Ndërlidhjet

Osetia Jugore në ballë të konfliktit të ri Lindje – Perëndim?


Për të siguruar përkrahjen e Perëndimit, Tbilisi përkujtoi konfliktet e Luftës së Ftohtë. Mundësia e vetme për sukses ishte globalizimi i konfliktit dhe vendosja e tij në qendër të përplasjeve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.


Në përpjekjet për të nxituar përkrahjen e Perëndimit për konfliktin e armatosur me Rusinë, presidenti i Gjeorgjisë përkujtoi fantazmat e betejave të shkuara të Luftës së Ftohtë: shtypjen e kryengritjes hungareze nga Moska në vitin 1956, invazionin e Paktit të Varshavës ndaj Çekosllovakisë në vitin 1968 dhe sulmin sovjetik në Afganistan, në vitin 1979.

Strategjia e liderëve të Gjeorgjisë është e pastër. Ushtria e vogël e Tbilisit nuk mund të ballafaqohet me makinerinë ushtarake të Rusisë. Mundësia e vetme për sukses e Sakashvilit është globalizimi i konfliktit dhe vendosja e tij në qendër të përplasjeve ndërmjet Moskës dhe Perëndimit.

"Ajo që po bën Rusia kundër Gjeorgjisë në ditët e fundit paraqet agresion të hapur, të paprecedent në kohët moderne" tha Sakashvili në adresimin televiziv, me 8 gusht. Sipas tij, kjo është sfidë direkte për të gjithë botën dhe "nëse Rusia nuk ndalet sot nga e gjithë bota, atëherë nesër tankset ruse mund të arrijnë cilindo kryeqytet evropianë".

Deri tani Perëndimi nuk është joshur. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë nisur të dërguarit në Gjeorgji për të provuar të vendosin armëpushimin dhe liderët perëndimor kanë lëshuar deklarata përmes të cilave kanë bërë thirrje që palët të përmbahen.

Shumë liderë evropianë, hamenden të kundërshtojnë Moskën dhe janë treguar të balancuar rreth konfliktit. Madje edhe aleati më i ngushtë i Gjeorgjisë në Perëndim, Shtetet e Bashkuara, ofruan vetëm pak më shumë se mbështetje retorike.

Duke folur në Pekin me 9 gusht, presidenti amerikan George Bush përshkallëzoi kritikat e Uashingtonit ndaj Moskës duke bërë thirrje për ndalimin e godtijeve mbi shënjestrat gjeorgjiane.

"Gjeorgjia është vend sovran dhe integriteti i saj territorial duhet të respektohet" tha Bush duke shtuar se "SHBA-të nxisin ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe tërheqjen e të gjitha trupave". Ai gjithashtu kërkoi ndalimin e bombardimeve ruse dhe kthimin e të gjitha palëve në status quo-n e 6 gushtit.

Duke provuar të lëvizësh kah Perëndimi

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2003, Sakashvili është munduar të lëvizë Gjeorgjinë drejtë orbitës perëndimore dhe ta largojë nga sfera ruse e ndikimit. Për të arritur këtë, lideri gjeorgjian duhej të zgjidhte mosmarrveshjet rreth dy rajoneve pro-ruse: Osetisë Jugore dhe Abkazisë.

Para ngritjes së Sakashvilit, Rusia ishte i vetmi lojëtar ndërkombëtar në Osetinë Jugore dhe në Abkazi, me trupat e pranishme në të dy rajonet nën ombrellën e misionit "paqëruajtës".

"Sakashvili ka provuar të ndërkombëtarizojë konfliktin në Gjeorgji" thotë Sabine Freizer, drejtoreshë e programit evropian në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Shtetet e Bashkuara ndërkohë, i kanë pranuar në masë të madhe përpjekjet e Sakashvilit, duke përkrahur synimin e këtij vendi për anëtarësim në NATO, duke ndihmuar trajnimin e forcave ushtarake dhe duke ofruar mbështetje diplomatike për konfliktet në Osetinë Jugore dhe në Abkazi.

Evropa, në anën tjetër, ka qenë gjerësisht e ndarë. Vende krysore si Franca dhe Gjermania, janë hamendur të kundërshtojnë Moskën dhe Tbilisit nuk i kanë ofruar asgjë më shumë se sa "vështrimi i ngrohtë". Vendet e reja anëtare si Polonia, Republika Çeke dhe vendet balltike, me kujtime të freskëta nga dominimi sovjetik, kanë qenë më të kujdesshme në mbështetjen ndaj Tbilisit.

Gjeorgjia depërtoi në Osetinë Jugore me 7 gusht, në operacionin e shkallës së gjerë për të marrë nën kontroll rajonin separatist, pas përleshjeve të kohëve të fundit. Palët akuzuan njëra tjetrën për fillimin e armiqësive. Ofensiva shkaktoi reagimin e Moskës e cila dërgoi trupa, aeroplanë ushtarakë dhe tankse për të zbrapsur forcat gjeorgjiane. Ishte kjo ofensiva e parë e ushtrisë ruse jashtë kufijve të vendit, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Nuk është befasi që dënimi më i fuqishëm evropian për sulmin rus erdhi nga Lituania që vlerësoi se "Moska ka tejkaluar vijën e kuqe" dhe "ka bërë agresion dhe shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare".

Disa analistë thonë se me Perëndimin e përçarë, Sakashvili mund të ndjejë nevojën që konfliktet t'i zgjidh shpejtë para se administrata Bush të largohet në janar 2009.

"Pse pikërisht tani"? – shtron pyetjen kryeredaktori i gazetës nga Moska "Russia in Global Affairs" Fyodor Lukyanov dhe përgjigjet duke thënë se "njëra nga arsyet është se Sakashvili beson që administrata e tanishme amerikane ka disa obligime ndaj tij dhe administrata e ardhshme, sidomos nëse do të jetë e demokratëve, nuk do të ndjejë se i ka të njëjtat obligime, kështu që mund të modifikojë qëndrimin ndaj Gjeorgjisë".

Nëse është kështu, Sakashvili ka dështuar në parashikimin e nevojshëm për kundërpërgjigjen e shpejtë nga Moska. Me kalimin e konfliktit nga ai diplomatik në ushtarak, opcionet e Perëndimit janë kufizuar shumë.

"Mendoj se Sakashvili ka hedhur hapin shumë larg sepse nëse vërtetë dëshiron t'u kundërvihet rusëve, duhet të ketë dicka siç është: intervenimi ushtarak dhe kjo nuk do të ndodh" tha Freizer.

Analistët thonë se Perëndimi mund të fus në përdorim disa masa, por energjia dhe ndikimi i Rusisë në këtë lëmi, me siguri do t'i parandalojë. Aq më shumë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë nevojë shumë të madhe për bashkëpunimin e Rusisë në çështje të tilla si programi bërthamor i Iranit.

Në fund, përpjekjet e Moskës që të shihet si lojëtar i përgjegjshëm megjithatë global do të goditen seriozisht nga konflikti.

"Imazhi i Moskës do të dobësohet. Rusia është përpjekur të rris legjitimitetin ndërkombëtar si mbrojtëse e të drejtës ndërkombëtare jo vetëm në Kaukaz, por edhe në Ballkan, apo me pozicionin që ka mbajtur për rastin e Kosovës. Kjo do ta bëjë më të vështirë për ta që të qëndrojnë në krye të Këshillit të Sigurimit si mbrojtës i madh i të drejtës ndërkombëtare, derisa bombardojnë shënjestra civile dhe qytetet gjeorgjiane", tha Sabine Freizer nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
XS
SM
MD
LG