Ndërlidhjet

“Plani i Ahtisaarit - mburoja e vetme nga Zannier”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Megjithëse nuk ka fuqi juridike nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve te Bashkuara, Plani Ahtisaari mbetet mburoja e vetme e Prishtinës nga iniciativat e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, për negociata me Beogradin. Qeveria e Kosovës nuk ka paralajmëruar ndonjë strategji të re për t'u ballafaquar me raundin e dytë të diplomacisë fluturuese të zotit Zannier, i cili pritet të filloje në shtator. Sikur Qeveria ashtu edhe opozita kanë thënë të hënen se pakoja e Ahtisaarit është kompromisi më i madh dhe më i dhimbshëm që kanë bërë kosovarët gjatë negociatave për statusin e Kosovës. Ata nuk kanë përgjigje konkrete për zotimin e Zannierit se ai është shefi i madh në Kosovë dhe se ai do ta japë fjalën përfundimtare pavarësisht se a pajtohen palët apo jo. Komenti i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi për këtë ka qenë se edhe Zannier duhet "t'i nënshtrohet Kushtetutës së Kosovës", e cila bazohet në planin e Ahtisaarit. Duke folur për mundësinë e koncesioneve të reja në gjashtë pikat e sekretarit të përgjithshëm të OKB-se, Ban Ki-moon, Kuçi ka vlerësuar se ato do ta bënin jofunksional shtetin e ri të Kosovës...

EXPRESS
Me trendin aktual të qeverisjes, Partia Demokratike e Kosovës do të shndërrohet në një subjekt dominant në vend, thotë ish-Kryeministri Agim Çeku. I renditur si politikani i dytë më i popullarizuar në një sondazh të kohës së fundit, në intervistë për Express, të hënën, Çeku argumenton se bëhet fjalë për "qeverisje autoritare" aktualisht në Kosovë. "Jemi dëshmitarë të një demokracie autoritare. Ky është fakt. Shoh një përpjekje për të kontrolluar të gjitha shtyllat e shoqërisë, duke filluar nga Parlamenti, opozita, mediat, ndërmarrjet publike", thotë Çeku. "Kjo thjesht të bën dominant". Kryeministri Hashim Thaçi drejton koalicionin qeverisës prej fillimit të këtij viti në një bashkësi të dy forcave më të rëndësishme për nga votat, por ndoshta edhe fuqia politike. Ai ka pasur fatin historik të udhëheqë i pari shtetin e Kosovës të krijuar pas dekada aspiratash. Por, për një politikan dhe personalitet aktiv për shumë vjet, paraardhësin e tij Agim Çekun, pas më shumë se 200 ditësh udhëheqja e Thaçit nuk është bindëse. "Kështu nuk i kontribuohet demokracisë së një shoqërie të shëndoshë", argumenton ai. "Kështu demokracia nuk zhvillohet, por ngulfatet". Në një prej arsyetimeve që ai jep në kritikën e tij është pikërisht Parlamenti, institucioni më i lartë në bazë të Kushtetutës. "Kam përshtypjen se në vend që në demokraci Parlamenti të kontrollojë Qeverinë, te ne po ndodhë e kundërta. Qeveria po e kontrollon, ose po e dikton dinamikën dhe punën e Parlamentit", thotë Çeku...

EPOKA E RE
Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë serbe, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar se në Kosovë, Kombet e Bashkuara por edhe Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja ndodhen në një lloj testimi, ndërsa ka shtuar se serbët nuk mund të mbështeten në vetëdijen e shqiptarëve. "Përvojat e deritashme tregojnë se nuk mund të mbështetemi vetëm në vetëdijen e shqiptarëve dhe udhëheqësit e tyre politikë. Mirëpo, tash në një test serioz ndodhen edhe institucionet si OKB-ja, Këshilli i Evropës e OSBE-ja", ka deklaruar Ivanoviq. Ai, po ashtu, ka tërhequr vërejtjen se "shqiptarët kurrë nuk do ta respektojnë atë që vetë e kanë përkufizuar, nëse nuk ekziston trysnia nga bashkësia ndërkombëtare".
Ndërkaq, lidhur me propozimin për kthimin e policëve serbë në SHPK, por nën komandë të OKB-së, Ivanoviq ka thënë se në këtë moment kjo është zgjidhja më e mirë, "në mënyrë që të tejkalohet problemi që është krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës"...

INFOPRESS
Paraqitja e fundit e kryeadministratorit ndërkombëtar të JNMIK-ut në Kosovë, Lamberto Zanieri, si duket ka krijuar konfuzitet në skenën politike vendore, por jo edhe atë ndërkombëtare. Pohimet e Zanierit se ai mund të detyrojë palët që të dialogojnë për idetë, të cilat nuk përkojnë fare me realitetin e ri të krijuar në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare, janë madje edhe qesharake. Thirrja e tij në Rezolutën 1244 të OKB-së, vetëm sa krijon konfuzion, në kohën kur Parlamenti i Kosovës tashmë ka miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kushtetutë kjo e cilësuar edhe nga ekspertë ndërkombëtarë si tejet bashkëkohore. Përgjigjja ndaj deklaratave të Zanierit nuk ishte edhe gjithaq bindëse, sidomos nga spektri politik kosovar(pozita), ndërkohë që opozita kundërshtoi këto pikëpamje. Pikërisht deklaratat e tilla të administratorit mbase të fundit të UNMIK-ut, kanë nxitur reagime pozitive në qarqet politike serbe në Beograd, por edhe në veri të Kosovës. Madje, lideri serb i Mitrovicës veriore, Oliver Ivanoviq, menjëherë parapëlqeu propozimihn e Zanierit për kthimin e pjesëtarëve të SHPK-së, por nën komandën e UNMIK-ut...

KOSOVA SOT
Disa deklarata të paqarta të shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanier, kanë bërë që Prishtina zyrtare të kërkojë sqarim nga ai publikisht, por edhe ta paralajmërojë atë për pasojat e mundshme me anë të komunikimit intern. Një zyrtar i lartë i UNMIK-ut i ka thënë gazetës "Kosova Sot", se Zanieri është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës se do të shpallet "persona non grata", (person i padëshirueshëm), në rast se edhe një herë përsërit deklarata për polici të dyfishtë në Kosovë. Sipas këtij zyrtari, institucioni i parë i tronditur nga deklarata e Zanierit për një polici monoetnike, që do të udhëhiqej nga serbët dhe që do të vepronte në enklavat me shumicë serbë në Kosovë, ka qenë Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas këtij burimi, zyrtarët e kësaj ministrie kanë kërkuar sqarim me kryeministrin e Kosovës, dhe pasi që kanë marrë miratimin e të parit të Qeverisë kanë nisur paralajmërimin në adresë të Zanierit. Sidoqoftë, nuk është vetëm deklarata për policinë ajo që i ka bërë institucionet e Kosovës të pakënaqura në raport me italianin Zanier. Janë edhe disa deklarata të tjera të tij, lidhur me rolin dhe autoritetin e UNMIK-ut në Kosovë, që kanë bërë që zyrtaret e Qeverisë së Kosovës edhe zyrtarisht të kërkojnë sqarim nga Zanieri. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimet e fundit të shefit të UNMIK-ut për disa fusha që kanë të bëjnë me pakicën serbe janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me planin e Ahtisarit...

ZËRI
"Edhe pse një numër i vogël i vendeve anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pozicioni i tyre duhet të merret në konsiderim e kjo konkretisht do të thotë se zgjidhja e statusit të Kosovës nuk mund të jetë kusht për afrimin e Serbisë", ka deklaruar ministri qipriot i Punëve të Jashtme për gazetën e Novi Sadit, "Dnevnik". Kiprianos ka përsëritur se Qipro përkrah integritetin territorial të Serbisë, por edhe angazhimin e EULEX-it në Kosovë. "Konsiderojmë me Misioni i ELUEX-it në Kosovë është i dobishëm dhe ka qëllime të mira, por është e domosdoshme që ai të marrë mandatin e. Këshillit të Sigurimit të KB në bazë të Rezolutës 1244”, ka thënë shefi i diplomacisë qipriote, por ka tërhequr vërejtjen se qëndrimi i Qipros brenda BE-së është megjithatë minoritar. Sipas mendimit të tij, gjithnjë e më e vështirë është edhe vendimi i Kosovës në Këshillin e Sigurimit, por ai ka vlerësuar se është i bindur se në të ardhmen e afërt do të ndodhë diçka që do të ketë ndikim të fuqishëm në gjendjen ekzistuese...

BOTA SOT
Ambasadori britanik në Beograd, Stiven Uordsuort, ka vlerësuar se ideja e Beogradit për "anulimin" e pavarësisë së Kosovës "është një vetëmashtrim i rrezikshëm", sepse "pavarësinë e Kosovës e kanë njohur shumica e anëtarëve të BE-së, shumica në Këshillin e Sigurimit, të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe gjendja e tillë nuk do të ndryshojë"."Nisma para gjykatës neve na duket si provokim direkt. Ai proces do të tërheqë mjaft vëmendje të opinionit dhe për ne vështirë do të ishte që të bashkëpunojmë për integrimin në BE dhe të konfrontohemi në të njëjtën kohë. Procesi gjyqësor do të na fokusonte së tepërmi në dallimet tona, për të cilat duhet të gjejmë mënyrën që t'i mbajmë në një anë, ndërsa bashkëpunojmë në anën tjetër. Andaj mendoj se kjo është gabim", është shprehur diplomati britanik...

LAJM
Raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në lidhje me ngjarjet e 17 marsit 2008, që kanë ndodhur në Mitrovicë, në të cilin akuzohen policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i për përdorim të forcës së tepruar ndaj serbëve radikalë, është kritikuar ashpër nga zyrtarë të institucioneve dhe zyrtarë të të drejtave të njeriut në Kosovë. Përfaqësues të institucioneve e quajnë jo të drejtë, ndërsa drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, raportin e OKB-së e quan joreal dhe qesharak. Sipas tij, ky raport është politik dhe në përputhje me qëndrimet e OKB-së në lidhje me Kosovën. "Pra, është në vazhdën e gabimeve që bën kjo organizatë lidhur me çështjen e Kosovës, sepse ai intervenim ka qenë i duhur, për arsye se është bërë pas një kryengritjeje që ka çuar deri te shkatërrimi i pikave doganore, rrezikimi i jetës së njeriut dhe janë okupuar ndërtesat institucionale. Pra, aty nuk ka pasur tjetër mundësi. Madje, në atë rast policia dhe KFOR-i janë treguar shumë tolerantë, edhe pasi është vrarë një polic i UNMIK-ut dhe janë lënduar dhjetëra të tjerë", tha Shala. Ai mendon se intervenimi madje ka qenë paksa i vonuar dhe i butë në kuptimin që deri tash nuk është marrë asnjë masë ligjore ndaj atyre që e kanë shkaktuar rebelimin...
XS
SM
MD
LG