radovan Karaxhiqit ka përmirësuar imazhin e saj. Valasek ka vlerësuar se angazhimi i njëmendët për përmbushjen e kushteve ndaj Tribunalit, që është edhe kushti i parë për përparime të mëtejme të Serbisë në rrugën drejt BE-së përforcon pozicionin e Boris Tadiqit dhe imazhin e Serbisë në sytë e BE-së, por Kosova do të paraqesë problem për Beogradin. "Kosova do të vazhdojë të rrënojë raportet mes Brukselit dhe Beogradit", ka thënë ai. Arsyeja kryesore, sipas tij, është se qeveria aktuale në Beograd është duke kundërshtuar në mnënyrë kategorike pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht se ka dërguar tashmë sinjale se dëshiron përmirësimin e raporteve me vendet e BE-së, duke kthyer ambasadorët në qendrat që kane njohur pavarësinë e Kosovës, Valasek thotë se Serbia duhet të bëjë më shumë...

KOSOVA SOT
Politika zyrtare ka marrë ftesë për të marrë pjesë në takimin e konventës demokratike të SHBA-së më 22 gusht. Tashmë ftesat u janë adresuar edhe përfaqësuesve të institucioneve dhe partive politike nga ana organizatës joqeveritare amerikane "NDI". Lideri i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviq, konfirmoi se ka marrë ftesën për këtë takim, në të cilin janë ftuar edhe përfaqësues të lartë të institucioneve, kryeministri dhe presidenti i vendit. “Kam marrë ftesë për në konventën e partisë demokratike, ku do të jetë i pranishëm kandidati për president, senatori Barak Obama, dhe do të kemi disa takime me kongresistë amerikanë", konfirmoi Petroviq. Në këtë takim do të jetë prezent edhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid. Konventa e demokratëve do të zgjasë nga 22 gushti deri më 29 gusht, ndërsa në të, përveç përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, pritet të marrin pjesë edhe liderë të vendeve fqinje...

ZËRI
Qeveria e Kosovës edhe një herë ia ka bërë të ditur shefit të UNMIK-ut "detyrat dhe përgjegjësitë" e tij në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, duke e paralajmëruar që të mos prekë në çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin e Kosovës kur të bisedojë me zyrtarë të Qeverisë së Serbisë. Një ditë pasi ministri serb për Kosovën erdhi në Prishtinë dhe u tregua optimist për një marrëveshje të mundshme me UNMIK-un në çështje të policisë dhe gjyqësisë për vendbanimet e serbëve të Kosovës, zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi, i ka thënë diplomatit italian që drejton misionin e OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanierit, se nuk është ai që do t'i marrë obligimet për Kosovën. Në të njëjtën kohë, Kuçi ka paralajmëruar Goran Bogdanoviqin, një qytetar serb i Kosovës që ka gjetur punë javë më parë në Qeverinë e Serbisë, që në ndonjë nga vizitat e tij në Kosovë në të ardhmen të kërkojë leje te autoritetet e shtetit më të ri për të siguruar qasje brenda territorit të tij. Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se vënia e rregullit në vizitat e zyrtarëve të Beogradit në Kosovë është në të mirën e serbëve të Kosovës dhe të vetë Serbisë...

BOTA SOT
Kryeprokurori i misionit të EULEX-it në Kosovë, Alberto Perduka, tha në Gjilan, se EULEX-i është në Kosovë që t'i asistojë e ndihmojë gjyqet e këtushme dhe jo për të krijuar gjyqësi paralele. Ai e bëri këtë deklaratë para kryetarit të komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, kryetarit të Barit të Italisë, Michele Emiliano, dhe para dhjetëra të rinjve italianë e vendorë, të cilët ishin pjesëmarrës të një projekti të dedikuar për shtetet që janë kandidate të BE-së, projekt që ka të bëjë me luftën kundër krimit. Kryeprokurori Perduka tha se EULEX-i në Kosovë ka mision specifik dhe do të mbulojë gjyqësinë, doganat dhe policinë, për të shtuar se në vendet demokratike, ligji është mbreti...

EPOKA E RE
Shefi i Misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, në një intervistë për BBC-në, ka thënë se UNMIK-u ndoshta mund të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë për një kohë edhe më të gjatë nga ç'u mendua në fillim edhe me dislokimin e plotë të EULEX-it. Ai ka thënë se misioni evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, duhet të përpiqet që të vendoset vetë në tërë territorin e Kosovës, duke i ofruar atij një ombrellë të 1244-shit. Sipas tij, BE-ja duhet t'i tregojë Beogradit dhe serbëve të Kosovës në terren, se do të kenë një avantazh me vendosjen e misionit evropian. Zannier gjithashtu ka thënë se ai ka ende përgjegjësitë ekzekutive të rezervuara në Kosovë dhe se sheh hapësirë për përdorimin e tyre kryesisht në fushën e rendit dhe të ligjit. Sipas tij, dialogu Prishtinë-Beograd nuk është dialog në përpjekje për të arritur marrëveshje për një numër parimesh, por dialog për t'i zgjidhur problemet në terren. Zannier ka thënë se fjalimi i tij në seancën e KS të OKB-së, javën e kaluar, ka qenë real. "Ndoshta ata që panë nota të dëshpërimit në atë që unë thashë, vinin nga situata, sepse e kanë parë rolin tim si të paraardhësve të mi. Qëllimi im ishte pikërisht ai, se roli im ishte ndryshe. Unë nuk jam i dëshpëruar, sepse e cilësoj punën time tani shumë më interesante sesa atë të paraardhësve të mi. Po heq nga barra çështjet administrative dhe po marr gjithnjë e më shumë rolin politik, një rol të ndërmjetësit, një urë mes komuniteteve”...

LAJM
Në janar të vitit të ardhshëm do të fillojë trajnimi i pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), që do të pranohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Këtë do ta bëjnë ekspertë të NATO-s, pasi të bëhet seleksionimi se kush i plotëson kushtet për të qenë pjesë e forcës së ardhshme. Procesi i transformimit nga TMK-ja në FSK tanimë ka filluar. Formularët për të aplikuar në FSK janë dërguar në të gjitha zonat dhe njësitë e TMK-së, ndërkohë që afati i fundit për aplikim ka qenë dita e enjte (dje). Të gjithë pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës kanë të drejtë të aplikojnë në FSK, por jo te gjithë i kanë plotësuar aplikacionet, edhe pse sipas Rrahman Ramës, zëvendëskomandant i TMK-së, 95 për qind prej tyre i kanë marrë ato. Sipas tij, aplikimi për FSK nuk është i obligueshëm, por këtë ka të drejtë ta bëjë secili pjesëtar i TMK-së, pa përjashtim, megjithëse për të qenë pjesë e forcës së ardhshme kriteri kryesor është mosha e re, kriter që këtë nuk e plotësojnë 50 për qind e pjesëtarëve të TMK-së. Por, gjeneral Rama tha se për pjesëtarët e TMK-së do të ketë përjashtime. "Pjesëtari i FSK-së që vjen nga shoqëria civile duhet të jetë prej moshës 18-24. Ndërkaq, për pjesëtarët e TMK-së bileta për të hyrë në FSK është më e lirë. Për këta ka përjashtime edhe për moshën. Ta zëmë, pjesë e FSK-së mund të jetë edhe një 55-vjeçar, por që i nevojitet FSK-së"...


XS
SM
MD
LG