Ndërlidhjet

NYT: Karaxhiq paraqitet në gjykatë


"Financial Times", "New York Times", "Independent"

Radovan Karaxhiq i ka thënë Tribunalit të Kombeve të Bashkuara se gjatë 13 viteve të fundit ka qenë në fshehje për shkak të kërcënimeve me vdekje nga Shtetet e Bashkuara. E përditshmja “Financial Times” shkruan se ish lideri i serbëve të Bosnjës ka pohuar se Richard Holbrooke, i dërguari amerikan për Bosnjën, ka bërë përpjekje që të aranzhojë tërheqjen e aktpadisë në kuadër të një marrëveshjeje, me të cilën do të nënkuptohej zhdukja e zotit Karaxhiq nga jeta publike.

Karaxhiq akuzohet për gjenocid, për shkak të rolit që ka pasur në rrethimin 43 muajsh të Sarajevës dhe masakrimin e 8,000 myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë. Gazeta shkruan se do të duhen edhe disa muaj që gjykimi i tij në Hagë të fillojë, por që në paraqitjen e tij të parë, Karaxhiq ka dhënë disa shenja se si do të duket strategjia e tij.

Për dallim nga Sllobodan Millosheviqi, ai nuk ka synuar që të vë në dyshim legjitimitetin e Gjykatës, por bëri përpjekje të vazhdueshme për të përfituar në rrafshin procedural, shkruan FT.

E përditshmja “New York Times”, citon disa ekspertë, ndonëse të habitur me zbulimin e befasishëm të Karaxhiqit pas aq shumë vjetësh, të kenë thënë se akuzat kundër tij, madje edhe ato mbi gjenocidin, do të jenë më të lehta për t’u dëshmuar se në rastin e Millosheviqit.

Në këtë rast, gazeta shkruan se akuzat do të përqëndrohen më shumë në krimet brenda një shteti, për dallim nga Millosheviqi, në rastin e të cilit janë përfshirë luftërat në tri shtete në një periudhë prej një dekade. Ekspertët gjithashtu thonë se në rastin Karaxhiq, edhe dëshmitë janë më të qarta.

Për vetë Tribunalin ndërkaq, i cili po ecën drejt mbylljes, shumëçka është në rrezik gjatë gjykimit të këtij të akuzuari të profilit të lartë. Disa e shohin si një shans për këtë gjykatë, shpeshherë të kritikuar procese të ngadalësuara dhe të ndërlikuara, si në rastin e Millosheviqit, shkruan “New York Times”.

E përditshmja tjetër, “Independent”, shkruan se çështja më e madhe tani është nëse drejtësia do të jetë më efektive se sa në gjykimin e ndërlikuar dhe të papërmbyllur të Sllobodan Millosheviqit.

Prokurorët ndërkombëtarë kryesisht synojnë t’i ngarkojnë aktpaditë që i ngrisin, duke menduar se u kanë borxh viktimave që të akuzojnë një lider politik me të gjitha pasojat kriminale të politikave të tij, shkruan gazeta. Por, gjykimet nuk janë komisione për të nxjerrë të vërtetën. Ato janë procedime që përcaktojnë përgjegjësinë për krime të caktuara dhe jo mjete që në mënyrë retrospektive testojnë moralitetin e një politike të dështuar.

Radovan Karaxhiq gëzon shëndet të mirë, ai nuk e ka trurin e dëmtuar si Pinocheti, nuk është me kancer si Honeckeri apo me zemër të dobësuar si Millosheviqi. Gjykimi do të jetë i arsyeshëm, për aq sa e lejon Karaxhiqi të jetë, por nëse insiston ta pengojë atë, atëherë serioziteti i akuzave kërkon një procedurë që do ta parandalojë atë ta shndërrojë në një ekran serialesh, shkruan në fund “Independent”.

XS
SM
MD
LG