Ndërlidhjet

McCain dhe Obama për Gjeorgjinë


Barack Obama dhe John McCain
Barack Obama dhe John McCain

Kriza e parë e madhe e jashtme që u bë e pranishme në fushatën presidenciale amerikane, u dha amerikanëve mundësinë të dëgjojnë si do të reagonin John McCain dhe Barack Obama po të ishin ulur në zyrën e Shtëpisë së Bardhë.


Lëvizja ushtarake e Rusisë kundër Gjeorgjisë, më 7 gusht, ia dha senatorit John McCain mundësinë që të thotë atë që votuesit amerikanë e pëlqejnë më së shumti tek ai: të flasë ashpër për çështjet e sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme.

Për Barack Obamën, kriza u dha votuesve mundësinë që të shohin se si ai mund të mbetet gjakftohtë, madje edhe kur i zemëruar e akuzonte ariun rus.

Vetëm disa orë pas nisjes së konfliktit në Gjeorgji, McCain, një veteran i Marinës, i cili është ithtar i deklaratave të fuqishme për çështjet ndërkombëtare, u bëri thirrje vendeve të botës t'i bëjnë shtypje Rusisë që të tërhiqet.

"Shtetet e Bashkuara duhet menjëherë të konvokojnë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit dhe t'i bëjnë thirrje Rusisë që ta ndryshojë kursin. Shtetet e Bashkuara duhet menjëherë të punojnë me BE-në dhe OSBE-në për ta vënë Rusinë nën presion diplomatik, që të kthehet nga ky kurs i rrezikshëm që ka zgjedhur”, tha McCain.

Obama ishte më i kujdesshëm, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të përmbahen.

"Me plot zemër e dënoj dhunimin e sovranitetit të Gjeorgjisë. Mendoj se në këtë pikë është e rëndësishme që të gjitha palët të shfaqin vetëpërmbajtje dhe të ndalin konfliktin e armatosur. Integriteti territorial i Gjeorgjisë duhet të ruhet dhe tash është koha për bisedime direkte ndërmjet palëve të ndryshme në emër të stabilitetit", tha Obama.

Të hënën, kur u rrit bilanci i të vdekurve dhe u shtuan sulmet ajrore ruse në qytetet e Gjeorgjisë, të dy kandidatët ndjenë se duhet t'i ritheksojnë pozicionet e tyre.

McCain mbajti një konferencë për shtyp në shtetin e Pensilvanisë, ku po e zhvillonte fushatën. Fytyrën e kishte të vrenjtur kur tha se Rusia po përpiqet t'i frikësojë vendet si Gjeorgjia dhe Ukraina për shkak se kanë "zgjedhur të bashkohen me Perëndimin" dhe për shkak se kanë përqafuar vlerat politike dhe ekonomike perëndimore.

McCain e qortoi NATO-n për shkak se nuk lejoi anëtarësimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në planin aksional, duke thënë se ky vendim mund të jetë parë si dritë e gjelbër nga Rusia për sulmet e saj në Gjeorgji.

McCain e bëri të qartë se Rusia do të paguajë çmimin nëse ai do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.

"Presidenti rus Dmitry Medvedev dhe kryeministri Putin duhet t'i kuptojnë pasojat e rënda dhe afatgjata që këto veprime të qeverive të tyre do të kenë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën", tha McCain.

Në kohën kur shpërthyen luftimet, Obama ndodhej në pushim me familjen në vendin ku ka kaluar fëmijërinë në Hawaii, por e ndërpreu pushimin.

Ai tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë së bashku për të ndalur gjakderdhjen, duke zbuluar kështu rolin qendror që diplomacia do të luante në procesin vendimmarrës të tij.

"Ne synojmë një angazhim kooperativ në të ardhmen me Qeverinë e Rusisë dhe miqësi me popullin rus. Ne duam që Rusia të luajë rolin e drejtë që i përket si vend i madh, por me rolet vijnë edhe përgjegjësitë që të veprojë si forcë për progresin në shekullin e ri, e jo për regresin në konfliktet e së shkuarës. Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ngrenë zërin lart kundër këtij agresioni dhe në favor të paqes dhe sigurisë", tha senatori Obama.
XS
SM
MD
LG